Kapiteni i klubit të futbollit Besa nga Peja, Haxhi Zeka, është optimist se në Skenderaj do të arrijnë rezultat të favorshëm në përballje me Drenicën.
Zeka ka thënë se Besa do të ishte në pozitën e parë sikur mos të ishte dëmtuar nga gjyqtarët.
“Besa është skuadra më e dëmtuar në elitën e futbollit. Mund të them se nuk ka ndeshje që Besa nuk është dëmtuar nga gjyqtarët. Si në Mitrovicë që jemi dëmtuar, po ashtu jemi dëmtuar edhe në disa ndeshje të tjera dhe së fundi edhe në Pejë me Prishtinën. Gjyqtari në ndeshjen me Prishtinën nuk e gjykoi penallti në minutën e 90-të për Besën, që kjo ka qenë dëmtimi shumë i rëndë. Sikurse të ishte një gjykim më korrekt nga gjyqtarët dhe mos të dëmtohej Besa pothuajse në të gjitha ndeshjet, sot do të ishim kryesues i tabelës”, tha Zeka.
Sa i përket ndeshjes me Drenicën që zhvillohet të mërkurën në Skenderaj, në orën 15.00, shpreson në rezultat të favorshëm, megjithëse nuk janë edhe aq të disponuar pas humbjes me Prishtinën në Pejë.
“Nuk jemi aq të disponuar me humbjen që pësuan në Pejë nga Prishtina. Besoj se në Skenderaj do të nxjerrim rezultat të favorshëm nëse ka një referim korrekt nga gjyqtarët. Shpresat i kemi për titullin e kampionit sepse pesë pikë që është para nesh Trepça konsideroj se nuk është epërsi e madhe. Besa është e kompletuar dhe synon të kthehet me fitore. Si po fitojnë skuadrat të tjera në Pejë edhe ne dëshirojmë të fitojmë jashtë fushës sonë. Në Pejë të gjitha skuadrat luajnë sikurse në shtëpi të tyre sepse Peja ka traditë dhe ofron kushte për lojë për secilën skuadër”, tha Zeka.
Nga ana tjetër, futbollisti Sami Geci, e vlerëson si ndeshje të vështirë të mërkurën që do të kanë në ballafaqim me Besën.
“Është ndeshje e vështirë për ne sepse kemi një rival të fortë siç është Besa. Po ashtu fusha është e rënduar nga shiu që po bie pandërprerë, por shpresoj se deri të mërkurën gjithçka do të jetë në rregull. Drenica në pranverë po dëshmon lojëra të mira dhe kemi mposhtur rivalë edhe më të fortë se Besa, kështu që edhe në këtë takim presim fitore. Fitorja sadopak do të na shmang nga skuadrat e fundit të tabelës, por jo edhe të bëjmë gjumë të rehatshëm në vazhdim të kampionatit”, tha Geci.
Skuadra e Drenicës është në vendin e nëntë me 30 pikë, ndërsa Besa renditet e dyta në tabelën e klasifikimit me 36 pikë të grumbulluara. /botasot









