Home » Kampionati Kosovar » Trepça, kampion i ri

Trepça, kampion i ri

Në një atmosferë të bukur sportive në stadiumin e futbollit “Adem Jashari” në Mitrovicë, skuadra e Trepçës nga Mitrovica ka shënuar fitore me rezultat 2:1 kundër rivalit të papërshtatshëm, Besës nga Peja, në ndeshjen e javës së fundit (33-të) të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.

Trepça me fitoren që shënoi me shifra 2:1 stoliset edhe me titullin e kampionit të ri, të cilën nuk e kishte fituar nga viti 1992-93. Futbollisti Elvis Osmani ka qenë njëri ndër më të mirët në fushë dhe me dy golat që ka shënuar e ka dërguar skuadrën mitrovicase drejt fitores, e cila ka qenë edhe fitorja e 16-të në kampionat.

Trepça tuboi 59 pikë nga 33 ndeshje (16 fitore, 11 barazime e 6 humbje) të zhvilluara në Raiffeisen Superligë. Pejanët të parët kaluan në epërsi dhe paksa frikësuan dashamirët e futbollit në stadium. Haxhi Zeka, sulmues i spikatur ka shënuar në minutën e 32-të. Epërsia e Besës nuk zgjati edhe aq shumë, pas shtatë minutave Elvis Osmani, i cili e kishte edhe ditën e vet, ka barazuar shifrat 1:1.

Në pjesën e dytë të ndeshjes, Trepça realizoi edhe fitoren. Osmani sërish në skenë dhe në minutën e 65-të me një gjuajtje sa të fortë aq edhe të saktë mposhti portierin pejan dhe kaloi në epërsi skuadrën e tij me rezultat 2:1 dhe me të cilin edhe përfundoi ndeshja.

Trepça kremtoi titullin e kampionit së bashku me adhuruesit e tyre të zjarrtë “Torcida”, të cilët krijuan një atmosferë që rrallë herë shihet në stadiumet tona. Kryetrajneri Gani Sejdiu, është i lumtur për titullin e parë që ka fituar në karrierë si trajner dhe këtë titull ia dedikon të gjithë qytetarëve të Mitrovicës.

Ai thotë se puna e të gjithëve, lojërat e mira që kanë zhvilluar për gjatë gjithë kampionatit dhanë edhe frytin e dëshiruar në fund, duke fituar titullin e kampionit. Prishtina para shikuesve të vet ka mposhtur me rezultat 1:0 KEK-un dhe kësisoj kaloi në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit. Ferizaj shënoi fitore minimale me rezultat 2:1 kundër Gjilanit dhe siguroi ekzistencën në elitën e futbollit.

Vëllaznimi nga Gjakova me gjithë fitoren e lartë me rezultat 3:1 kundër Flamurtarit të Prishtinës, asgjë nuk i ka ndihmuar që t’i shmanget barazhit. Drenica në Skenderaj luajti shumë më mirë dhe arkëtoi tri pikë për fund me Hysin nga Podujeva. Kosova e Vushtrrisë është përshëndetur nga elita e futbollit me fitore me rezultat 1:0 ndaj Lirisë nga Prizreni.

Nga liga do të largohen Kosova e Vushtrrisë dhe Gjilani. Vëllaznimi zë vendin e dhjetë dhe do të luftojë në barazh për të mbetur në ligë. Ata me 3 qershor takohen me Besianën, që zë vendin e tretë në ligën e parë dhe do të kërkojë shpëtimin në ligë. Në përgjithësi ndeshjet e javës së fundit u karakterizuan me lojëra mjaft të mira dhe me pak lëvizje në renditje të tabelës së klasifikimit.

Rezultatet – Raiffeisen Superliga

Trepça – Besa 2:1

Prishtina – KEK-u 1:0

Ferizaj – Gjilani 2:1

Vëllaznimi – Flamurtari 3:1

Kosova – Liria 1:0

Drenica – Hysi 2:1

Tabela

1. Trepça 33 16 11 6 46:27 59

2. Prishtina 33 16 7 11 38:33 55

3. KEK-u 33 15 8 10 50:33 53

4. Besa 33 15 6 12 44:28 51

5. Hysi 33 14 5 14 51:41 47

6. Drenica 33 14 7 12 38:44 49

7. Flamurtari 33 12 11 10 42:44 47

8. Liria 33 12 8 13 38:35 44

9. Vëllaznimi 33 12 6 15 34:42 42

10. Ferizaj 33 12 7 14 28:44 42

11. Kosova 33 9 7 17 28:43 34

12. Gjilani 33 5 10 18 28:53 26

Trepça kampion i ri, nga liga largohen Kosova e Vushtrrisë dhe Gjilani. Ndërkaq, Vëllaznimi i Gjakovës në barazh do të luajë me 3 qershor kundër skuadrës së Besianës, e cila renditet në vendin e tretë në ligën e parë. /botasot

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni