Home » Kampionati Kosovar » Ngec Hysi, Prishtina me lehtësi mposht Ferizajn

Ngec Hysi, Prishtina me lehtësi mposht Ferizajn

Hysit i është vështirësuar rruga në luftë drejt titullit të kampionit, pasi është mposhtur në Pejë nga Besa me rezultat 3:2. Tani bardhezinjtë e shohin veten nëntë pikë larg liderit të Superligës, Prishtina, e cila pa vështirësi e mposhti Ferizajn. Ndërsa Flamurtari assesi nuk po e shijon dritën e kësaj pranvere. Kuqezinjtë e pësuan humbjen e katërt rresht nga Trepça ’89.

Hysi u ndal në Pejë në rrugën drejt titullit të kampionit, pasi u mposht nga Besa me rezultat 3:2 në derbin e xhiros së 21-të të Superligës. Këtë gabim të bardhezinjve nuk e lëshoi pa e shfrytëzuar Prishtina, e cila me lehtësi e mposhti Ferizajn. Kështu, bardhekaltrit e kanë përforcuar pozitën e parë të tabelës me nëntë pikë më shumë sesa përcjellësi i saj i parë, Hysi. Ndërsa Flamurtarit iu kanë vështirësuar edhe më shumë punët në luftën për mbijetesë. Ndërsa, Trepça ’89 ua shkaktoj humbjen e katërt rresht kuqezinjve nga Prishtina.


Besa – Hysi 3:2

Hysi ka marrë në thua në Pejë në rrugën drejt titullit të kampionit. Bardhezinjtë janë mposhtur nga Besa me rezultat 3:2 në ndeshjen derbi të xhiros së 21-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, e cila është zhvilluar të mërkurën. Pejanët kanë kaluar në epërsi të parët me rezultat 1:0 në minutën e 18-të me golin që e ka shënuar Blerim Hysenlekaj. Pas këtij goli, Hysi i ka pasur tri raste ideale për ta barazuar rezultatin, dy prej të cilave nuk i shfrytëzoi Rexha dhe një tjetër Sahiti. Megjithatë, mysafirët ia dolën t’i barazojnë shifrat në 1:1 në minutën e 49-të nëpërmjet Benis Krasniqit. Katër minuta më vonë, Hysi kaloi në avantazh prej 1:2 me golin që e shënoi Enis Zabërxha. Por, në minutën e 65-të, Besa u kundërpërgjigj nëpërmjet Mensur Durakut, i cili shënoi duke e barazuar rezultatin në 2:2. Ndërsa fitoren pejanëve ua siguroi goli i Egzon Gashit, të cilin e realizoi në minutën e 73-të. Me këtë fitore, Besa është rikthyer në pozitën e tretë të tabelës, derisa Hysi sërish humbi hapin në luftë për titull, pasi tani ka nëntë pikë më pak sesa lideri, Prishtina.

Prishtina – Ferizaj 3:1

‘Kiksin’ e Hysit mjaft mirë e ka shfrytëzuar favoriti kryesor për titull, Prishtina, që e mposhti në kryeqytet me rezultat 3:1 Ferizajn, skuadër kjo e cila sipas të gjitha gjasave do të largohet nga Superliga në fund të kampionatit. Në fakt, ferizajasit befasuan të parët duke kaluar në avantazh prej 0:1 me golin e Salihut, që e shënoi në minutën e 14-të.
Por, bardhekaltrit u kundërpërgjigjën në minutën e 17-të nëpërmjet Besnik Krasniqit, i cili shënoi për 1:1.
Ndërsa Prishtina kaloi për herë të parë në avantazh në minutën e 37-të, me golin që e realizoi Faton Zejnullahu. Fitoren ekipit kryeqytetas ia vulosi goli i Suad Saliagiqit, që e shënoi në minutën 64-t për rezultatin përfundimtar 3:1. Me këtë fitore, prishtinasit e përforcojnë pozitën e tyre të parë në radhitjen tabelore.

Vëllaznimi – KEK-u 1:1

Vëllaznimi i rrezikuar nuk ka mundur ta fitojë më shumë se një pikë në duel me KEK-un, pasi ky takim ka përfunduar baras, 1:1. ‘Eketricistët’ kanë kaluar të parët në epërsi prej 0:1 me golin që e ka realizuar Sokoli në minutën e 71-të. Kurse vendasit i barazuan shifrat në 1:1 në minutën e 83-të me golin që e ka shënuar Myrtaj.

Trepça ’89 – Flamurtari 3:1

Flamurtari assesi nuk po ia del të këndellet. Kuqezinjtë tani janë rrezikuar edhe më shumë për t’u larguar nga elita e futbollit kosovar, pasi pësuan humbjen e katërt rresht në Mitrovicë nga Trepça ’89 me rezultat bindës 3:1. Dy gola për mitrovicasit në këtë takim i ka shënuar Armend Zabërxha, kurse një tjetër e ka realizuar Ibrahim Peci. Ndërsa golin e vetëm për Flamurtarin e ka shënuar Përparim Livoreka.

Drenica – Ballkani 2:0

Drenica ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në luftë për mbijetesë, pasi e mposhti skuadrën tjetër të rrezikuar, Ballkanin, me rezultat 2:0. Golin e parë për kuqezinjtë e ka shënuar Besim Bajraktari në minutën e 64-t, kurse të dytin e ka realizuar Taulant Dajaku nga penaltia në minutën e 77-të. Me këtë humbje, Ballkanit iu kanë ndërlikuar edhe më shumë punët për të mbijetuar në Superligë.

Liria – Trepça 3:1

Liria e ka mposhtur kampionin aktual, Trepça, me rezultat bindës 3:1. Luigj Buqaj, Ramadan Kryeziu dhe Fatih Karahoda e kanë shënuar nga një gol për ekipin vendas, derisa golin e vetëm për Trepçën në këtë takim e ka realizuar kapiteni Elvis Osmani.

Raiffeisen Superliga

Tabela
1. Prishtina — 48 pikë
2. Hysi— 39
3. Besa— 33
4. Liria — 33
5. Trepça — 31
6. Trepça ’89 — 31
7. KEK-u — 29
8. Drenica — 25
9. Vëllaznimi — 23
10. Ballkani — 22
11. Flamurtari — 20
12. Ferizaj — 14

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni