Home » Skijim » Stërvitet në kushte të vështira

Stërvitet në kushte të vështira

“Kemi shumë telashe. Në radhë të parë, skitë janë të dëmtuara dhe nuk janë adekuate për stërvitje.

Garuesit nuk po kanë mundësi t’i blejnë skitë me paratë e tyre”, tha Agim Pupovci, përzgjedhës i kombëtares së Kosovës. Bëhen të ditur emrat e gjashtë skiatorëve që do të shkojnë në Turqi.

Skiatorët e kombëtares së Kosovës stërviten në Qendrën skiatore në Bogë të Rugovës. Kushtet nuk premtojnë stërvitje ashtu si është parashikuar nga përzgjedhësi, pasi që shumica e skive janë të dëmtuara.

“Kemi shumë telashe sa i përket pajisjeve sportive. Në radhë të parë, skitë janë të dëmtuara dhe nuk janë adekuate për stërvitje. Garuesit nuk po kanë mundësi t’i blejnë skitë me paratë e tyre. Prandaj, mungesa e pajisjeve adekuate nuk na premtojnë edhe rezultate ashtu si kemi synim në turneun ndërkombëtar në Kayser të Turqisë.

Edhe në këto kushte besoj se do të përgatitem sa më mirë që të kemi një paraqitje sa më të denjë në turneun ndërkombëtar në disiplinën e sllallomit të vogël, që mbahet nga 6-10 janar në Kayser të Turqisë”, tha Agim Pupovci, përzgjedhës i kombëtares së Kosovës. Sipas Pupovcit, në Bogë nuk ka edhe borë aq të madhe.

“Nuk është bora e trashësisë së duhur për stërvitje, por është më e vogël sesa parashihet për përgatitje. Megjithatë, nuk është edhe pengesë për stërvitje, të cilat shkojnë mirë me gjithë telashe që kemi me skitë të dëmtuara.

Skitë janë mjaft të shtrenjta për xhepin e skiatorëve tanë. Skitë më të lira kushtojnë mbi 800 euro, ndërsa ato që janë më të mira dhe adekuate kushtojnë rreth 1400 euro. Shpresojmë se Ministria e Sportit e Kosovës të ardhmen do të na mbështetë jo vetëm me mjete financiare, por edhe me pajisje sportive. Në këto kushte çfarë i kemi në stërvitje, dorën në zemër po bie cilësia”,- ka thënë Pupovci. Në turneun ndërkombëtar në Kayseri të Turqisë shkojnë katër skiatorë meshkuj dhe dy skiatore femra.

Pupovci tha se te meshkujt në përbërje të kombëtares janë: Albin Tahiri, Dardan Pupovci, Erduan Sefa, Ardian Islami, ndërsa te femrat Dorina Mema e Genta Domi. “Nga skiatorët më së shumti pres prej Dorina Memës e Dardan Pupovcit. Po ashtu ndër garuesit më cilësorë e kemi Albin Tahirin, nga i cili shpresojë të kemi rezultate më të mira, por realisht nuk i njoh cilësitë e tija”, tha Pupovci.

Nga ana tjetër, kryetari i Federatës së Skive të Kosovës, Hajrush Demaj, ka thënë se vitin 2010 i pret një varg aktivitete qoftë kombëtare qoftë ndërkombëtare. “Garuesit tonë në Kayseri do të përpiqen për të fituar pikë të FIS-it kësisoj për t’u renditur sa më lartë në rangun botëror”, tha Demaj.

Numri një i federatës ka thënë se në Turqi, kombëtarja e Kosovës do të ketë një ditë stërvitje dhe dy ditë gara. “Sipas ftesës që kemi skiatorët tanë do të ballafaqohen me garuesit me cilësor të botës. Në këto gara ndërkombëtare të FIS-it kombëtares së Kosovës do t’i bashkëngjitet edhe garuesi i mirënjohur Albin Tahiri, i cili tani është duke ushtruar ne Krajnska Gorë të Sllovenisë”, theksoi Demaj.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati
Etiketat:

Komentoni