Home » Eurobasket » Sadiku, kosovari i parë në “Euroleague”

Sadiku, kosovari i parë në “Euroleague”

sadiku3Prishtinë, 7 dhjetor – Dy javët e fundit ishin me fat për basketbollistin e ri kosovar Elio Sadiku. 18-vjeçari Sadiku, më 26 nëntor, debutoi në Euroligë, ndërsa të shtunën (dje) edhe në kampionatin francez “ProA”.

Plejmejkeri i gjatë 187 cm aktivizohet për ekipin francez, Entente Orleanses. Në Euroligë debutoi në Stamboll, kundër kampionit të Turqisë, Efes Pilsen. Ai fitoi rastin të luante fare në fund pasi skuadra e tij ishte duke pësuar humbje të thellë. Për më pak se dy minuta sa qëndroi në parket, Sadiku shënoi tre pikë, pati dy asistime dhe një kërcim. Të shtunën në kuadër të javës së dhjetë të Kampionatit francez luajti një minutë në fitoren e Orleanset kundër Rouenit me rezultat të thellë, 104:61. Shënoi dy pikë.

“Nuk kam pritur që kaq shpejt do të debutoj në Kampionatin francez e aq më pak në Euroligë. Në Euroligë fitova rastin pasi ishim duke humbur shumë thellë, ndërsa në kampionat pasi ishim duke fituar shumë thellë. Jam shumë i kënaqur që kam debutuar. Unë po punoj shumë dhe, sa herë të më ofrohet rasti të luaj, do të jap maksimumin për të treguar se jam i gatshëm për nivelin më të lartë”, ka thënë Elio Sadiku të dielën për gazetën. “Jam në formë të mirë dhe pres që në vazhdim të garave të luaj edhe më shumë”.

Elio Sadiku vlerësohet ndër basketbollistët më të talentuar në Francë. Sadiku ka lindur në Gjilan, ndërsa nga viti 1998 jeton në Francë. Ai në korrik iu bashkua Orleansit. Si basketbollist është rritur në klubin e kategorisë së dytë franceze, Saint-Etienne. Në kategorinë e dytë, ProB ka debutuar në edicionin 2007/08, ndërsa ka luajtur edhe në kampionatin e kaluar (2008/09). Me Orleansin ka firmosur për një vit. Sadiku thotë se ka zgjedhur Orleansin në mesin e shumë ofertave.

“Nga ProA më kanë kërkuar ekipet kryesore. Po ashtu më kanë kërkuar edhe ekipi i njohur spanjoll, Unicaja Malaga, ndërsa oferta kam pasur edhe nga ekipet më të mira të Serbisë. Kam zgjedhur Orleansin pasi është klub që ofron mundësi të mëdha për lojtarët e rinj. Qysh tash kam ofertë për të vazhduar kontratën për një kohë më të gjatë”, ka shtuar Elis Sadiku.

Sadiku më herët ka luajtur për përfaqësuesen U-16 dhe U-18 të Francës, ndërsa thotë se nga fillimi i vitit të ardhshëm do të luajë edhe për U-19 të “trekolorëve”. Ai pret që edhe në nivelin senior të mbrojë ngjyrat e Francës.

“Unë kam lindur në Kosovë, por pasi deri më tani kam luajtur për Francën nuk më lejohet që në të ardhmen të aktivizohem për Kosovën. Nëse vazhdoj si deri më tani besoj se nuk do të vonojë edhe ftesa për Përfaqësuesen A të Francës”, ka theksuar Sadiku. Ai pati një paraqitje edhe në rrethin kualifikues të Euroligës. Shënoi tri pikë kundër ekipit belg, Spirou Basket.

Skuadra e Sadikut, Orleans, ka humbur të gjitha gjashtë ndeshjet e luajtur deri më tani në Euroligë dhe është e fundit në Grupin B. Në kampionatin francez “ProA” ka pesë fitore, pesë humbje dhe renditet e nënta.
Sadiku është njëri prej tre basketbollistëve shqiptarë që kanë luajtur në Euroligë këtë edicion. Reprezentuesi i Turqisë, Ermal Kuqo, luan me Efes Pilsenin, ndërsa reprezentuesi i Sllovenisë, Sani Beqiroviq, me Olimpijan e Lubjanës.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati
Etiketat: , ,

Komentoni