Home » Skijim » Demaj: Suksesi i Tahirit është historik për Kosovën

Demaj: Suksesi i Tahirit është historik për Kosovën

Krerët e Federatës së Skive të Kosovës thonë se viti 2010 ka nisur mbarë dhe me rezultate jashtëzakonisht të mëdha.

Në Kayseri të Turqisë përveç që fituan dy medalje (një të artë dhe një të argjendtë), u shpërblyen edhe me të holla.

Zyrtarët e Federatës së Skive të Kosovës, me kryetarin Hajrush Demaj, nuk i fshehin dot lotët e gëzimit për sukseset që arritën skiatorët tonë të dielën që e lamë pas në turneun e madh ndërkombëtar në Kayseri të Turqisë. Demaj tha se kanë pritur rezultate të mira, por assesi që të marrin medalje të artë nga kjo garë shumë e fortë që morën pjesë mbi 100 skiatorë nga shtetet e ndryshme të Evropës dhe nga Azia.

Sipas Demajt, skiatori Albin Tahiri ia ka zbardhur fytyrën kombëtares së Kosovës dhe madje ka shënuar rezultatin e parë historik të skive të shtetit më të ri në botë, Republikës së Kosovës. Kombëtarja e Kosovës në ski është kthyer në Kosovë ballëlartë për sukseset që ka arritur në Kayseri të Turqisë.

Skiatori Albin Tahiri ishte ai që solli dy medalje, një të artë në disiplinën e sllallomit dhe një të argjendtë në disiplinën e sllallomit të madh. “Ka qenë një kënaqësi e jashtëzakonshme, kur kam dëgjuar zërin e spikerit oficiel se Albin Tahiri, skiator nga Republika e Kosovës e ka zënë vendin e parë dhe ka fituar medaljen e artë.

Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme në ato çaste në Qendrën skiatore të Kayserit. Triumfoi Tahiri në një konkurrencë të fortë dhe e futi kombëtaren e Kosovës në historinë e skive”, tha Hajrush Demaj. Ky sukses i jashtëzakonshëm i kombëtares sonë e në veçanti i skiatorit Tahirit është shpërblye edhe me mjete financiare.

“Tahiri përveç që ka marrë dy medalje (një të artë dhe një të argjendtë) fitoi edhe 1000 euro në disiplinën e sllallomit dhe 500 euro në atë të sllallomit të madh. Këto para të fituara nuk janë një shifër aq e madhe sa një stimulim për të gjithë stafin e kombëtares, për faktin se është hera e parë që një kombëtare që po shpërblehet me mjete financiare”, tha Demaj. Skiatorët tonë dëshmuan më të mirën dhe hynë në histori me rezultatet e jashtëzakonshme që ka arritur Albin Tahiri.

Dihet se në Kayseri morën pjesë edhe skiatorët në disiplinën e sllallomit, si Adrian Islami që zuri vendin e 22-të, Erduan Sefa renditet i 25-ti, Dardan Pupovci – i 29-ti, ndërsa te femrat Dorina Mema e 11-ta, kurse Genta Domi radhitet e 12-ta. Edhe trajneri i kombëtares së Kosovës, Naser Dedija, ka qenë i fascinuar me paraqitjen e shkëlqyeshme të skiatorit Tahirit.

“Vërtetë jam i kënaqur me atë që dëshmuan skiatorët tanë sidomos Albin Tahiri që bëri historinë e skive tona”, tha Dedija. Krerët e federatës thonë se viti 2010 ka nisur mbarë dhe me rezultate jashtëzakonisht të mëdha. Ata shpresojnë se këto rezultate do t’i vazhdojnë edhe në garat e ardhshme dhe të gjitha shpresat i kanë të skiatori Tahiri. “Duhet punë dhe vetëm punë dhe të shënojmë rezultate të reja.

Skiatorët e Kosovës edhe në të kaluarën, por edhe tashmë janë dëshmuar. Kosova ka talent të këtij sporti dhe qendrat të skive për përgatitje të mira, por vetëm duhen kushte financiare që të kemi rezultate më të mira. Sikur të kishim mjete financiare më të mira rezultatet tona do të ishin edhe më të mira dhe më plotë përgjegjësi e them se në asnjë garë nuk do të kishim zhgënjyer”, tha Demaj.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati
Etiketat:

Komentoni