Home » Hendboll » Hendbollistët me përvojë janë “të harxhuar”

Hendbollistët me përvojë janë “të harxhuar”

merkonja-sp4Prishtinë, 11 dhjetor – Jasmin Mërkonja nuk “çelet” për ta thënë troç nëse gjendja e hendbollit kosovar është më e mirë apo më e keqe se ajo që kishte pritur para se të marrë drejtimin e Besa Famiglias.

Por, trajneri boshnjak me modesti e pranon se drejtuesit e hendbollit kosovar i pret punë shumë e madhe që klubet dhe Përfaqësuesja e Kosovës të jenë konkurrent të barabartë me vendet tjera të rajonit dhe Evropës. Mërkonja gjatë qëndrimit gati katërmujor në Kosovë ka evidentuar shumë probleme që pengojnë zhvillimin e hendbollit.

“Problem që pengon zhvillimin e hendbollit është për shembull mungesa e terminëve për skuadrën e kadetëve të Besa Famiglias. Në mungesë të terminëve unë jam i obliguar që kur kam stërvitje me seniorët, gjysmën e fushës t’ia lë në shfrytëzim ekipit të kadetëve. Kur mua më duhet e tërë fusha ata duhet të ndalen dhe kjo natyrisht nuk është në rregull”, ka thënë Mërkonja.

Ish-hendbollisti i njohur i ish-shtetit federativ, Jasmin Mërkonja, drejtimin e ekipit pejan Besa Famiglia e mori në gjysmë të gushtit. Me rastin e firmosjes së kontratës u pat thënë se qëllimi kryesor i sjelljes së Mërkonjës është përmirësimi i punës me hendbollistët e rinj.

“Kam vërejtur se lojtarët e rinj në ekipin tim, por edhe në ekipet e tjera teknikisht nuk qëndrojnë si duhet. Që kjo gjendje mos të vazhdojë duhet që me kategoritë e reja të punohet në mënyrë më profesionale”, ka shtuar Mërkonja.

Ai thotë se më e rëndësishmja është që seleksionimi i lojtarëve në kategori të reja të bëhet si duhet.
“Seleksionimi i të rinjve ka munguar. Në klube duhet të përzgjidhen djelmosha, të cilët kanë karakteristika të nevojshme për të pasur sukses në hendboll. Këta të rinj më pas duhet të shoshiten që pas disa viteve të dal një gjeneratë e suksesshme.

Por, kjo nuk është e mundur nëse seleksionimi nuk bëhet si duhet. Në hapësirat e ish-Jugosllavisë vazhdimisht ka pasur të rinj të talentuar, por seleksionimi duhet të jetë në nivel”.
Mërkonja thotë se punë më serioze bëhet në tri klubet lidere, Prishtinë, Kastriot dhe Besa Famiglia, ndërsa në klubet e tjera sipas tij puna është e nivelit më të ultë. Për këtë ai përmend probleme të ndryshme si mungesa e mjeteve financiare dhe organizimit të dobët të klubeve.

“Nëse krahasohet me vendet e rajonit, atëherë mund të them se hendbolli kosovar ende nuk është në nivel me atë të Bosnjës. Edhe në Bosnjë kemi kaluar nëpër problemet me të cilat përballet tani Kosova, por tani hendbolli boshnjak ka kaluar nga niveli i tretë evropian në nivelin e dytë. Problemet ekzistojnë për shkak të vështirësive financiare, atyre organizative dhe mungesës së punës profesionale. Por kjo nuk do të thotë se duhet të ndalemi dhe të qajmë. Duhet të punohet shumë dhe të niset nga diçka. Zgjedhja më e mirë është që të koncentrohemi në kategori të reja”, ka thënë Mërkonja.

Sipas tij pritjet për të pasur suksese në gara ndërkombëtare nuk janë në përputhje me kualitetin e klubeve. Nëse punohet si duhet, sipas Mërkonjës, rezultatet mund të priten pas katër apo pesë vitesh.
Orientimin në lojtarë të rinj, 51-vjeçari Mërkonja ia sugjeron edhe seleksionuesit të Kosovës, Alfred Llazari. Eksperti boshnjak thotë se në të ardhmen nuk mund të pritet nga lojtarët me përvojë që ishin pjesë e përfaqësueses në aktivitetet e fundit. Sipas tij, ata janë “të harxhuar” dhe nuk premtojnë për të ardhmen.
“Në përfaqësuese kam parë disa lojtarë të rinj në të cilët mund të llogaritet. Por, për të ardhmen nuk isha orientuar në lojtarët me përvojë që ka përfaqësuesja”.

Jasmin Mërkonja me përfaqësuesen e Jugosllavisë doli kampion i botës në vitin 1986. Ishte reprezentues shumëvjeçar i shtetit federativ. Shumicën e karrierës e ka kaluar në klubin Metaloplastika nga Shabaci me të cilin në vitet 1985 e 1986 doli kampion evropian. Si trajner ishte seleksionues i Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa përveç disa klubeve të këtij vendi ka drejtuar edhe klube në Itali, Katar e Mal të Zi. Në Bosnjë-Hercegovinë ka fituar titullin e kampionit me skuadrën e Graçanicës.

Klubet kosovare të hendbollit për të pestin vit paraqiten në gara evropiane. Vetëm dy ekipe arritën nga një herë që të kalojnë një rreth të garave me lojë. Sipas njohësve të hendbollit paraqitja në kupa evropiane nuk ka ndikuar në ngritjen e cilësisë. Cilësia vlerësohet të jetë e përafërt me atë që ishte menjëherë pas luftës. /kohanet

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

1 Response to " Hendbollistët me përvojë janë “të harxhuar” "

  1. kujtim says:

    Ka shpenzuar shum para per ta sjellur ket TRAJNER “LOJTAR” te madh ne historin e klubit tan asht duke punuar shum me te rrinjet e klubit BESA FAMIGLIJA e ka synimin per ti perzjedhur lojtar ma te talentuar ne ket KLUB edhe asht duke e rrealizuar premtimin e ber para medijave

Komentoni