Home » Kampionati Shqiptar » Superliga futbollistike 2009 në Shqipëri

Superliga futbollistike 2009 në Shqipëri

Tiranë, 23 dhjetor – Kthehen sfidat e kampionatit, teksa gara përqendrohet në të gjitha nivelet e klasifikimit.

Ka sërish ndeshje në Superiore, dhe do të jenë të fundit e këtij viti. Tre takime sot dhe tre të tjera nesër do të mbyllin edhe kuadrin e futbollit kombëtar për këtë vit.

Në përballjen e dytë sezonale kundër Kastriotit, Tirana vjen me moral të lartë, pas asaj fitoreje bindëse 4-1 kundër Apolonisë, ku së fundi u zhbllokua edhe sulmuesi Migen Memelli, golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar të Superligës (22 gola). Krutanët vijnë në përballjen e 17-të historike me Tiranën, pas humbjes 1-0 me Laçin, ndërkohë që në statistikat kundër 24-herë kampionëve të Shqipërisë kanë regjistruar vetëm një fitore (2-1. më 25 nëntor 2006).

Në shtëpi gjatë këtij sezoni, Kastrioti ka grumbulluar 14 pikë në 8 ndeshje kundrejt 5 pikëve në transfertë, tregues ky i qartë i faktorit fushë në Krujë. Gjithsesi, në dy vizitat e fundit në “kalanë” e Kastriotit, Tirana ka dalë e fituar: 2-1 dhe 3-0.
Vllaznia-Flamurtari, sfida e skuadrave në krizë

Kur Flamurtari e Vllaznia u përballën gjatë fazës së parë në Vlorë (java e 6-të), kuqezinjtë e Gugash Maganit fituan 2-0, falë dy golave të talentit 18-vjeçar, Odise Roshi.
Por, tani kur është zhvilluar gati gjysma e kampionatit (16 javë) e dy skuadrat notojnë ende në ujërat të turbullta, një tjetër sulmues i talentuar 18-vjeçar, Bekim Bala, ka marrë përsipër misionin e shpëtimit të Vllaznisë dhe trajnerit Roland Luçi.

Thjesht, në “Loro Boriçi”, shikuesit përveç se do të asistojnë në përballjen e 138-të historike midis dy skuadrave, nga ajo e para në vitin 1930 (të fituar nga Vllaznia 2-1), do të shijojnë edhe një duel midis dy prej zbulimeve më të mëdha të këtij sezoni, Bekim Balës dhe Odise Roshit. “Fitorja me Teutën ishte e rëndësishme, sepse na dha qetësinë.

Prandaj jam i bindur se do të fitojmë me Flamurtarin dhe pastaj gjërat kanë për të qenë edhe më mirë për ne. Vllaznia kurrsesi nuk e meriton të jetë në fundin e tabelës”, – deklaroi Bala. Flamurtari me trepikëshin e marrë ndaj Gramozit (2-0) në Vlorë, dëshmoi se ka forca për të dalë nga kriza e pjesës së parë të sezonit, por nëse situata në kampin e Roland Luçit është e qetë, në shtëpinë vlonjate atmosfera është shumë tërësisht e trazuar, nisur edhe nga “tërmeti” kuqezi, ku së pari janë larguar tre futbollistët e huaj.

Slloveni Darko Djukiç (së fundi shënoi gol në fitoren 2-0 kundër Gramozit, 1 gol këtë sezon), mesfushori brazilian Flavio Junior (edhe ky shënoi kundër kolonjarëve, 1 gol këtë sezon) dhe braziliano-kroati Robert Alvizh (2 gola këtë sezon) u përjashtuan për shkak të përformancës së dobët.

Flamurtari, përveç fitores 3-1 kundër Tiranës në kryeqytet në javën e parë të edicionit, në ndeshjet jashtë “Loni Papuçiut” ka regjistruar edhe 2 barazime (kundër Kastriotit, 1-1 dhe Apolonisë, po 1-1), ndërkohë që ka pësuar 5 humbje (më e thella 2-0 me Gramozin në Ersekë).

Fierakët synojnë 3 pikët e qetësisë në këtë fundvit
Apolonia pas humbjes 4-1 me Tiranën në “Qemal Stafa” synon rehabilitimin me Skënderbeun në “Loni Papuçiu” në javën e 17-të (e fundit për këtë vit), ndaj një skuadre të cilën e mundi 3-2 në ndeshjen e fazës së parë të luajtur në Korçë.

Pozitat aktuale të dy skuadrave janë diametralisht të kundërta, Apolonia e katërta dhe Skënderbeu i parafundit, ndërkohë që sfida ka brenda edhe një hakmarrje të vogël nga ana e formacionit të Hasan Likës, pasi ishin korçarët ata që i eliminuan djemtë e Koço Kokëdhimës nga vazhdimi i Kupës së Shqipërisë.

Apolonia në ndeshjen e fundit në shtëpi fitoi 2-0 ndaj Laçit, pikërisht me golat e golashënuesit më të mirë të saj, Mladen Bërkiç, autor i golit të fitores kundër Skënderbeut në fazën e parë.

Skënderbeu i Gerti Haxhiut (një ish-trajner i Apolonisë) ka bilancin më të dobët në transfertë, ku në 8 ndeshje ka pësuar 6 humbje dhe ka marrë 2 barazime, duke qenë edhe skuadra që ka shënuar më pak jashtë shtëpisë, 2 gola.

Kampi korçar është mbërthyer nga polemika të forta brenda grupit, ku deklarimi më i fundit është ai i kapitenit Blendi Shkëmbi (1 gol këtë sezon), i cili është në kërkim të një destinacioni tjetër, ndërkohë që lamtumirën mund ta japin shumë shpejt edhe katër kroatët e ardhur me rekomandimin e vetë Shkëmbit.

Klasifikimi
1. DINAMO 41 pikë
2. BESA (-1) 27 pikë
3. TIRANA 26 pikë
4. APOLONIA 24 pikë
5. TEUTA 22 pikë
6. SHKUMBINI 21 pikë
7. LAÇI 20 pikë
8. KASTRIOTI 19 pikë
9. VLLAZNIA 18 pikë
10. GRAMOZI 15 pikë
11. SKENDERBEU (-1) 14 pikë
12. FLAMURTARI 14 pikë /kohanet

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni