Ish-kapiteni i Francës, Zinedine Zidane, në një deklaratë dhënë të hënën, ka pohuar se Raymond Domenech nuk është trajner dhe për këtë arsye Franca nuk ka skuadër të mirëfilltë.
Sipas tij, barazimi i Francës me Uruguain në takimin e parë të këtij botërori jep pak shpresa për lojë më të mira në vazhdim. “Gjëja më e vështirë është se nuk kemi ekip që punon bashkërisht. Lojtarët nuk luajnë së bashku, ata janë shumë individualistë. Futbollistët duhet të marrin më shumë përgjegjësi për vetvete dhe të ecin më tutje”, ka thënë Zidane për “Canal plus”.
Legjenda e futbollit francez që u pensionua katër vjet më parë, thotë se lojtarët nuk janë fajtorët e vetëm. Ai drejton gishtin nga seleksionuesi Domenech që nuk ka arritur ta komponojë skuadrën. “Domenech nuk është trajner. Ai duhet ta bëjë skuadrën të luajë së bashku. Bashkëpunimi i lojtarëve është gjëja kryesore në fushë. Është pikërisht mosbashkëpunimi i tyre, fajtori për barazimin kundër Uruguait”, ka thënë Zidane.
Zidane ka shënuar dy gola në finalen e Botërorit të vitit 1998, ku Franca fitoi 3:0 kundër Brazilit. Zidane ka ndihmuar Francën edhe në fitimin e titullit të Evropës në vitin 2000, ndërsa katër vjet më parë, Zidane ndihmoi këtë ekip deri në finale të botërorit “Gjermania 2006″.
Ndeshjen e radhës Franca e luan kundër Meksikës, të enjten në Polokwane.









