Home » Basketbolli i Kosovës » Bambi, më nuk është befasi

Bambi, më nuk është befasi

Pasi e mposhti skuadrën kampione të Kosovës, Sigal Prishtina, Bambi shënoi fitore edhe ndaj nënkampiones së Kosovës, Trepça. Mirëpo, skuadra e Bambit para vetes ka edhe një provë për të konfirmuar forcën e tij këtë edicion. Është kjo ndeshja ndaj Pejës që do të luhet në palestrën “Minatori” të Mitrovicës në javën e gjashtë të Superligës, shkruan “Koha Ditore”.

Kryetari i Bambit, Igor Dashiq, pret që skuadra e tij pas përballjes me Pejën të rezervojë njërin nga dy vendet e para në tabelë. Tash për tash vetëm Bambi dhe Peja janë ekipet që nuk kanë pësuar humbje në Superligë. Peja ka katër fitore, kurse Bambi ka tri fitore dhe një ndeshje më pak të zhvilluar.

“Testi i vërtetë për ne do të jetë ndeshja me Pejën dhe me këtë do të konfirmojmë vendin e parë apo të dytin për pjesën e parë të këtij edicioni”, tha Dashiq. “Me Trepçën kemi pritur fitore, pasi këtë edicion nuk është përforcuar. Pas këtij triumfi atmosfera është shumë e mirë brenda klubit, sepse askush nuk ka besuar në një fillim kaq të mbarë para fillimit të edicionit”.

Për skuadrën e Bambit ky është edicioni i pestë që garon në Superligë, kurse triumfi i parë kundër rivalit lokal, Trepça. Dashiq thotë se Bambi asnjëherë nuk ka pasur një start të tillë, por pranon se edhe ekipi nuk është ai që ka qenë më përpara.

“Kjo është hera e parë që kemi regjistruar një start të tillë në histori të klubit. Është një start fantastik dhe shpresoj të mos ndërpritet. Realisht Bambi asnjëherë nuk ka pasur ekip më të fortë se këtë edicion”, tha Dashiq. “Forma jonë e mirë po bën që palestrat jashtë Mitrovicës të mbushen kur po luajmë ne. Për momentin do të vazhdojmë me këtë ekip, kurse për pjesën e dytë do të synojmë të sjellim një plejmejker dhe një qendër”.

Kapiteni i Sigal Prishtinës, Edmond Azemi, nuk dyshon në cilësinë e Bambit këtë edicion dhe thotë se basketbollistët serbë gjithsesi do të jenë pjesë e “katërshes së madhe” të këtij edicioni. Skuadra e tij u mposht në start.

“Bambi pa dyshim se do të jetë në mesin e katër ekipeve më të forta së bashku me Sigal Prishtinën, Pejën dhe Trepçën. Bambi ka një ekip shumë mirë të kompletuar dhe luan lojë kolektive. Të gjithë lojtarët i ka të barabartë dhe luajnë njëri për tjetrin”, u shpreh Azemi. “Nëse vazhdon kështu, Bambi do të shkojë shumë lart, por skuadra duhet të dëshmohet edhe në pjesën e dytë, pasi në të parën të gjitha ndeshjet e forta i ka luajtur në shtëpi”.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni