Home » Kampionati Anglez » Arsen Venger dhe ‘sekreti’ i lojës së bukur

Arsen Venger dhe ‘sekreti’ i lojës së bukur

wenger“Topçinjtë” e drejtuar nga francezi kanë shënuar 36 gola në kampionat, 13 më shumë se Mançesteri.

Arsen Venger ka treguar sekretin e lojës së bukur të Arsenalit. Trajneri i “Topçinjve” ka zbuluar mënyrën sesi e mëson ekipin e tij të mbushur me lojtarë të rinj të zhvillojë atë që konsiderohet nga të gjithë sportdashësit një futboll i bukur.

Për shumë njerëz, vetëm kampionia e Evropës, Barcelona, arrin të luajnë aq bukur sa Arsenali i Vengerit. Kombinimet spektakolare të bazuara në shpejtësinë fizike dhe atë të mendjes, të bashkuara me aftësi teknike dhe fuqi, e kanë kthyer skuadrën e Londrës Perëndimore në ekipin e dytë më të mirë të Anglisë.

Në këtë sezon, më shumë se çdo herë tjetër që nga koha e të “Pamposhturve” të sezonit 2003-04, “Topçinjtë” e Vengerit duket se besojnë tek suksesi në kampionat, duke qëndruar në vendin e dytë në Premier Ligë mbrapa krahëve të kryesuesve të Çelsit.

Me 36 gola të shënuar deri tani në kampionat ata kanë realizuar më shumë se Çelsi dhe 13 gola më shumë se Mançester Junajtid, edhe pse kanë zhvilluar një ndeshje më pak. Loja e skuadrës së Vengerit është e bazuar tek zgjuarsia, klasi, teknika dhe përgatitja fizike. Por çelësi është besimi në vetvete. Lojtarët e tij duhet të kenë gjithmonë zgjedhje dhe alternativa, gjë që siguron “zgjidhje”.

Trajneri francez, 60-vjeçar, ka revolucionarizuar futbollin anglez që kur ka shkuar në Premier Ligë nga Japonia 13 vite më parë, duke ndryshuar dietat dhe mënyrën e stërvitjes po ashtu edhe stilin e jetesës së futbollistëve. Por mënyra sesi Arsenali luan futboll është arritja më e madhe e Vengerit.

Loja e Arsenalit bazohet tek lëvizjet që bëjnë lojtarët që nuk kanë topin, në mënyrë që lojtari që ka topin në zotërim të ketë sa më shumë alternativa. Këto zgjidhje krijojnë shumë probleme për rivalët e Arsenalit.

Kur i shpjegon lojtarëve idetë e tij, Venger përdor ato që ai i quan “dritat jeshile” dhe “dritat e kuqe” për t’i shpjeguar futbollistëve se ku duhet të qëndrojnë kur Arsenali ka kontrollin e topit. Natyrisht, si çdo mësues, ai do që nxënësit e tij të qëndrojnë sa më larg “dritave të kuqe” që ndodhen në fushën e lojës.

Në thelb, kur një lojtar i Arsenalit ka topin ai duhet të ketë paktën dy alternativa për të pasuar topin, të ashtuquajturat “drita jeshile”. Ai ka thënë: “Ne punojmë shumë përsa i përket kombinimeve midis lojtarëve. Qëllimi i skuadrës është të krijojë sa më shumë drita jeshile, në mënyrë që lojtari që ka topin të ketë më shumë alternativa në dispozicion, njëkohësisht duke e lejuar ekipin të vazhdojë të sulmojë.

Që kjo të realizohet, duhet t’i ofrosh lojtarit zgjidhje që e lejojnë atë të përdorë në maksimum zgjuarsinë e tij gjatë ndeshjes”. Trajneri i Arsenalit, ka pranuar se vështirësia e tij më e madhe si drejtues i një ekipi që luan sipas “mënyrës” së Vengerit është ta përgatisë psikologjikisht skuadrën.

Gjatë viteve të fundit, është bërë një punë e madhe për të forcuar psikologjikisht “Topçinjtë”. Kritikët kanë thënë se ata mund të luajnë bukur, por mund edhe të përçahen lehtësisht. Mënyra sesi Arsenali u dorëzua para Mançester Junajtid në gjysmëfinalen e Champions Ligës së kaluar e vërteton këtë. Ata janë demoralizuar menjëherë, ndërsa “Djajtë e Kuq” kanë kaluar në avantazh të dy golave në 10 minutat e para në ndeshjen e kthimit. Venger ka vazhduar duke thënë: “Që kjo të funksionojë, lojtarët duhet të jenë të pamarkuar gjatë ndeshjes dhe ne punojmë për këtë gjatë stërvitjes.

Kjo është pjesa kur një sport i nivelit të lartë bëhet interesant në gjetjen e një mënyrë që ta kesh skuadrën në një pozicion të fortë psikologjik në mënyrë që ata të ofrojnë zgjidhje. Sepse, të gjithë e dimë, nëse fillon të kesh dyshime, dritat jeshile bëhen menjëherë të kuqe.

Sepse çdo lojtar merr më pak iniciativa dhe, papritur, është e pabesueshme se me çfarë shpejtësie të gjitha ato drita jeshile bëhen të kuqe dhe lojtari që ka topin e gjen veten në një situatë të vështirë. Dyshimi është armiku kryesor për lojën që duam të zhvillojmë ne. Dhe në një nivel psikologjik, ne duhet t’i bëjmë lojtarët të ndihen më të guximshëm për të zhvilluar dhe përmirësuar kontaktet midis njëri-tjetrit”.
/botasot

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni