Home » Hendboll » Muçolli: Do të investojmë më shumë

Muçolli: Do të investojmë më shumë

hendbolliE kemi pasur rastin e fundit, o të fitojmë, o t’i çojmë lartë duart dhe të dorëzohemi në luftë për titullin e kampionit”, tha Arben Muçolli, kapiten i KH Besa Famiglias nga Peja.

Të gjithë hendbollistët e Besa Famiglias nga Peja janë të gëzuar shumë pas fitores që shënuan me rezultat 32:28 kundër liderit të tabelës, Kastriotit nga Ferizaj. Fitore që ringjalli ish-kampionin e gjashtëfishtë të pasluftës dhe e futi në vallen në luftë për titullin e kampionit. Pejanët e nisën kampionatin jo aq mirë, u mbajtën ashtu si munden dhe në javën e 10-të shpërthyen në ndeshjen kryesore të kampionatit kundër Kastriotit. Më shumë frikë, të matur i hynë takimit me Kastriotin, por që në fund dolën triumfues. “Para ndeshjes kemi bërë të gjitha matematikat.

Kemi llogaritur se në rast të fitores do të hyjmë në valle për titull, po ta kishim humbur ndeshjen çdo gjë do të përfundonte për ne. Deshi zoti e fituam ndeshjen. Ç’ është e vërteta luajtëm më mirë, dëshmuam angazhim dhe përqendrim gjatë tërë ndeshjes. Shfrytëzuam gabime e rivalit, të cilët humbën shumë topa. Skuadra jonë me dinakëri shfrytëzoi gabimet e Kastriotit dhe i ndëshkuam vazhdimisht. Kastriotin e kemi favorizuar para ndeshjes, por gjatë lojës u dëshmuam të fortë dhe të parët i shkaktuam humbje. Mirëpo, duhet thënë edhe një fakt, Kastrioti ka qenë edhe ashtu i tronditur pas humbjes së lartë në kupën e fituesve të kupave evropiane nga skuadra gjermane, Gummersbach. Edhe kjo ka qenë njëri prej faktorëve që ka demoralizuar ferizajasit dhe që e kemi shfrytëzuar për mrekulli këtë rast si skuadër”, -tha Muçolli.

Prishtina i prijnë kreut të tabelës me 17 pikë, duke e pasur një ndeshje më shumë se Kastrioti që zë vendin e dytë me 16 pikë dhe Besa Famiglia renditet e treta me 12 pikë. Muçolli ka thënë se kjo fitore ka hapur rrugët edhe për investime nga ana e kryesisë. “Kryesia jonë tash do të investojë më shumë dhe ka arsye shumë të fortë. Kjo fitore ka ngritur moralin në përgjithësi dhe na bënë me ambicie bindëse që ta rikthejmë titullin në Pejë”, tha Muçolli. Pejanët shikojnë mundësit të përforcohen që t’i realizojnë synimet në stinorin pranveror. “Patjetër që duhet përforcuar radhët sidomos me një sulmues të djathtë. Në këtë pozitë kemi mangësi të mëdha dhe kjo po reflektohet në ndeshjet kampionale. E kemi angazhuar më herët në këtë pozitë hendbollistin Ylber Mjekun, mirëpo për shkaqe shëndetësore ai nuk ka mundur ta ndihmojë skuadrën. Skuadra e jonë është në kërkim të një hendbollistit të kësaj pozite që do të kompletoi skuadrën. Kështu që, Besa Famiglia në stinorin pranveror do të jetë shumë e fortë”, theksoi Muçolli. Kryetrajner i pejanëve është ish-hendbollisti i mirënjohur boshnjak, Jasmin Mërkonja, i cili me punën që po e bënë po krijon skuadër kompakte dhe të denjë.

Rezultatet e deritashme janë edhe meritë e tij së bashku me kapitenin Muçolli. “Tashmë e kemi derbin e radhës. Të mërkurën takohem me kampionin në fuqi, Prishtinën. Forma jonë maksimale premton rezultat të favorshëm në kryeqytet mbase edhe triumf të plotë. Në tërësi jemi të mobilizuar dhe shkojmë t’i shkaktojmë humbje edhe Prishtinës”, nënvizoi Muçolli. /botasot

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni