Home » Boks » Të gatshëm

Të gatshëm

26_fisZyrtarët e FBOXK-së kanë pohuar se janë kryer të gjitha përgatitjet e duhura për mbarëvajtjen e turneut ndërkombëtar në boks ‘Adem Jashari’, që mbahet më 27 dhe 28 nëntor. Sipas tyre, pjesëmarrjen në këtë eveniment deri më tani e kanë konfirmuar 54 boksierë nga dymbëdhjetë shtete të huaja.

Më 27 dhe 28 nëntor do të mbahet turneu tradicional-ndërkombëtar në boks ‘Adem Jashari’. Ky turne është i organizuar nga Federata e Boksit e Kosovës (FBOXK), i njëmbëdhjeti me radhë, dhe mbahet nën patronatin e Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit, Hashim Thaçi.

Anëtarët e Këshillit Organizativ të këtij turne, njëherësh zyrtarët e FBOXK-së, kanë treguar se janë kryer të gjitha përgatitjet e duhura për mbarëvajtjen e këtij evenimenti.

Kryetari i FBOXK-së, Ramadan Selimi, i cili njëherësh është kryesues i këtij Këshilli Organizativ, ka pohuar se deri më tani pjesëmarrjen në këtë turne e kanë konfirmuar boksierë nga dymbëdhjetë shtete. Sipas tij, ky numër mund të rritet gjatë ditëve në vijim.

Boksierët e huaj që deri më tani e kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë nga këto shtete: Zvicra, Çekia, Italia, Polonia, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Bullgaria, Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria, Gjermania, Sllovakia, Hungaria dhe Novi Pazari.

Ndërsa Kosovën në këtë turne do ta përfaqësojnë nëntë boksierë: Kreshnik Kokollari në kategorinë 54 kg, Liridon Zeqiri (57 kg), Shkëlqim Muja (60 kg), Burim Hasani (64 kg), Milot Shabani (69 kg), Besart Nimani (69 kg), Burhan Zeneli (75 kg), Bujar Sejdiu (81 kg) dhe Fehmi Jerliu (91+ kg).

Organizatorët e turneut njoftuan se boksierët kosovarë do të tubohen për përgatitje që nga e dita e shtunë në Ferizaj.

“Do të zhvillohen dy gjysmëfinale më 27 nëntor. Gjysmëfinalja e parë zhvillohet në Pallatin e Sporteve në Prishtinë nga ora 15:00, kurse gjysmëfinalja e dytë zhvillohet në Ferizaj nga ora 18:00. Një ditë më vonë zhvillohet finalja në Prishtinë nga ora 20:00”, tha kryetari i BBOXK-së, Ramadan Selimi, në një konferencë për media të mbajtur të enjten në kryeqytet.

Në anën tjetër, drejtori i përfaqësueses së Kosovës, Gjevdet Peci, pohoi se në këtë turne do të zhvillohen rreth 30 meçe. “Në gjysmëfinalen e parë do të zhvillohen 10 luftime, kurse në gjysmëfinalen e dytë do të zhvillohen 12 sosh. Ndërsa në finale nuk do të zhvillohen mbi dhjetë meçe”, tha Peci.

Sipas organizatorëve, ky turne pritet të ketë shikueshmëri dukshëm më të madhe sesa në vitet e kaluara, derisa nuk e kanë përjashtuar mundësinë që hyrja në palestra për publikun të jetë pa pagesë.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni