Home » Basketbolli i Kosovës » FBK-ja kërkon përkrahje nga ata që e kanë në dorë fatin e saj

FBK-ja kërkon përkrahje nga ata që e kanë në dorë fatin e saj

fiba we are basketPrishtinë, 4 dhjetor – Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu, ka kërkuar përkrahje për basketbollin kosovar nga anëtarët e Bordit Qendror të FIBA-s.
Belegu të enjten u është drejtuar me një letër të hapur 21 anëtarëve të Bordit Qendror të shtëpisë botërore të basketbollit. Ky organ më 12 e 13 dhjetor në Stamboll pritet të shqyrtojë kërkesën e FBK-së për pranim në FIBA.
“Ne besojmë që rinia kosovare meriton që të ketë rast të bëjë gara me të rinjtë e vendeve të tjera. Roli i federatave kombëtare dhe ai i FIBA-s është të përkrahë dhe të ndihmojë zhvillimin e basketbollit dhe kjo është edhe një arsye më tepër që ju duhet të përkrahni basketbollin në Kosovë.

Gjëja më e rëndësishme është që ne jemi të bindur se ju e përkrahni sportin si një instrument në funksion të afrimit mes popujve dhe vendimi juaj për pranim do ta bënte të mundshëm pikërisht këtë”, thuhet në letrën e Belegut. Ai ka shtuar se zhvillimi i basketbollit në Kosovë është penguar për arsye politike.
Belegu ka thënë në letër se motivet si sportive ashtu edhe politike janë në anën e FBK-së. Ai ka përmendur faktin se Kosova është e pranuar nga 63 shtete, nga 70 për qind e vendeve anëtare të FIBA Evropës, pastaj në FMN dhe në Bankën Botërore. Ka treguar se FBK-ja është e vetmja që organizon garat e basketbollit në Kosovë.
“Është e pamundur të thuhet se Kosova nuk është shtet i njohur nga bashkësia ndërkombëtare. Shumë nga qeveritë tuaja kanë vendosur në favor të kësaj njohjeje. Po ashtu anëtarësimi si anëtar me të drejta të plota në agjencitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara, në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore nuk lë vend për dyshim rreth shtetësisë sonë”, thuhet më tutje në letrën e Belegut.

Ai ka cekur edhe faktin se me statutin e FIBA-s anëtarësimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe në Kombe të Bashkuara nuk është kusht për pranim. Ai ka përmendur tetë shtete që nuk janë pjesë e OKB-së apo KON-it e që janë anëtare të FIBA-s. Belegu ka thënë se KON-i pret që federatat ndërkombëtare të prijnë në procesin e pranimit të Kosovës. Ai ka kërkuar që FIBA të jetë federata e radhës që do ta bëjë pranimin e Kosovës, pasi për këtë nuk ka pengesa statutare.
Në letrën dërguar anëtarëve të Bordit qendror, Belegu ka kërkuar që FBK-së t’i ofrohet mundësia që kërkesën dhe argumentet e saj t’i paraqesë në takimin e 12 e 13 dhjetorit.
“Pjesëmarrja jonë në mbledhje mund të ndihmojë në shpjegime shtesë, në mënyrë që vendimi juaj të jetë i drejtë dhe i favorshëm për basketbollin”.
Pas shpalljes së pavarësisë, kërkesa e FBK-së është refuzuar dy herë nga FIBA. Si arsyetim është përmendur fakti se Kosova nuk është e pranuar në KON dhe në Kombet e Bashkuara.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati
Etiketat: , ,

Komentoni