Home » Kampionati Anglez » Rikthimi i Halitit

Rikthimi i Halitit

haliti-dLabinot Haliti ka hasur në mikpritje të madhe, pas rikthimit në klubin australian, Newcastle Jets.

Mesfushori kosovar pati disa eksperienca në Evropë, por vendosi të rikthehej aty ku e nisi karrierën. Ai premton se do ta japë maksimumin për ekipin e tij, të cilin dëshiron ta shpërblejë për besimin që ia dha sërish.

Rikthimi i Labinot Halitit në ish-ekipin e tij Newcastle Jets, është mirëpritur në Australi. 24-vjeçari i lindur në Kosovë, kishte arritur në Australi si 14 vjeç, kur familja e tij ishte larguar nga Kosova për shkak të konflikteve me ish-Jugosllavinë në vitet ‘90. Haliti e kishte shfaqur talentin e tij në moshën 16-vjeçare, kur luante për ekipin Sydney Olympic.

Ky sukses e dërgoi atë drejt Sydney Unitedit, një vit më vonë, ku shënoi plot 22 gola për dy sezone. Ai më pas nënshkroi kontratë të re me ekipin Newcastle, në ligën Hyundai A-League in 2005. Haliti e kishte përjetuar mirë sezonin e parë me Jets, që udhëhiqej nga trajneri Richard Money, duke shënuar 4 gola, ku njëri prej tyre do të mbetet gjatë në histori të futbollit australian.

Haliti kishte shënuar një gol të shkëlqyeshëm nga largësia e madhe kundër New Zealand Knights, i cili më pas ishte pretendent për gol të vitit. Më pas, ish-trajneri i Shqipërisë, Otto Baric, i pa disa video-klipe të Halitit duke luajtur në Hyundai A-League dhe e kontaktoi yllin e ri, të cilin e pyeti nëse ishte i interesuar që ta vazhdonte karrierën në Evropë. Dhe, Haliti nuk e lëshoi këtë mundësi.

“Otto Baric është trajner i madh. Ai ishte njëri nga ata që më pa duke luajtur në A-League australiane dhe dëshiroi të më ndihmonte duke me dërguar që të luaja futboll në Kroaci. Mund të them se ai ishte njeri që më ndihmoi shumë. Gjithmonë synim i imi ishte që të shkoja të luaja jashtë Australisë dhe mundësia erdhi kur shkova të luaja në Kroaci, e më pas në Shqipëri për një kohë të shkurtër dhe në Poloni, për disa vjet”, tha ai.

“Atje pata eksperiencë modeste dhe e shijova atë. Më e rëndësishmja ishte se mësova shumë gjëra për futbollin, në dhe jashtë fushës. Ishte një eksperiencë e mirë”, theksoi Haliti për uebfaqen a-league.com.au.

Ish-futbollisti i 2 Korrikut thotë se profesionalizmi i lojës në Evropë kishte diferencë të madhe nga ajo që kishte dëgjuar. Fillimisht, ai nënshkroi me ekipin nga liga e parë kroate, NK Slaven Belupo, ndërsa më pas shkoi te KS Teuta Durrës, ku shënoi tri gola. Kjo i mjaftoi atij që ta marrë një propozim për një kontratë nga klubi i ligës së parë polake, Lodzki KS.

“Kur luan kundër dhe bashkë me lojtarët të cilët kanë luajtur në liga të forta evropiane, mëson shumë nga ta, dhe automatikisht kjo të bën lojtar më të mirë. Gjithmonë mëson se ti duhet ta trajtosh veten që të përgatitesh sa më mirë. Kjo ishte shumë e rëndësishme për mua në karrierën time”, vazhdoi futbollisti kosovar.

Më pas, Haliti konsideroi se ishte koha të lëvizte nga Lodzki KS, dhe njeriu i parë që e thirri ishte trajneri i Newcastle Jets, Branko Culina, i cili e kishte ushtruar kosovarin në Sydney United.

“Të gjitha atributet shkojnë për të (Culina), sepse ai ishte njëri nga ata që ma dha shansin që të rikthehesha në A-League. Unë isha në Poloni, në vitin tim të fundit të kontratës. Por, klubi ra nga liga dhe unë nuk dëshiroja të luaja në një rang më të ulët garash, kështu që e pashë më të arsyeshme që të kthehesha. Branco më telefonoi, mendoj se ishte lëvizje e duhur, në kohën e duhur. Dhe, them se do t’ia shpaguaj atij”, pohoi Haliti.

Mesfushori ofanziv shënoi gol në ndeshjen e tij të parë, që nga rikthimi në Jets kundër Melbourne Victory. Më pas, ai shënoi edhe tre gola të tjerë, për t’u bërë sërish lojtar i rëndësishëm i këtij klubi.

“Javët e shkuara ishin me të vërtetë zbavitëse. Puna ime e madhe ka filluar për play-off. Do të dëshiroja që klubi të kishte ngritje në tabelë, ne po punojmë për këtë. Është kënaqësi e madhe të luash me Michael Bridges. Ai është partner ideal, është lojtar special. Unë mund të mësoj shumë nga ai dhe jam duke u munduar të mësoj. Ai ka luajtur në ekipe të niveleve të larta”, deklaroi Haliti.

Prishtinasi ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me Jetsin. Ai do të mundohet të vazhdojë që të shfaqë lojëra të mira në ligën australiane, Hyundai A-League. “Jam mjaft i lumtur që jam rikthyer në Newcastle dhe mendoj se do t’i shfaq cilësitë e mia në fushë. Kjo është shtëpia ime, është kënaqësi që u ktheva”, përfundoi Labinot Haliti.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni