Home » Kampionati Kosovar » Rikthehet Maxhuni në Hys

Rikthehet Maxhuni në Hys

futboll hysKryetrajneri i deridjeshëm, Luan Prekazi, është emëruar drejtor i shkollës së futbollit Hysi.

Skuadra e futbollit Hysi nga Podujeva ka bërë ndryshime në Shtabin Teknik si dhe në shkollën e futbollit. Drejtori i kësaj skuadre, Arbnor Morina, tha se këto nuk do të jenë edhe risitë e fundit, por në vazhdim do të ketë risi tjera. Hysni Maxhuni, pas një periudhe të shkurtër është rikthyer sërish kryetrajner në KF Hysi, që zë vendin e dytë me 30 pikë në Superligë.

“Në Shtabin Teknik kemi bërë ndryshime. Hysni Maxhuni është emëruar në krye të Shtabit Teknik, ndërsa atij do t’i ndihmojë Fadil Ademi, që për këtë të fundit do të jetë një rast i mirë të dëshmojë veten në këtë zeje të re. Ndërkaq Luan Prekazi do të jetë drejtor i Shkollës së futbollit Hysi. Dëshira e të gjithëve në klub është të kemi një organizim sa më të mirë në shkollën e futbollit dhe për të cilën edhe janë kushtet shumë të volitshme. Infrastruktura e fushës ndihmëse është në përfundim e sipër dhe lirisht mund të them se Hysi ka infrastrukturën më të mirë në Kosovë”, tha Morina.

Drejtori i skuadrës së Hysit i është mirënjohës Prekazit për trofeun e kupës që kanë fituar, njëherësh edhe për punën që ka bërë gjatë stinorit vjeshtor. Kryetrajneri i ri Maxhuni, i cili një kohë të shkurtër gjatë stinorit vjeshtor i ka prirë edhe KF Trepçës nga Mitrovica, ndihet i lumtur që është rikthyer në këtë mjedis sportiv dhe që ka kushtet më të mira në Kosovë.

“Është një kënaqësi e madhe që rikthehem në një skuadër që ka kushte ideale për punë dhe futbollistë të rinj e cilësorë. Arsye që jam kthyer në Hys ka të bëjë me kushte që ka kjo skuadër. Ka infrastrukturën më të mirë, po ashtu edhe fushën ndihmëse të rregulluar dhe e cila është një mundësi të punojë ashtu si mendoj në mënyrë profesionale.

Në klub mosha mesatare e futbollistëve është 22 vjeçare dhe të gjithë janë me kontratë më shumë se dy vjet. Prandaj kjo nënkupton se kanë kontratë të gjatë dhe nuk e kemi atë problem se pas gjashtë muajve mund të largohet ndonjë futbollistë. Kushtet janë ato që Hysin e bëjnë ndër klubet më të organizuara dhe me ambicie të qarta.

Hysi ka futbollistë të ri, të cilën kanë përparuar dhe kanë një nivel të lartë të lojës. Punën që e kam lënë në gjysmë do të vazhdojë me një punë profesionale që të ndërtojmë një skuadër të fortë që kur pranohemi në garat ndërkombëtare të jemi sa më të gatshëm. Fadil Ademi është ndihmës i imi, i cili ka qenë një futbollistë shembull për të tjerë, me një kulturë të lartë e karakter të fortë dhe një profesionistë i vërtetë”, tha Maxhuni.

Sa i përket asaj se Maxhuni disa herë brenda një periudhe ka ndërruar klubet, ai theksoi: “Ndërrime të shpeshta nuk janë të preferuara për mua. Edhe atëherë kur jam larguar nga Hysi, ishte një marrëveshje me Hysin. Sa i përket kontratës lirisht mund të them se është arritur aq sa do pronari të jem në krye të kësaj skuadre.

Synimet e Hysit janë kupa dhe titulli i kampionit të Republikës së Kosovës”. Morina ka thënë se përforcimet kanë marrë fund, por sipas tij nuk përjashtohet mundësia të sjellin edhe ndonjë futbollistë tjetër nga jashtë. Hysi në radhët e veta ka sjellë tre futbollistë: Yll Hoxhën nga Finlanda, Drilon Dragushën e Fisnik Papuçin nga Vëllaznimi. /botasot

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni