Home » Kampionati Kosovar » Në Trepçë, në vend të kontratave “lidhet” besa

Në Trepçë, në vend të kontratave “lidhet” besa

Skuadra kampione e Raiffeisen Superligës, Trepça, këtë edicion ka ndërruar praktikën e saj të funksionimit në raport me lojtarët.

Tani nuk lidh më kontrata me ta, por vetëm “besë”. Kryetari i klubit mitrovicas, Nexhmedin Haxhiu, thotë se të gjithë lojtarët e Trepçës luajnë pa kontrata, me përjashtim të Liridon Ahmetit e Suad Përtinacit që para një viti e kusur patën firmosur kontrata dyvjeçare dhe ato vazhdojnë të jenë në fuqi deri në fund të këtij stinori, shkruan  “Koha Ditore”.

Haxhiu thotë se kështu ka vendosur të veprojë për të mirën e futbollistëve, të cilët mund të largohen nëse kanë ndonjë ofertë të mirë jashtë Kosovës në çdo kohë.

“Te ne asnjë futbollist nuk ka kontratë, nuk u kam ofruar të firmosin me përjashtim të dy lojtarëve që më herët kanë firmosur dhe kanë obligim ndaj klubit deri në fund të këtij edicioni. Është e kotë edhe nëse firmosim me futbollistët, sepse nëse u vjen rasti për të nënshkruar diku jashtë nuk mund t’i ndalosh dhe është mëkat”, ka deklaruar Haxhiu. “Sa i përket Kosovës nuk i frikësohem konkurrencës nga asnjëra skuadër për ndonjë lojtar dhe për këtë arsye futbollistët tanë janë pa kontrata. Edhe futbollistët kanë pranuar të luajnë pa kontrata, pasi është përparësi për ata se mund të shkojnë të papenguar jashtë”.

Haxhiu insiston se lojtarët e Trepçës paguhen me rregull dhe më së miri në Kosovë, andaj nuk druan se ndonjë lojtar mund të ikë në ndonjë skuadër tjetër kosovare edhe pse nuk kanë kontratë.

Mesfushori i kësaj skuadre, Bardhyl Kaqiu, thotë se në Kosovë është e kotë që lojtari të firmosë kontratë më afatgjatë. Sipas tij, nuk ka ndonjë përfitim nga kjo. Ai preferon të merret vesh me klubet për çdo gjashtë muaj dhe para çdo marrëveshjeje të re provon fatin jashtë Kosovës në ndonjë klub.

“Për futbollin kosovar është më mirë të veprohet kështu, pra kontrata sa më të shkurtra apo pa kontrata fare. Nuk ka ndonjë fitim të madh nëse firmos kontratë dy apo tre vjeçare”, u shpreh Kaqiu. “Nëse nuk ke kontratë, atëherë pas gjashtë muajsh ndoshta fiton rastin të dalësh diku jashtë vendit, nëse jo ulesh sërish me klubin për të arritur marrëveshje të re”.

Në Kosovë ka tre lloj futbollistësh: një, me kontrata profesionale ku çdo gjë është transparente mes palëve; dy, kontrata amatore ku nuk tregohet shuma, por vetëm kohëzgjatja dhe të tjera detaje jo shumë të rëndësishme dhe tre, të tillë që luajnë pa kontrata fare, si rasti i atyre të Trepçës dhe shumë të tjerëve në Kosovë. Federata mbron vetëm futbollistët me kontrata profesioniste për ato që kanë deklaruar, të tjerët i llogaritë amatorë.

“Është e drejtë e klubit të vendosë për llojin e kontratës, por duhet pasur parasysh se futbollisti mund të largohet pa pëlqimin e klubit. Klubet vetë rrezikojnë të mbajnë në radhët e veta lojtarët pa kontrata, që llogariten amatorë”, u shpreh Salihu. “Në shumicën e vendeve ekzistojnë vetëm kontratat profesioniste, por ato nuk janë të kushtëzuara nga FIFA dhe UEFA”.  /kohaditore

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni