Home » Kampionati Kosovar » Trepça: “Hasani u shit për një biftek”

Trepça: “Hasani u shit për një biftek”

Klubi i futbollit Trepça ka akuzuar arbitrin Përparim Hasani se ka bërë marrëveshje me Trepçën ’89. Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Trepça, të martën ka kërkuar nga Këshilli Profesional i gjyqtarëve që të bëjë rivlerësimin e referimit në ndeshjen e xhiros së dytë, Trepça ’89 – Trepça, që të dielën u luajt në Mitrovicë. Kjo ndeshje përfundoi me rezultat 1:0 në të mirë të Trepçës ’89.

Në kërkesën e Trepçës shkruan se arbitri Hasani shitet edhe për një biftek.
“Jemi thjesht të habitur nga ky referim skandaloz i Përparim Hasanit. Vërtet deri tani kemi menduar se ai është refer i mirë, por me vetë faktin se pas lojës kishte shkuar të festonte në restorantin ‘Tiffany’ në Mitrovicë me kryesinë e Trepçës ’89 u bindëm se edhe ai është refer që shitet jo për dy qebapë, por për një biftek”, thuhet në kërkesën e Trepçës.

Sekretari i klubit Trepça, Hajrullah Haxhiu, ka konfirmuar  se kërkesa është dorëzuar të martën. Ai ka njoftuar se Hasani është vlerësuar me notën katër.

“Kërkojmë nga Këshilli profesional i gjyqtarëve që të shikojë incizimin televiziv të ndeshjes Trepça ’89 – Trepça ku refer kryesor ishte Përparim Hasani, i cili me të filluar loja u pa se ishte tendencioz kundër klubit tonë dhe u pa qartë se ai kishte bërë marrëveshje me Trepçën ’89. Ai nuk ndëshkonte lojtarët e kësaj skuadre me gjithë startet të cilat ishin për karton të kuq, ndërsa lojtarët tanë i ndëshkonte edhe për ndonjë fjalë të lëshuar gjatë kundërshtimeve në referim”, shkruan ndër të tjera në kërkesë.

Më tej në kërkesë janë paraqitur disa raste, ku sipas Trepçës arbitri Hasani nuk ka vepruar drejt.

Gazeta me gjithë përpjekjet nuk ka mundur të kontaktonte me arbitrin Hasani. Përparim Hasani vlerësohet ndër arbitrat më të mirë në vend.

Ndeshja e rivalëve lokalë të qytetit të Mitrovicës është përcjellë me tensione si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Në atë takim u treguan tetë kartonë të verdhë dhe dy të kuq. Gjatë ndeshjes pati shumë ndërhyrje të ashpra nga ana e futbollistëve. Nuk munguan edhe fyerjet e tifozëve për lojtarët dhe të lojtarëve për tifozët. Po ashtu kishte disa incidente në tribuna.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni