Home » Boks » Salihu i gatshëm të pajtohet me FBOXK-në për hir të boksit

Salihu i gatshëm të pajtohet me FBOXK-në për hir të boksit

Pjesëmarrësi i trefishtë i Lojërave Olimpike, Aziz Salihu, është i gatshëm t’ua shtrijë dorën e pajtimit zyrtarëve të Federatës së Boksit të Kosovës për hatër të boksit të Kosovës. Kështu ka thënë të hënën në një konferencë për shtyp fituesi i medaljes së bronztë olimpike nga viti 1984.

Kjo kthesë në qëndrimet e tij karshi FBOXK-së vjen vetëm një ditë pasi Përfaqësuesja e Kosovës u paraqit në gara ndërkombëtare me përforcime nga Shqipëria. Salihu thotë se Kosova ka boksierë të mjaftueshëm për të bërë një përfaqësuese të fortë pa ndihmën e askujt.

Ai i ka bërë thirrje edhe ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Lutfi Haziri, të ndërmjetësojë në pajtimin e klubit Prishtina që udhëhiqet nga ai dhe FBOXK-ja.
“Për hir të boksit të Kosovës jam i gatshëm t’ua shtrij dorën e pajtimit zyrtarëve të FBOXK-së dhe të bashkohemi për të arritur suksese në arenën ndërkombëtare.

I bëj thirrje edhe ministrit Haziri të na bashkojë edhe të mos kemi më përçarje. Duhet të ulemi dhe t’i sqarojmë të gjitha gjërat që nga fillimi”, ka thënë Salihu.
Salihu shton se ndien keqardhje që boksierët e Prishtinës nuk ishin të ftuar në Përfaqësuesen e Kosovës për dy ndeshjet e ligës ndërkombëtare “BoxingOne”, ku Kosova shënoi fitore ndaj dy ekipeve hungareze, Vasas (9:5) dhe Debrecen (8:6). Kontribut të madh në këto dy fitore dhanë katër boksierët e Shqipërisë. Në fakt, në meçin e parë ata fituan 5 nga 9 pikët e Kosovës, kurse në të dytin 7 nga 8 pikët.

“Nuk kam qenë i kënaqur që boksierët nga Shqipëria të përfaqësojnë Kosovën. Nuk është se nuk jam patriot, por ne kemi boksierë të talentuar me bollëk. Gjithmonë kemi pasur”, ka thënë Salihu.
Seleksionuesi i Kosovës, Xhevdet Peci, ka arsyetuar ftesën për boksierët e Shqipërisë me faktin se ata të Kosovës janë të rinj dhe duhet ruajtur.
Zyrtarë të FBOXK-së thonë se dyert e Federatës janë të hapura për çdokënd, përfshirë edhe Prishtinën dhe Salihun.
“Në FBOXK secili i ka dyert e hapura, por çdokush duhet t’i përmbahet rregullores që kemi e që është e njëjtë për të gjithë. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë”, ka thënë zëdhënësi i FBOXK-së, Latif Demolli.

Ndërkohë Salihu ka shprehur dëshirën që të kontribuojë edhe në lobim për pranim të FBOXK-së në organizatat ndërkombëtare. Ai thotë se ka emër në botë dhe se kjo duhet të shfrytëzohet.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni