Home » Futboll » Veseli e Xhaka për Kosovën vendosin kur të vijë koha

Veseli e Xhaka për Kosovën vendosin kur të vijë koha

xhakaPrishtinë, 19 nëntor – Futbollistët kosovarë, Frederik Veseli e Granit Xhaka, ende nuk kanë vendosur se cilin shtet do ta përfaqësojnë në nivelin sendor, shkruan sot “Koha ditore”.

Mbrojtësi i Manchester Cityt, Veseli, dhe mesfushori i Baselit, Xhaka, të dielën me Përfaqësuesen e Zvicrës janë shpallur kampionë të botës për futbollistët deri 17 vjeç. Veseli, që të premten i mbush 17 vjet, ishte kapiten i Zvicrës, ndërsa Xhaka (17) u vlerësua ndër lojtarët më të mirë të kampionatit që u mbajt në Nigeri. Veseli dhe Xhaka kanë lindur në Zvicër në familje kosovare.

“Nuk kam vendosur ende për cilin vend do të luaj kur të bëhem senior, pra në përfaqësuesen A. Ka mundësi të luaj për Zvicrën apo edhe për Kosovën, nuk e di ende. Shpresoj që të arrij atë nivel që të luaj në përfaqësuesen A të ndonjë vendi. Më duhet të punoj ende shumë për të arritur këtë nivel”, ka thënë të mërkurën për gazetën Frederik Veseli. Ai është me origjinë nga Prizreni.

Veseli ka bërë të ditur se nuk është kontaktuar asnjëherë nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ndërkohë, mesfushori Granit Xhaka ka thënë se është shumë e vështirë që të vendosë të mbrojë ngjyrat e njërit apo tjetrit vend.

“Nuk kam vendosur as për Kosovën e as për Zvicrën. Nuk është e lehtë të vendoset. Unë jam 100 për qind shqiptar, por kam lindur, jam rritur dhe jetoj në Zvicër’, ka thënë Xhaka, që ka prejardhje nga Prishtina. Edhe Xhaka thotë se nuk është kontaktuar ndonjëherë nga drejtuesit e FFK-së.

“Nga Kosova nuk më ka kontaktuar askush, por nga Shqipëria po. Dikush nga Federata e Shqipërisë ka telefonuar në shtëpinë time. Sa i përket Shqipërisë nuk mund të them ndonjë gjë. Më parë më duhet të flas me zyrtarët e Baselit, me menaxherin dhe me prindërit e mi”, ka shtuar Xhaka.

Xhaka ishte titullar në të gjitha shtatë ndeshjet që Zvicra i fitoi në boveselitërorin e Nigerisë. Realizoi një gol e katër asistime. Zvicra në finale mposhti Nigerinë me rezultat 1:0. “Helvetikët” për herë të parë u paraqitën në një kampionat botëror për futbollistët deri 17 vjeç.

Për ndryshim nga Xhaka, mbrojtësi i qendrës, Veseli, luajti në gjashtë nga shtatë takimet. Për shkak të kartonëve, mungoi në gjysmëfinale kundër Kolumbisë. Në këtë takim Zvicrës i mungoi edhe mesfushori Pajtim Kasami. Anëtari i Lazios, Kasami, po ashtu ka lindur në Zvicër në një familje shqiptare nga Maqedonia. Edhe ai ishte titullar në gjashtë ndeshjet e tjera. Kasami ishte në konkurrencë për lojtarin më të mirë të turneut.

Veseli në Akademinë e Manchester Cityt u transferua para një viti nga ekipi zviceran Lausanne. Me Cityn ka kontratë deri në vitin 2012. Ai nuk planifikon të ndërrojë skuadrën. Ndërkohë, Xhaka ka kontratë me Baselin deri në vitin 2011. Pas paraqitjeve të mira në Nigeri, për të interesim kanë shprehur klubet më të mëdha të Anglisë dhe Italisë si edhe skuadra nga Gjermania. Xhaka nuk e ka përjashtuar mundësinë që të largohet nga Baseli. Ai është pjesë e ekipit U-21 të Baselit (Në fotografi – Frederik Veseli , djathtas)/kohanet

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni