Home » Boks » Pesë meçet më të mëdha të boksierëve shqiptarë

Pesë meçet më të mëdha të boksierëve shqiptarë

Prishtinë, 28 dhjetor – Luan Krasniqi, Shpend Abazi e Elvir Muriqi mbërritën deri në finale: luftuan për titull bote, por nuk ia dolën, sado afër që ishin.

Megjithëkëtë, luftërat e tyre mbetën më të mëdhatë që boksierët shqiptarë kanë bërë ndonjëherë. Pos që ishin të vlefshme për tituj të botës, ato u zhvilluan kundër boksierëve legjendarë të kategorive përkatëse, siç është për shembull Antonio Tarver, dikur kampion i trefishtë i botës në kategorinë gjysmë të rëndë.

Boksieri kosovar i kategorisë së rëndë Luan Krasniqi më 28 shtator të vitit 2005 zhvilloi duelin e karrierës. Ai luftoi në Hamburg me amerikanin Lamon Brewster për titullin e botës në versionin WBO. Ky meç u bë edhe më me peshë, pasi u zhvillua në 100-vjetorin e lindjes së legjendës gjermane të boksit Max Schmeling. Krasniqi i premtoi Gjermanisë se do t’ia kthejë titullin e botës në peshën e rëndë, të cilin dikur e kishte mbajtur Schmeling. Dhe Krasniqi ishte bindshëm më i mirë se Brewsteri pas shtatë raundeve. Në të tetin nisi të lëkundet, kurse në të nëntin u dorëzua. Ra në tokë.
“Unë kam dashur ta rikthej titullin e botës në Gjermani. Pata synime të mëdha. Më vjen keq që nuk ia dola”, pati thënë Krasniqi pas duelit. Ky duel e bëri të famshëm Krasniqin në boksin profesionist. Lart pas duelit e vlerësoi Krasniqin edhe Brewsteri. Brewsteri madje ishte aq i rraskapitur nga dueli, saqë për krahu u desh të përcillej nga ringu nga stafi i tij.

“Ai ishte kundërshtar shumë i vështirë. Respekt”, pohoi Brewster.

Boksierit kosovar të kategorisë gjysmë të rëndë Elvir Muriqi më 9 qershor të vitit 2007 iu ofrua mundësia e jetës. Atij iu ofrua një duel me legjendën e boksit Antonio Tarver për titullin IBO. Muriqi nuk zhgënjeu. Ai sulmoi gjatë gjithë duelit Tarverin, shpesh e vuri në siklet. Në fund, pas 12 raundeve gjyqtarët vendosën t’ia japin fitoren Tarverit. Dy nga tre gjyqtarët e vlerësuan luftën me rezultat të ngushtë në favor të Tarverit, ndërsa njëri e vlerësoi baras. Muriqi ende është i bindur se e fitoi atë duel. Madje të njëjtin mendim me të e patën edhe shumë ekspertë të boksit, përfshirë edhe kampionin e botës në kategorinë gjysmë të rëndë, Chad Dawson.
“Unë kam mposht një legjendë siç është Antonio Tarver. Gjatë gjithë duelit kam dominuar, rreth 2:50 minuta të çdo raundi më kanë takuar mua, ndërsa ai në dhjetë sekondat e fundit tregonte pak aktivitet”, pati thënë Muriqi pas këtij dueli.

Boksieri shqiptar Shpend Abazi më 23 shkurt të vitit 2007 në Copenhagen të Danimarkës luftoi për titullin e botës në versionin IBF – kategoria pendël kundër boksierit të famshëm të kësaj kategorie, Robert Guerrero. Abazi dështoi që të marrë në pronë titullin e botës. Guerrero e rrëzoi Abazin një herë në raundin e tretë dhe një herë në të pestin. Në raundin e nëntë këndi i Abazit ndërpreu duelin për shkak të një plage që kishte marrë Abazi në syrin e djathtë.
“Gjaku më pengonte vazhdimisht. Ishte një vendim i mirë ndërprerja e duelit. Kam dhënë të gjitha, mirëpo nuk arrita të fitoja titullin”, tha Abazi.
Për Abazin kjo ka qenë lufta e fundit si profesionist. Ai e mbylli karrierën në boksin profesionist me 35 fitore (10 KO) dhe dy humbje.
“Ishte një luftë e mirë dhe e vështirë. Ai ka luftuar vërtetë fortë. Më ka befasuar”, pati thënë amerikani Guerrero.

Elvir Muriqi pati punë edhe me një legjendë tjetër të boksit. Më 14 shkurt të vitit 2009 u përball me ish-kampionin e botës në peshën gjysmë të rëndë, britanikun Cliton Woods. Ky duel ishte eliminator për titullin e botës në versionin IBF. Dueli u zhvillua në ishullin Jersey të Britanisë së Madhe. Muriqi e humbi këtë duel me pikë, pas 12 raundeve.
“Nuk arrita të akomodohem mirë. Për këtë edhe nuk isha në gjendje të jap më të mirën nga vetja. Por, prapë kam treguar luftë të madhe. Woods ka fituar, por fitorja duhej të ishte shumë më e ngushtë kur të shikohen pikët. Mirëpo kur je mysafir e ke kështu. Ai sa herë jepte një goditje, tifozëria e bënte atë më të madhe se që ishte në të vërtetë”, u pat arsyetuar Muriqi.

Boksieri i kategorisë “cruiser”, Nuri Seferi, ishte shumë pranë të befasonte ish-kampionin e botës në kategorinë e rëndë, britanikun Herbie Hide. Dueli mes Seferit dhe Hidet u zhvillua më 4 korrik të vitit 2008 në Ankara të Turqisë. Në konferencë, një ditë para meçit, të dy boksierët ishin fjalosur. Madje Hide i kishte bërë ofertë Seferit që fituesi të merr paratë e parapara për të dy boksierët. Seferi në sekondat e para të duelit ia dha një goditje të fuqishme Hidet dhe e rrëzoi në dysheme. Seferi ishte afër të përfundonte punë edhe në dy-tri raste tjera gjatë duelit. Mirëpo, në fund fitorja i takoi britanikut Hide me vendim të gjyqtarëve. Dueli ishte i vlefshëm për titullin WBC Internacional.
Seferi gjatë karrierës së tij boksoi edhe me kampionin e tashëm të botës në kategorinë “cruiser”, boksierin me prejardhje kosovare Marco Huck (Muamer Hukiq). Seferi e pati humbur edhe atë duel të zhvilluar më 3 qershor 2006.
Nuri Seferi ka rrëmbyer titullin mesdhetar të versionit WBC në kategorinë “cruiser”. Ai të shtunën mbrëma në Vjenë mposhti me nokaut në raundin e pestë hungarezin Tamas Polster. Për Seferin kjo ishte fitorja e 26 në karrierë (18 KO), ka edhe gjashtë humbje.
“Desha të mbylli vitin në mënyrë të suksesshme dhe ia arrita”, ka thënë Seferi pas meçit, përcjell “boxalb.com” të dielën.
Në parameç shënoi fitore edhe vëllai i Nuriut, Sefer Seferi, që mposhti me nokaut më raundin e tretë kroatin Tomislav Grgiq. Për Sefer Seferin kjo ishte fitorja e dhjetë në profesionizëm nga po aq duele. Nëntë nga fitoret i ka shënuar me ndërprerje.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni