Home » Basketbolli i Kosovës » FIBA nuk mbështet basketbollin kosovar

FIBA nuk mbështet basketbollin kosovar

FIBAAnëtarët e Bordit të FIBA Evropës nuk kanë folur fare për Kosovën, në mbledhjen e tyre të mbajtur të dielën në Munich të Gjermanisë, edhe pse zyrtarët e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) shpresonin që do të diskutohet.

Në fakt, përfaqësuesi i Holandës ka bërë përpjekje që kërkesa e kosovarëve të futet në rend dite të kësaj mbledhjeje, por kjo është kundërshtuar fuqishëm nga përfaqësuesi serb, rus dhe ai grek.

“Kam marrë informacion se Bordi i FIBA Evropës nuk ka diskutuar për Kosovën. Jam i informuar se përfaqësuesi i Holandës ka kërkuar që Kosova të futet në rend dite të kësaj mbledhjeje, por kërkesa e tij është kundërshtuar nga Serbia, Rusia dhe Greqia”, deklaroi kreu i FBK-së, Eroll Belegu për Express, të dielën.

Pak ditë para mbajtjes së kësaj mbledhjeje, Belegu ishte optimist se Bordi i FIBA Evropës do ta futë në rend dite kërkesën e tyre. Këtë bindje Belegu e pati fituar pas lobimit të tij intensiv që bëri nëpër federata të ndryshme evropiane.

Belegu me bashkëpunëtorë pati takuar 23 anëtarë të Bordit të FIBA Evropës, nga 25 sa ka gjithsej. Nga të gjithë ata, Belgu kishte kërkuar që të përpiqeshin ta futnin Kosovën në rend dite të takimit të tyre.

Shumica prej tyre i kishin premtuar Belegut se do të përkrahin kërkesën e tij. Por, deri të dielën, ata njerëz sikur kishin harruar që ishin takuar me kosovarët.

“Përveç që kanë kundërshtuar Serbia, Rusia e Greqia, kam informacione se vendet e tjera nuk janë deklaruar fare për ta futur çështjen e Kosovës në rend dite”, theksoi Belegu.

Drejtuesit e FBK-së pritnin që Bordi i FIBA Evropës t’i sugjerojë Bordit qendror të FIBA Botës që ta pranojë Kosovën, qoftë edhe me kushtëzime. Edhe pse një gjë e tillë nuk ndodhi, kosovarët nuk e kanë ndërmend të dorëzohen.

“Hapi ynë i ardhshëm do të jetë ky: Ne do të aplikojmë sërish për pranim direkt në Bordin qendror të FIBA Botës, i cili do ta mbajë mbledhjen e vet të radhës në muajin dhjetor në Stamboll të Turqisë. Do të jetë vështirë edhe atëherë, sepse Komiteti Olimpik i Kosovës nuk është i njohur ndërkombëtarisht dhe Kosova nuk është e njohur nga OKB-ja”, përfundoi i zhgënjyer Belegu. /Express

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

1 Response to " FIBA nuk mbështet basketbollin kosovar "

  1. gonch3 says:

    harrone fiba-n.
    krejt fjal i keni ju keto.se veti po ja boni, askush nuk ka faj veq ju vet.

Komentoni