Home » Xhudo » “Viti 2014, viti më i suksesshëm në historinë e sportit”

“Viti 2014, viti më i suksesshëm në historinë e sportit”

ldquo-viti-2014-viti-m-euml-i-suksessh-euml-m-n-euml-historin-euml-e-sportit-rdquo_hdKosova duhet të krenohet më të arriturat e xhudos në vitin 2014. Suksesi i xhudisteve Majlinda Kelmendit dhe i Nora Gjakovës, vitin që po e lëmë pas, e bën vitin më të suksesshëm në historinë e shtetit tonë.

Kështu mendon trajneri i xhudos, Driton Kuka. Njeriu që preku majat e botës me Majlinda Kelmendin, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se viti 2014, është viti më i suksesshëm në shumë sfera, por sipas tij, është sporti i xhudos që këtë vit e bën jashtëzakonisht të suksesshëm për vendin tonë.

Kuka thotë se suksesi i Majlindës në Kupën e Botës, por edhe medalja e artë e Nora Gjakovës në Kampionatin Evropiane, e bën të veçantë vitin që është në ikje.

“Viti 2014 është vit i sukseseve në shumë sfera. Sa i përket sportit të xhudos ne kemi pasur një vit të shkëlqyeshëm, sepse Majlinda e ka mbrojtur titullin e kampionit të Botës, do të thotë është kampione e dyfishtë botërore, e po ashtu është bërë edhe kampione evropiane, një titull i munguar në listën e medaljeve të Majlindës. Ndërsa e veçantë është se edhe një garuese e cila sikur ka mbetur nën hijen e Majlindës, e cila pas një lëndimi të gjatë, Nora Gjakova, është kampione evropiane në grup-moshën deri 23 vjeç, dhe kur i bashkëngjitën këtyre edhe rezultatet e Akil Gjakovës dhe disa garuesve tjerë, mund të flitet për një vit të suksesshëm në sportin e xhudos prej kur ekziston”, ka thënë Kuka.

Tekniku pejan mendon se pranimi i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON), është një lajm shumë i mirë për shtetin dhe sportistët e Kosovës. Kuka thotë se pranimi i KOK-ut në KON, është një gjë shumë e madhe për komunitetin sportiv, e që sipas tij, tani sportistët tanë e kanë më të lehtë rrugën për të dëshmuar cilësitë në arenën ndërkombëtare.

Trajneri Kuka ka folur edhe për rrugëtimin e vështirë dhe punën e madh që është bërë për krijimin e sportistëve të nivelit të Majlinda Kelmendit dhe Nora Gjakovës.

Ai thekson se ka qenë një rrugëtim i vështirë për të ardhur deri tek majat e botës. Kuka mendon se është bërë punë e madh në këto 14 vite, por ai ndjehet krenar që puna e madh që është bërë ka krijuar dy sportiste kulminante.

“Faktikisht pas luftës në vitin 2000 kemi filluar të punojmë në këtë palestër, edhe Majlinda dhe Nora kanë qenë si këta protagonistët prapa, sikurse këta fëmijë që po stërvisin. Të dyja kanë jetuar 200-300 meta larg palestrës dhe janë rritur në ketë sallë dhe janë krijuar si sportiste të Kosovës, e kjo është ajo vlera më e madhe për të cilën unë krenohem. Normal që ka qenë vështirë, sepse janë 14 vite punë shumë e madhe, sidomos në këto 5-6 vitet e fundit. Majlinda, Nora, por edhe disa garues tjerë që janë kulminantë, stërvisin 4 deri në 8 orë në ditë, kjo është një punë e rëndë fizike, por sukseset e arritura dhe ajo ndjesia që kemi bërë diçka të mirë për vendin dhe kombin na ka bërë që ne të mos ndahemi asnjë herë”, ka theksuar Kuka.

Ai ka folur edhe për objektivat në të ardhmen. Synimi kryesor i Kukës është që Kosova të jetë e pranishme në Lojërat Olimpike Evropiane ‘Baku 2015’ dhe në ‘Rio 2016’, me sa më shumë sportistë. Kuka është i bindur se Majlinda dhe Nora do të arrijnë normën olimpike. Madje, sipas tij, norma olimpike për Majlindën nuk kontestohet, por ai është i bindur se edhe Nora dhe Akil Gjakova do të arrijnë normën olimpike në mënyrë që të jenë në ‘Rio 2016’.

Ambiciet e Kukës dhe të garuesve të tij janë medalja e artë në Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’, e që sipas tij, do të ishte medalja më e madhe për shtetin e Kosovës. /KP

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni