Home » Kampionati Shqiptar » Dinamo nuk njef humbje

Dinamo nuk njef humbje

dinamoNë javën e 15-të të Superligës së Shqipërisë në futboll, kryesuesi i këtij kampionati, Dinamo, që nuk e njeh humbjen deri tani, ka pritur në shtëpi nënkampionen në fuqi, Vllazninë.

Ndeshja në fjalë ka prodhuar goleadë, plot 6 gola, nga të cilët, katër për vendësit blu dhe dy për miqtë shkodranë. Shumë shpejt, në gjysmë ore lojë, Dinamo ka kaluar në epërsi 2:0, falë golave të Sefës dhe Bakajt. Një goditje e rëndë për Vllazninë, në radhët e së cilës kishte mjaft mungesa, duke nisur me portierin Grima, për të vijuar me Smajlin, Osjen, Sinanin etj.

Por, kur mendohej se Vllaznia ishte dorëzuar pas këtij disavantazhi të shpejtë, ka ndodhur e kundërta. Po kaq shpejt, sa ka shënuar dy golat e parë Dinamo, është kundërpërgjigjur edhe Vllaznia, me golat e Rajovic me kokë dhe të Elvin Beqirit. Me këtë rezultat, 2:2, ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes, çka të linte të kuptoje se 45 minutat e dyta do të ishin edhe më të zjarrta.

Mirëpo, është përsëritur ritmi i pjesës së parë për Dinamon, e cila, përmes Sefës, e ka dërguar në 4:2 rezultatin, i cili ka mbetur deri në fund i pandryshuar. Kjo, qoftë për meritë të bluve, që kanë ruajtur të paprekur epërsinë, por edhe për dobësi të miqve, që nuk kanë mundur dot të shfrytëzojnë ato raste që krijuan në portën e Kotorrit.

Në këtë mënyrë, Dinamo mund pastër Vllazninë, duke mbetur e pandalshme në rrugën e saj drejt titullit kampion, në pritje të zhvillimit të ndeshjes së të enjtes, mes Besës dhe Tiranës, për të parë nëse verdhezinjtë do të fitojnë dhe do ta ndjekin me 12 pikë diferencë, apo do të bëjë ndonjë surprizë Tirana në Kavajë, duke e larguar edhe më skuadrën e Shpëtim Duros nga kryesuesit.

Skuadra fierake, Apolonia, ka pritur në shtëpi Laçin, në përpjekje për të bërë autokritikë, pas asaj humbjeje shokuese në Peqin, të shtunën e kaluar. Në rezultat, ç’ është e vërteta ia ka arritur, pasi ka mundur 2:0 kurbinasit, por me lojë ka zhgënjyer jo pak. Këtu kemi parasysh se pjesa më e madhe e ndeshjes është luajtur në gjysmëfushën fierake, ku Laçi ka ushtruar presion të madh, por nuk ka konkluduar dot rastet e shumta.

Ndoshta në këtë anim të lojës në favor të miqve ka ndikuar edhe dalja me karton të kuq e Kelmendit të Apolonisë, qysh në minutën e 10-të të lojës. Gjithsesi, falë kundërsulmit të shpejtë, me në krye Bërkic, Apolonia e ka gjetur dy herë rrugën e golit, duke zhvlerësuar kësisoj gjithçka, edhe volumin e madh të lojës, të krijuar nga miqtë. 2:0 ka fituar skuadra e drejtuar nga Hasan Lika, duke u ripozicionuar në vendin e tretë, në pritje të asaj që do të arrijë një ditë më pas Tirana në Kavajë.

Në Krujë, Kastrioti ka pritur Shkumbinin, me të cilin u ndesh edhe në 1/16 finale të Kupës së 58-të të Shqipërisë. Krutanët kanë shfryrë dufin kësaj here, teksa kanë shënuar plot 4 gola në portën peqinase. Me vetëm një gol për miqtë, rezultati përfundimtar i ndeshjes në fjalë, 4:1, nuk ka lënë vend për komente. Sukses i merituar i Kastriotit, që rigjen fitoren, pas disa rezultateve jopozitive në javët e shkuara.

Në Durrës u luajt derbi bregdetar, mes Teutës dhe Flamurtarit. Një gol e ka bërë diferencën në këtë sfidë, që i përket Teutës, e cila ka fituar 1:0 dhe ka marrë 3 pikët. Tjetër dështim për vlonjatët, që janë në pikë të hallit, të fundit në renditje. Një tjetër derbi, i fqinjëve juglindor, Gramozi-Skënderbeu, u luajt në stadiumin pa tifozë të Ersekës. Gramozi e ka fituar ndeshjen me rezultat 2:0 dhe rrit shpresat për mbijetesë.

Rezultatet

Gramozi- Skënderbeu 2:0

Apolonia-Laçi 2:0

Dinamo-Vllaznia 4:2

Kastrioti-Shkumbini 4:1

Teuta – Flamurtari 1:0

Besa-Tirana

Tabela

1. Dinamo 15 13 2 0 31:9 41

2. Besa 14 7 5 2 13:6 26

3. Apolonia 15 7 3 5 23:17 24

4. Tirana 14 6 4 4 14:11 22

5. Teuta 15 7 1 7 16:20 22

6. Kastrioti 15 5 4 6 16:17 19

7. Shkumbini 15 5 3 7 15:18 18

8. Laçi 15 4 5 6 14:16 17

9. Vllaznia 15 4 3 8 12:19 15

10. Gramozi 15 3 6 6 11:18 15

11. Skënderbeu 15 3 5 7 16:20 14

12. Flamurtari 15 2 5 8 9:19 11

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati
Etiketat:

Komentoni