Home » Basketbolli i Kosovës » Rrahja në llogarinë e Mustafës

Rrahja në llogarinë e Mustafës

Federata e Basketbollit e Kosovës i ka shqiptuar dënimet për akterët e përfshirë në përleshjen ndërmjet basketbollistëve të Trepçës dhe atyre të Bambit. Këtë incident më së shtrenjti e ka paguar Safet Mustafa, i cili është dënuar përjetë. Klubi serb është dënuar me tri ndeshje pa praninë e shikuesve dhe me 400 euro sa është gjobitur edhe klubi ‘xehetar’. Ndeshja Bambi – Trepça do të luhet më vonë.

Eksesi që ndodhi të dielën mbrëma në Mitrovicë, pak para fillimit të ndeshjes basketbollistike mes Bambit dhe Trepçës, më së shtrenjti i ka kushtuar lojtarit të ‘xehetarëve’, Safet Mustfa.

23-vjeçari është dënuar me moslojë për tërë jetën nga ana e Komisarit të Garave të BKT-Superligës, Hajrullah Rexhepi. Lajmi është bërë i ditur të martën, nëpërmjet një njoftimi të lëshuar për media nga Federata e Basketbollit e Kosovës.

“Safet Mustafa, për sulm fizik me pasoja lëndimi, dënohet me moslojë – përjetë – konform nenit 53 të Propozicioneve të Garave”, thuhet në njoftim e lëshuar të martën nga FBK-ja.

Basketbollisti i ‘xehetarëve’ është gjetur si shkaktari kryesor i përleshjes mes disa lojtarëve të Bambit dhe Trepçës, në të cilin ekses më pas ishin përfshirë edhe disa tifozë mitorivicas.

“Kapiteni i Bambit, Igor Dashiq ia tërheq vërejtjen delegatit të ndeshjes se në rast se lojtari i Trepçës, Safet Mustafa bën më të voglin provokim, atëherë ekipi i Bambit do të tërhiqet nga fusha. Me dëgjimin e këtyre fjalëve, Mustafa sulmon me grushte në kokë lojtarin e Bambit, Igor Dashiq”, thuhet në arsyetimin e FBK-së.

Në anën tjetër, Safet Mustafa nuk ndihet fajtor për eksesin, derisa shpreson që drejtuesit e basketbollit kosovar do ta ndryshojnë vendimin dhe të vazhdojë të merret me basketboll.

“Nuk është vendim i drejtë. Unë nuk kam provokuar në atë rast dhe nuk jam iniciator, por kam rënë viktimë e provokimeve. Kurrë në jetën time nuk kam provokuar, as si basketbollist. Do të ankohem, besoj se do të më mbështesë edhe klubi dhe ky vendim jam optimist se do të ndryshohet”, deklaroi Mustafa për Express.

23-vjeçari beson fuqishëm se krerët e shtëpisë së basketbollit kosovar do ta ndryshojnë vendimin dhe do ta lejojnë atë që të vazhdojë të luajë basketboll, në të cilin sport, Mustafa thotë se ka plane të mëdha.

Sipas Komisarit të Garave, përveç Mustafës, pjesëmarrës në rrahje ishin edhe lojtarët Brahim Veseli dhe Besnik Azemi, të cilët janë gjobitur me nga 150 euro. Ndërsa edhe zyrtari i Trepçës, Naim Hajrizi, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes është gjobitur me 100 euro.

Pa u dënuar nuk ka shpëtuar as Bambi, që ishte organizator i ndeshjes. Ky ekip është dënuar me tri ndeshje pa praninë e publikut. Kurse, me 400 euro janë dënuar tre lojtarë të ekipit serb nga veriu i Mitrovicës.

“Jugosllav Dashiq, për sjellje josportive ndaj shikuesve, dënohet me 100 euro. Millan Dashiq, për pjesëmarrje në rrahje, dënohet me 150 euro. Millosh Dashiq, për pjesëmarrje në rrahje, dënohet me 150 euro”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi, ndeshje mes Bambit dhe Trepçës, e paraparë të luhet fundjavën që e lamë pas, do të zhvillohet më vonë.

Dënojnë incidentin

Disa orë para se Komisari i Garave t’i shqiptonte dënimet për akterët e eksesit që ndodhi të dielën në Mitrovicë, zyrtarë të lartë të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) kanë mbajtur një mbledhje të përbashkët me zyrtarët e Bambit dhe ata të Trepçës.

Të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi njëzëri e kanë dënuar përleshjen që ndodhi në palestrën ‘Minatori’ mes disa lojtarëve të ekipit serb nga Veriu i Mitrovicës, Bambit dhe atyre të Trepçës, e në të cilën më pas ishin përfshirë edhe disa tifozë. Të tri palët kanë konsideruar se incidenti ka rrjedhur nga rivaliteti sportiv dhe se ngjarja nuk mund të cilësohet si ‘dhunë ndëretnike’.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

1 Response to " Rrahja në llogarinë e Mustafës "

  1. sara says:

    oooooooo fore te federates jon kto.qena jonkrejt

Komentoni