Home » Basketbolli i Kosovës » Të reja nga basketbolli i Kosovës

Të reja nga basketbolli i Kosovës

basketKreu i Federatës së Basketbollit të Kosovës është optimist se në mbledhjen e të dielës, që do të mbajë FIBA, Evropa do të dalë diçka pozitive për basketbollin e Kosovës.

Kreu i Federatës së Basketbollit të Kosovës pothuajse dy muaji në heshtje ka lobuar për ndërkombëtarizimin e basketbollit të Kosovës. Erolld Belegu, kryetar i FBK-së, ka thënë se çështja e lobimit ka dhënë efektin e vet.

“Kemi përkrahjen pothuajse nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë. Kemi marrë mbështetjen e Federatës së Basketbollit të Malit të Zi, të Bullgarisë, të Shqipërisë, po presim edhe konfirmimin e përkrahjes nga Maqedonia.

Lobimin e kemi bërë në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Sportit të Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Qe dy muaj kemi punuar me përkushtim dhe me një strategji të re të lobimit.

Kemi pasur takime me të gjithë ambasadorët nga shtetet e ndryshme që janë në Kosovë, po ashtu u kemi dërguar edhe letra të gjitha federatave të basketbollit në Evropë.

Kemi kërkuar përkrahjen e pranimit të FBK-së në FIBA”, tha ndër të tjera Belegu. Ai me nënkryetarin, Artan Rugovën, kanë lobuar edhe në shtetet baltike, në veçanti në Riga të Letonisë. Në këtë vend FBK-ja ka kërkuar përkrahjen nga Federata e Basketbollit e Letonisë dhe ajo e Estonisë, nga të cilat ka gjetur përkrahjen. Ka pasur takime edhe me kreun e Federatës së Belgjikës, me holandezët dhe Luksemburgun.

“Besoj e tërë puna do të kryhet para mbajtjes së mbledhjes së FIBA Evropa. Të dielën (më 15 nëntor) në Munih të Gjermanisë mbahet mbledhja e FIBA Evropa dhe presim që ajo të dalë me një sugjerim dhe propozim për FIBA-n që ta pranojë FBK-në.

FIBA Evropa nuk mund të vendosë për pranim të FBK-së, por ajo mund të japë sugjerime. Shpresojmë shumë se e diela do të jetë pozitive për basketbollin e Kosovës.

Kemi marrë premtime nga federatat e shteteve të ndryshme dhe njëherësh nga shumica kemi edhe përkrahjen e plotë. Dy herë është refuzuar kërkesa jonë për anëtarësim në FIBA me arsye se shteti i Kosovës nuk është në OKB dhe nuk është i pranuar Komiteti Olimpik i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON-i)”, tha Belegu. Kryetari i FBK-së nuk e përjashtoi mundësinë e pranimit me kushtëzime, ngjashëm sikurse hendbolli që është pranuar në Federatën e Hendbollit Evropian (EHF).

Belegu tha se në rast se ndodh të pranohen më kushtëzime në FIBA, që të marrin pjesë vetëm me klube dhe jo edhe me kombëtaren e Kosovës, sipas tij, do të ishte mirë të shkojnë me kategori të reja U-14, U-16 e U-18. “Të gjitha opsionet janë të mundshme dhe të hapura.

Mund të ndodhë që të na lejohet pjesëmarrja vetëm me klube, por në këtë rast do të ishte mirë të marrim pjesë me kategorinë e reja, si U-14, U-16 e U-18”, ka thënë Belegu. Edhe Linda Shala, anëtare e FBK-së, vlerëson se është kapital i madh që po bëhet me këtë rast dhe e ka cilësuar si punë të madhe që ka bërë FBK-ja, me MKRSJ-në e MPJ-në.

Kryetari i FBK-së e ka frikën në rast se në këtë mbledhje nuk bëhet diçka pozitive, atëherë basketbollit do të mbetet jashtë Evropës derisa shteti i Kosovës të jetë i pranuar në OKB dhe KOK-u në KON. Prandaj, kjo mbledhje konsiderohet thikë me dy tehe dhe pritet epilogu përfundimtar të dielën e 15 nëntorit./BOTA SOT

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni