Home » Liga e Kampionëve » Champions League, gjermanët kundër spanjollëve

Champions League, gjermanët kundër spanjollëve

Dopio përballje Gjermani-Spanjë në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Shtetet që në alternim kanë pasur përfaqësueset e tyre në katër finalet e fundit të këtij kompeticioni, me dy fitore (Barcelona 2009 e 2011) dhe dy humbje (Bajern Mynih 2010 e 2012). Shtetet finaliste të Euro 2008, e para dhe e treta e Kupës së Botës 2010 dhe Euro 2012. Maksimumi…

Bajern Mynih – Barcelona
Sfida e Guardiolës. Skuadra, të cilën ai e bëri legjendë, kundër asaj që e pret. Një tjetër rast për Pep, mbase i fundit që të shpresojë te një fitore e Barçës, pasi do ta bënte më intriguese aventurën e tij bavareze, duke qenë në “gjueti” të triumfit në Champions.

Kurrë më parë Barcelona nuk është dukur më e thyeshme se tani dhe kurrë më parë nuk e kanë shfaqur kaq tepër varësinë ndaj Mesit. Me argjentinasin në fushë, në duelin vajtje-ardhje kundër PSG-së, Barça fitoi 2-0. Ndërsa në minutat që luajtën pa të, humbën 1-3. Mirëpo spanjollëve në gjysmëfinale do t’u mungojë edhe Maskerano dhe, me shumë mundësi, Pujol. Shumë arsye që u jepnin disi favorizim bavarezëve, pavarësisht se katalanasit nuk humbasin prej 17 ndeshjesh ndaj skuadrave gjermane dhe në duelin e fundit direkt kundër Bajernit fituan 4-0 (në prill të vitit 2009).

Dortmund – Real
Dortmundi është e vetmja skuadër që nuk ka njohur humbje në këtë Champions dhe në fazën në grupe, Murinjo mori dy leksione taktike dhe me lojë korale të Klopit. Njësoj siç i ndodhi trajnerit portugez në vitin 2010 kundër Barcelonës, që më pas Interi i tij e eliminoi në gjysmëfinale, për të fituar më pas në finalen kundër Bajernit. Rivali i ardhshëm mund të jetë një “urë” për të shkuar më pas në Londër, për finalen e madhe dhe mbi të gjitha për të qëndruar aty pas duelit, duke qenë se pritet të nisë punën me Çelsin. Gjithsesi, për të shkuar në finale, Realit i duhet të bëjë dy paraqitje krejt ndryshe nga ato të fazës në grupe (2-1 për Dortmundin në Gjermani dhe 2-2 në Spanjë, me shumë raste për shënim të miqve).
Champions
Gjysmëfinalet
23 prill
Bajern Mynih – Barcelona
24 prill
B.Dortmund – Real Madrid
30 prill
Barcelona – Bajern Mynih
1 maj
Real Madrid – B.Dortmund
Finalja
25 maj (Uembli)
Liga e Europës
25 prill/ 2 maj
Fenerbahçe-Benfika
Bazel-Çelsi
Finalja 15 maj
(Amsterdam)
Klop beson: Realin e mundëm në grup
Jurgen Klop nuk e ka marrë me frikë përballjen kundër Realit të Madridit, madje është i lumtur që do ndeshet sërish me ekipin e Murinjos. Kundër spanjollëve, ata fituan 2-1 në shtëpi, ndërsa në “Santiago Bernabeu” barazuan 2-2. “Nuk besoj se duhet të shpenzoj fjalë për Realin dhe forcën që karakterizon këtë grup. Gjithsesi, duke marrë parasysh që dy rivalet e tjera ishin Bajerni dhe Barça, natyrisht që jam i lumtur që do kem sërish përpara Realin. Të mos harrojmë që ata i mundëm në shtëpi gjatë fazës në grupe dhe në Spanjë barazuam një ndeshje të madhe. Fakti që ne e dimë se si luajnë spanjollët, na bën më të qetë. Pasi t’i analizojmë dy sfidat tona, shpresojmë që do përsërisim të njëjtat rezultate si në grup”.
Ozil: Finalja, një detyrim për ne!
Te Reali ka ardhur koha për hakmarrje. Shorti i gjysmëfinaleve i ka vënë përballë Borusian e Dortmundit, skuadër së cilës trajneri Zhoze Murinjo dhe skuadra e tyre i morën vetëm 1 pikë në dy takime, por tani nuk kanë më rëndësi pikët, por golat e shënuar. Gjermani Mesut Ozil është ai që njeh më mirë se kushdo tjetër gjermanët: “Dortmundi, gjithçka pozitive që ka arritur deri tani, e ngre mbi bazën e talentit kolosal, por mbi të gjitha tek entuziazmi. Ata luajnë shpejt, ndonëse pika e fortë qëndron te manovra sulmuese. Gjithsesi, nëse i sulmon, Dortmundi tronditet, e tregoi Malaga, por edhe Bajerni në kampionat. Këtë herë nuk na falen gabimet ndaj tyre, ndaj finalja është detyrim për ne”.
Hejnkes: Nuk më duhen këshillat e Guardiolës
Duel gjigantësh! Dy klubet më të mira të Europës, kampionëve të Gjermanisë dhe Spanjës, u ra shorti të përballen në gjysmëfinale të Champions-it. I vetmi problem, që me të drejtë u përhap në media, është faktori “Pep Guardiola”. Mirëpo Bajerni nuk dëshiron aspak të marrë informacione apo të ketë kontakte për këtë qëllim me trajnerin e ardhshëm, “arkitekti” i Barçës jashtëtokësore. “Një sfidë ekzemplare, përplasje mes gjigantësh! Barça është e mirëpritur! Katalanasit i njoh më mirë se çdo ekip tjetër, madje më mirë se skuadrën që drejtoj. Kam vite që shoh futbollin e tyre me detaje, ndaj mos më pyesni nëse do i marr këshilla Guardiolës. Unë e bëj vetë dhe mirë punën time, s’kam nevojë për ndihmën e askujt”.
Iniesta: Me Bajernin do jetë një ferr
Barcelona di të bëjë diferencën në finalet e mëdha. Edhe pse së fundmi nuk kanë shkëlqyer në ndeshjet në transfertë, si ndaj Milanit, ashtu sikurse me PSG-në. Prandaj, katalanasi Andres Iniesta u ka bërë thirrje shokëve të marrin masat përpara duelit me Bajernin. “Do shkojmë në Mynih! Ka për të qenë gjysmëfinalja më e fortë dhe më spektakolare, pasi përballen dy skuadrat më të forta të Europës. Patjetër që respekti është reciprok. Bajerni është një klub elitar dhe me kualitete të shkëlqyera. Në Mynih na pret ferri, por nëse dalim që aty me një rezultat pozitiv, atëherë kemi shumë shanse për në finale, sepse në shtëpinë tonë është e vështirë që të na mundë dikush”, – thekson Iniesta.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati
Etiketat:

Komentoni