Home » Futboll » Koha për shitje, në Real Madrid

Koha për shitje, në Real Madrid

Real Madrid po mendon t’i shesë 6 futbollistë gjatë afatit kalimtar të janarit, për ta balancuar sadopak buxhetin, pas shpenzimeve marramendëse në verë për blerjen e yjeve botërore. Në “listën e zezë” të klubit madrilen janë: M. Diarra, Van Nistelrooy, Gago, Dudek, Drenthe e Metzelder.

Pas shpenzimeve marramendëse gjatë verës, Real Madrid po mendon që gjatë afatit kalimtar të janarit t’i shesë disa futbollistë në mënyrë që ta balancojë sadopak buxhetin. Presidenti madrilen, Florentino Perez, gjatë verës shpenzoi plot 250 milionë euro, duke sjellë në ekip yje të klasit botëror si Cristiano Ronaldo, Leite Kaka, Karim Benzema, Xabi Alonso etj.

Më shumë se klubi spanjoll nuk shpenzoi askush. Ai i theu të gjitha rekordet botërore të shpenzimit në futbollistë, siç ishte rasti i portugezit Ronaldo, i cili kushtoi 96 milionë euro.

Sipas të përditshmes spanjolle El Mundo Deportivo, Real Madrid gjatë janarit planifikon t’i shesë 6 futbollistë. Dhe, pa dyshim se klubet e mëdha evropiane do ta mundohen ta shfrytëzojnë rastin për ta marrë njërin nga këta futbollistë në skuadrën e tyre.

‘Lista e zezë’ e Galacticos fillon me mesfushorin Mahamadou Diarra. Ish futbollisti i Lyon, 28 vjeçari nga Mali kërkohet nga klube angleze. Ai nuk ka minutazh të duhur këtë sezon, ndërsa sezonin e kaluar e përshkuan lëndimet e njëpasnjëshme.

I dyti që mund t’i thotë lamtumirë kryeqytetit spanjoll është ish futbollisti i Manchester United, Ruud van Nistelrooy. Sulmuesi veteran dëshiron të luajë më shumë për të shpresuar që të luajë në Botëror, e këtë mundësi vështirë që mund t’ia japë Reali. Kështu që ai në janar mund t’i bashkohet njërit prej dy klubeve të interesuar për të: Tottenham Hotspur ose Roma.

Në listë është futur edhe argjentinasi Fernando Gago. Ky mesfushor ka zhgënjyer sivjet me paraqitjet e tij, kur i është dhënë rasti. Duke e ditur faktin se Real ka mesfushorë të tjerë të qendrës më të mirë, hapësira për të sa vjen e zvogëlohet. Andaj mund të lihet i lirë në janar, për ta zgjedhur destinacionin e ardhshëm.

As ish portieri i Liverpool, Jerzy Dudek nuk e ka pozitën më të mirë. Prej se është transferuar në klubin madrilen tri vjet më parë, ai ka luajtur shumë pak, duke e ditur formën e portierit të pazëvendësueshëm Iker Casillas. Portieri polak kishte planifikuar largimin gjatë verës së kaluar- edhe këtë verë – por një gjë e tillë mund të ndodhë në janar.

I pesti në listë është holandezi Royston Drenthe, i cili luan në pozitën e mesfushorit dhe të mbrojtësit të djathtë. Ai nuk bën pjesë në planet e trajnerit Pellegrini, prandaj njëri nga ekipet si Fiorentina, Milan apo Chelsea mund të përfitojë nga rasti në janar për ta transferuar holandezin e ri.

I gjashti dhe i fundit është mbrojtësi gjerman Christoph Metzelder. Përfaqësuesi gjerman nuk ka bindur asnjëherë se meriton të luajë në formacionin bazë prej transferimit të tij nga Borussia Dortmund në vitin 2007. 29 vjeçari mund të rikthehet në atdhe gjatë afatit kalimtar të janarit.

Duket se gjatë janarit ‘spastrimit’ do t’i shpëtojë mesfushori i shumë përfolur Rafael van der Vaart, i cili do të qëndrojë në Madrid së paku deri në qershor të vitit të ardhshëm./gazetaexpress

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni