Home » Kampionati Kosovar » Pas 18 vjetëve rikthehet titulli

Pas 18 vjetëve rikthehet titulli

Klubi me traditë të futbollit, Trepça nga Mitrovica, ka nisur kremten që nga e mërkura për titullin e kampionit të ri.

Dy javë para përfundimit të Raiffeisen Superligës së Kosovës, Trepça ka siguruar titullin, pasi ka gjashtë pikë më shumë se i dyti, KEK-u nga Kastrioti.

E tërë Mitrovica feston së bashku me adhurues. Adhuruesit e Trepçës së bashku me futbollistët e kësaj skuadre të traditës kanë kremtuar titullin para kohe deri në orët e mëngjesit të së enjtes. Këtë e ka thënë edhe kryetrajneri i Trepçës, Gani Sejdiu, i cili është më i lumtur se kurrë që për herë të parë në karrierën e tij si trajner fiton edhe titullin e kampionit me një klub me emër dhe traditë të gjatë të futbollit. Gani Sejdiu, titullin e parë me Trepçën e ka shijuar në vitin 1992-93, por atëherë si futbollist i kësaj skuadre.

“Shumë mirë e ndjejë veten. Është titulli i parë për mua në zejen e trajnerit. Është kënaqësi të bëhesh kampion me një klub që ka traditë”, tha Sejdiu. Ai tha se e treta megjithatë doli e vërteta.

“Në vitin 2004 isha shumë afër si trajner që të stolisem me dy trofetë: kupën dhe titullin e kampionit. Atëkohë isha trajner në KF Trepça ’89, e cila sot është në ligën e parë. Patëm zënë vendin e parë në kampionatin e rregullt, por në garat e play-offit, katër javë pa përfunduar play-offi pata disa mosmarrëveshje me kryesinë e klubit dhe dhashë dorëheqje. Pa dorëheqjes sime fatkeqësisht klubi nuk arriti këtë synim. Por tashmë, me klubin e Trepçës arrita të bëhem kampion, që thotë një fjalë e popullit: E treta e vërteta”, tha Sejdiu.

Kryetrajneri Sejdiu ka pasur një kampionat i interesant me Trepçën. E nisi mbarë me Trepçën, por në javën e tetë pati dhënë dorëheqje të parevokueshme, duke e lënë në vend të parë skuadrën. Në vend të tij pati ardhur Nazmi Rama, i cili udhëhoqi skuadrën vetëm tetë ndeshje.

“Edhe Nazmi Rama kur e lash unë për tetë javë e udhëhoqi mirë. U ktheva prapë në krye të klubit në javën e 16-të dhe jam edhe tashmë në krye. Me Trepçën jam qe 23 javë si trajner dhe jemi në krye me 56 pikë. Tash si trajner pres edhe dy javët e fundit me KEK-un në Kastriot dhe me Besën në Mitrovicë dhe të kremtojnë titullin. Më pas jam trajner i lirë sepse më skadon kontrata”, tha Sejdiu.

Sipas tij, Trepça ka filluar tashmë të përgatitet për kremten e madhe të javës së 33-të.

“Në javën e fundit në ndeshjen me Besën do ta mbushim stadiumin plot e përplot shikues dhe do t’i ngjajë atmosfera sikur në stadiumet evropiane. Trepça se bashku me ‘Torcidën’ dhe tërë qytetin e Mitrovicës do të kremtojnë titullin e parë të pasluftës”, ka thënë Sejdiu.

Ai tha se ky ka qenë kampionati më cilësorë i pasluftës dhe pothuajse shumica e skuadrave kanë pasur një cilësi të përafërt.

“Trepça arriti të jetë e para sepse ka pasur lojë stabile për gjithë kampionatin. 90 për qind të kampionatit kemi qenë në vend të parë dhe e kemi merituar titullin. Është klub që nuk ka pasur edhe ndërrime të shpeshta të futbollistëve, por as të trajnerëve dhe në fund u finalizua me kurorën e titullit”, tha Sejdu.

Trepça pas 18 vjetëve riktheu titullin në Mitrovicë ose është titulli i gjashtë që se ekziston ky klub me traditë.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni