Home » Kampionati Italian » Seedorf e Ibra, përballë skuadrës që i bëri yje

Seedorf e Ibra, përballë skuadrës që i bëri yje

Clarence Seedorf dhe Zlatan Ibrahimoviq do të përballen me klubin që mban meritat më të mëdha që janë bërë yje të futbollit. Skuadra e tyre e tanishme, Milani, do të luajë kundër Ajaxit në ndeshjen e javës së dytë të Ligës së Kampionëve në Amsterdam (20.45) – Grupi G.

Seedorf ka fituar katër herë Ligën e Kampionëve, të parin me Ajaxin dhe kjo pikërisht kundër Milanit (1995). Më pas ka ngritur këtë trofe edhe me Real Madridin dhe dy herë me Milanin. Ndërkohë, Ibrahimoviq nuk ka fituar ndonjë trofe të tillë me Ajaxin, por ky klub ia hapi dyert drejt skuadrave më të mëdha evropiane.

“Unë jam bërë yll falë ditëve të mia tek Ajaxi. Ende kam shokë në Amsterdam, por kësaj here nuk po kthehem për kënaqësi, por për t’i fituar tri pikë me Milanin”, ka thënë Ibrahimoviq.
Kampioni i katërfishtë i Evropës, Ajaxi, kampanjën e këtij edicioni në Ligën e Kampionëve e ka nisur me humbje 2:0 në stadiumin “Santigao Bernabeu” kundër Realit. Milani që ka fituar shtatë herë këtë trofe para dy javësh regjistroi fitore kundër ekipit francez Auxerre (2:0).

Seedorf mund të përballet me mikun e tij, Andre Ooijerin i cili para fillimit të këtij edicioni u transferua tek Ajaxi nga ekipi PSV Eindhoven. Ooijer dhe Seedorf kanë luajtur së bashku në gjeneratat e reja të Ajaxit. Seedorf nisi të luajë me Ajaxin në vitin 1992 si 16-vjeçar.

“Për mua, kjo është një mbrëmje shumë e veçantë. Të kthehem sërish në Amsterdam është kënaqësi”, ka thënë Seedorf, që gjatë kësaj vere refuzoi ofertën e Ajaxit për t’u kthyer në folenë e vjetër.

Ibrahimoviq luajti me Ajaxin në periudhën 2001-2004, më pas u transferua te Juventusi, pastaj te Interi, Barcelona dhe tani te Milani. Atij nuk i është dashur shumë për të shënuar. Ka realizuar në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve si dhe në Serie A.

“Ajaxi ka mësuar nga gabimet kundër Realit, kështu që jam shumë kurioz se si do të paraqiten kundër nesh. Pres të jetë një duel madhështor”, shtoi Seedorf.
Milanit për këtë ndeshje pritet t’i mungojë mesfushori brazilian Ronaldinho, kurse tek Ajaxi është rikthyer kapiteni Luis Suarez që mungoi në ndeshjen e parë shkaku i suspendimit.

Trajneri i Olympique Marseilles, Didier Deschamps, gjithashtu do të bëjë një rikthim emocional në stadiumin “Stamford Bridge” kur skuadra e tij takohet me Chelsean në kuadër të Grupit F. Deschamps pati luajtur për ekipin londinez në edicionin 1999-2000.

“Kur iu bashkova Chelseat nga Juventusi ishte një shok. Nuk ishte Chelsea i ditëve të sotme, por ishte një ekip i mirë anglez. Tash ata janë shndërruar në ekip madhështor”, ka thënë Deschamps.
Chelsea po kalon nëpër një krizë të vogël, pasi në javën e shkuar pësoi dy humbje rresht nga Newcastle në garat për kupë dhe nga Manchester City në garat kampionale.

“Kam pasur një mesazh shumë të shkurtër për futbollistët pas humbjes me Cityn. U thashë se kur luani individualisht pësoni humbje, ndërsa kur luani si ekip fitojmë”, tha trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti.

Ekipit londinez në këtë përballje do t’i mungojë sulmuesi Didier Drogba, i cili duhet të presë ndeshjen e kthimit për t’u përballur me ish-ekipin e tij. Ai te ekipi francez bëri emër, ndërsa në vitin 2004 u transferua te Chelsea për 30 milionë euro dëmshpërblim. Londinezët në këtë ndeshje do të jenë edhe pa mesfushorët Frank Lampard e Yossi Benayoun

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni