Home » Karate » Majlinda Kelmendi “kërcënon” Rusinë

Majlinda Kelmendi “kërcënon” Rusinë

Majlinda Kelmendi “kërcënon” RusinëMajlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe trajneri i tyre, Driton Kuka të premten kanë marrë rrugën drejt Rusisë, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të xhudos, i cili do të zhvillohet prej 25 deri më 31 gusht.

Në fakt, Kosovën në Botërorin e Rusisë do të duhej ta përfaqësonin edhe Distria Krasniqi e Akil Gjakova, shkruan gazeta Zëri. Këta dy të fundit kishin aplikuar për t’u pajisur me viza, por kërkesat e tyre janë refuzuar nga autoritet ruse, për shkak se Rusia lëre që nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, por është njëra prej kundërshtareve më të mëdha të Pavarësisë së Kosovës.

“Është mëkat dhe gjynah që dy sportistë si Akili dhe Distria të mos marrin pjesë në Botëror shkaku i vizave. Kemi ushtruar me ta gjatë tërë vitit dhe në fund të mbeten në shtëpi, kjo nuk është e drejt”, deklaroi për “Zërin” Driton Kuka, i cili tregoi se qysh para tre muajsh me ekipin e tij kanë aplikuar për viza, por s’kanë marrë përgjigje.

Pavarësisht kësaj, rusët nuk kanë mundur ta pengojnë hyrjen në Rusi të Majlindës, Norës e Dritonit, pasi këta të tre e kanë shfrytëzuar alternativën e dytë, duke ia mësy Moskës me pasaporta të Shqipërisë, raporton Zëri, pasi siç dihet, këto dy xhudiste dhe trajneri i tyre kanë edhe pasaporta shqiptare.

Falë këtij “luksi”, Majlinda, Nora e Dritoni kanë udhëtuar më të qetë drejtë Rusisë, madje të përqendruar vetëm në sfidat garuese që i presin. Për t’i kaluar sa më lehtë e me sukses ato, reprezentuesit kosovarë, të udhëhequr nga super-trajneri Kuka, kanë stërvitur qe një kohë të gjatë nëpër vende të ndryshme, të cilat kanë shkuar mirë.

“Ka qenë një cikël i gjatë përgatitjesh, i cili ka zgjatur tre muaj. Përgatitjet i kemi filluar në Kosovë, më pas kemi vazhduar në Gjermani dhe në Slloveni. Ndërkohë ishim edhe në Antalia të Turqisë, në një kamp. Mendoj se kemi ushtruar në nivel të duhur dhe jemi gati”, theksoi Kuka.

Majlinda, për medalje

Driton Kuka është i vetëdijshëm se gara në Rusi do të jetë shumë e fortë dhe tepër sfiduese për Majlinda Kelmendin e Nora Gjakovën. Por, trajneri pejan, bashkë me dy sportistet shumë të suksesshme kosovare, thekson Zëri, tashmë kanë bërë përvojë të madhe në kësi gara.

Andaj, Kuka beson në sukses. Shpresat më të mëdha të tij, sikurse gjithë Kosovës, janë te më e mira aktualisht në botë, Majlinda Kelmendi. Kjo e fundit do të përpiqet të kthehet në vendlindje nga Rusia si kampione botërore.

“Majlinda do të synojë të fitojë medalje, mundësisht të artën. Sidoqoftë, ky është Botëror dhe mund të ndodh gjithçka, si zakonisht, prandaj një medalje për të do të ishte mrekulli, për ne dhe për të gjithë shqiptarët”, tha Kuka në bisedë me “Zërin”.

Ndërsa, pritjet e Kukës që Nora të fitojë medalje në këtë Botëror, janë të vogla.

“Nora ka qenë e lënduar dhe e ka zhvilluar vetëm një turne, i cili nuk është i mjaftueshëm për të marrë pjesë në Botëror. Por, për të me rëndësi do të jetë të marrë pjesë në këtë eveniment dhe ta rifitojë ndjenjën e të marrit pjesë aty. Për të me rëndësi do të jetë t’i fitojë pikët e mjaftueshme që nevojiten për normën olimpike”, shpjegon Kuka.

Objektiv i Kukës do të jetë që të punojë sa më shumë me garuesit e tij, me synimin që ata t’i grumbullojnë pikët e mjaftueshme olimpike për të marrë pjesë në Olimpiadën e Rios me katër garues: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Akil Gjakova e Distria Krasniqi./ Zëri/

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni