Home » Kampionati Kosovar » Hysi i afrohet titullit

Hysi i afrohet titullit

Hysi i është afruar shumë afër titullit të kampionit pas fitores me rezultat 2:3 ndaj Lirisë dhe humbjes që e pësoi Prishtina nga Trepça me rezultat 1:0. Prizrenasit u ankuan në referim, sipas të cilëve, gjyqtari Muhedin Ferati ia dhuroi fitoren liderit të Superligës

Hysi i është afruar shumë afër titullit të kampionit, pasi të enjten në Prizren e mposhti Lirinë me rezultat 2:3, në kuadër të xhiros së 30-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Fitoren ekipit bardhezi ia dhuruan golat të cilat i shënuan Zabërxha në minutën e 3-të, Rexha në minutën e 47-të dhe Zhdrella në minutën e 72-të. Kurse, për Lirinë realizues të golave ishin Kryeziu në minutën e 8-të dhe Karahoda në minutën e 69-të.

Por, duhet theksuar se vendasit nga minuta e 51-të kanë luajtur me një lojtar më pak, pasi Çakallin e përjashtoi nga loja gjyqtari kryesor, Muhedin Ferati, duke e ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë. Ky veprim i Feratit ngjalli reagime në bankinën e Lirisë, me ç’rast Ferati e përjashtoi nga loja edhe trajnerin e ekipit nikoqir, Behajdin Gjinalin. Madje, Ferati vendasve ua ndau gjashtë kartonë të verdhë, kurse mysafirëve vetëm një të tillë. Të pakënaqur me referim, loja edhe u tensionua.

Pas ndeshjes, trajneri i prizrenasve, Gjinali tha se fitoren Hysit ia dhuroi pikërisht referi Muhedin Ferati, i cili edhe në të kaluarën është quajtur ‘referi i Hysit’ nga anëtarë të klubeve të tjera.

“Sot nuk fitoi Hysi, por fitoi gjyqtari Muhedin Ferati, i cili ia prishi imazhin këtij takimi. Ai me veprimet e tij tensionoi situatën dhe me vendime arbitrare ndikoi në golat e pësuar. Me gjyqtarë të këtillë nuk shkon futbolli përpara, përkundrazi. Ne deshëm ta braktisim lojën, por ndërhyri Bordi dhe kërkoi të vazhdojmë”, deklaroi Gjinali. Kurse, trajneri i Hysit, Fadil Ademi deklaroi se ekipi i tij me meritë fitoi tri pikë të reja nga kjo përballje.

Me këtë fitore, Hysi është shkëputur në vendin e parë të tabelës me katër pikë më shumë sesa përcjellësi i parë, Prishtina.

Trepça – Prishtina1:0

Prishtinës i janë zvogëluar shumë gjasat për ta fituar titullin e kampionit, pasi u mposht në Mitrovicë nga kampioni aktual, Trepça, me rezultat minimal, 1:0, derisa lideri, Hysi fitoi në Prizren ndaj Lirisë. Ekipit kryeqytetas humbjen ia shkaktoi ish-lojtari i vet, Bardhyl Kaçiu, i cili në çastet e fundit të pjesës së parë shënoi për rezultat 1:0 nga penalltia, të cilën e nxori i riu, Leart Emini.

Trajneri i prishtinasve, Ramiz Krasniqi pas ndeshjes pohoi se Trepça shënoi fitore të merituar, duke theksuar se referimi ishte korrekt. Me këtë humbje, Prishtina ka ngecur në katër pikë dallim prej liderit të renditjes tabelore, Hysit.

Tabelapikë
1. Hysi66
2. Prishtina62
3. Liria44
4. Besa43
5. Trepça42
6. Trepça ’8940
7. KEK-u40
8. Drenica38
9. Ballkani35
10. Vëllaznimi32
11. Flamurtari30
12. Ferizaj29

 

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati
Etiketat: ,

Komentoni