Home » Hendboll » Hallakatet Kastrioti

Hallakatet Kastrioti

“S’jam në dijeni që Zaskoku e Beqiri po largohen nga klubi. Bile jemi duke i dhënë zor që Burim Zaskokun ta punësojmë në një kompani”, tha Lulzim Abazi, nënkryetar i KH Kastriotit.

Nisin telashet mbase të mëdha në klubin e hendbollit Kastrioti i Ferizajt (meshkujt), njëherësh kampion vjeshtor. Hendbollistët Burim Zaskoku dhe Blerim Beqiri janë të pakënaqur me kryesinë.

Zaskoku ka thënë se nuk qëndrojnë punët mirë me kryesinë, por sipas tij, edhe minutash nuk ka pasur aq sa duhet në radhët e kësaj skuadre në stinorin vjeshtor. Blerim Beqiri është më konkret dhe më i ashpër në qëndrimet e tija. Ai ka thënë se nuk do të luajë më në Kastriot.

“Nuk jam më pjesë e Kastriotit të Ferizajt. Jam në negociata me dy klube të Kosovës. Negociatat janë duke shkuar mirë dhe ta shohim se në cilin klub do të jem në pjesën e stinorit pranveror”, tha Beqiri.

Ky hendbollist nuk ka dashur të jap emrat e skuadrave më të cilat po negocion, por është i zemëruar fortë në KH Kastriotin. Burimet brenda Kastriotit bëjnë të ditur se edhe disa hendbollistë janë të revoltuar me kryesinë, por disa ende nuk e kanë marrë forcën që të dalin edhe publikisht t’i shprehin pakënaqësitë.

Zaskoku është hidhëruar shumë dhe ka shumë për të thënë, por nuk dëshiron të flasë këtë herë. “Ka shumë gjëra që duhet thënë. Për këto do të flasë herën tjetër”, theksoi Zaskoku.

Nënkryetari i KH Kastriotit, Lulzim Abazi, nuk ka njohuri se çka po ndodh më këta hendbollist. Ai thotë se Zaskoku e Beqiri asgjë nuk kanë prurë me shkrim, por as gojarisht nuk e kanë paralajmëruar një gjë të tillë.

“Këto deklaratat e këtyre hendbollistëve janë joserioze, të pamatura dhe të ngutshme. Brenda dy-tri ditëve gjërat do të qartësohen dhe këta hendbollistë llogarisim se janë pjesë e skuadrës sonë. Tash është afati kalimtar në prag dhe natyrisht se ata bëjnë kërcënime të llojit të tyre.

Bile Burim Zaskoku po më çudit që ka shprehur dëshirë të largohet, pasi që sot (e premte), kemi kontaktuar në telefon dhe këtë nuk e ka shprehur të unë.

Si kryesi jemi duke tentuar t’ia sigurojmë një vend të punës në një korporatë, por nuk e di ka i ka ardhur ajo ide që të dalë më deklarata që do të largohet prej klubit”, tha Abazi.

Zaskoku e ka pranuar se kryesia është duke tentuar ta punësojë në një korporatë. “Është e vërtetë që kryesia është e interesuar të më punësojë.

Ashtu siç ka thënë Abazi qëndron ajo se nuk e kemi lajmëruar kryesinë për largim. 90 për qind nuk do të jem pjesë e kësaj skuadre dhe 10 për qind mund të mbetëm”, tha Zaskoku. Burimet brenda klubit thonë se, pas largimit të hendbollistit Muhamed Malokut, i cili ka shkuar në Belgjikë, disa hendbollistët janë hallakatë.

Abazi beson se situata do të mbetet në kontroll dhe nuk ka vend për panik. “Jemi klubi më i organizuar në Kosovë dhe kjo situatë nuk mendoj se është për t’u shqetësuar. Secili e ka të drejtën në klub me shpreh bindjen dhe më shikuar të ardhmen e vet.

Mirëpo, Zaskoku e Beqirit, nuk kanë edhe arsye të bëjnë këtë zhurmë megjithëse te ne asgjë nuk kanë shprehur deri në këto çaste”, ka thënë Abazi.

Më një fjalë, në klubin me traditë, punët nuk janë kurrqysh, ka plasur sherri dhe cili do të jetë epilogu përfundimtar mbetët të shihet në vazhdim.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni