Home » Kampionati Botëror "Brazili 2014" » Yjet që lindën në botëror

Yjet që lindën në botëror

Kampionati Botëror i futbollit është gara më e madhe e këtij sporti dhe pjesëmarrja në të është ëndërr e çdo futbollisti. Për disa futbollistë kjo ëndërr realizohet shumë herët nëse janë pjesë e reprezentacioneve të forta qysh në moshë të re.

Dhe, një grup i tyre pikërisht në këtë garë e ka rastin ideal për të treguar talentin e vet dhe për të vënë themelet për një karrierë të mirë në vitet pasuese. Sivjet, Kampionati Botëror ishte i tillë që disa prej futbollistëve më të mirë dhe më të shtrenjtë në botë nuk treguan atë që pritej nga ata, disa veterane i udhëhoqën ekipet e tyre si u ka hije, kurse disa futbollistët ë rinj dolën në sipërfaqe dhe bënë që bota ta kthejë shikim kah ata.

Sezoni më i mirë për Suarezin

Luis Suarez para shkuarjes në Kampionat Botëror shënoi 35 gola në 33 ndeshje për Ajaksin e Amsterdamit. Në botëror ai erdhi si një nga lojtarët kryesorë të Uruguait dhe plotësisht i arsyetoi të priturat nga ai. Ai shënoi tre gola në këtë garë dhe ishte parametër ideal në sulm për Diego Forlanin, futbollistin më të mirë të botërorit. Suarez përveç lojës së tij të shkëlqyeshme me këmbë u shqua edhe për lojën me dorë sepse në çerekfinale me Ganën e “priti” një gjuajtje të ganezëve duke shpëtuar golin e sigurt të tyre. Suarez më pas u ndëshkua me karton të kuq, Gian Asamoa huqi penalltinë e akorduar pas ndërhyrjes së Suarezit dhe Uruguai u plasua në gjysmëfinale të botërorit për herë të parë pas 40 vjetëve.

Para botërorit çmimi i Suarezit vlerësohej rreth 20 milion euro, kurse tani spekulohet se Mançester Junajtedi mund ta dyfishojë këtë çmim për ta sjellur atë në radhët e veta.

Është me rëndësi të quhesh Myler

Tomas Myler shquhej si talent i futbollit në Gjermani, mirëpo, shumë njerëz e kritikonin Luis van Halin sepse i jepte shumë minuta Mylerit në ndeshjet e Bajernit. Mirëpo, Myler nuk hezitoi që tërë talentin dhe përkushtimin e tij në lojë ta tregojë në botëror dhe ta fitojë Këpucën e Artë të botërorit në moshën 20 vjeçare. Myler në këtë garë shënoi 5 gola dhe pati tri asistime duke qenë sulmuesi më i mirë dhe duke realizuar në moshë shumë të re ëndrrën e çdo sulmuesi. Ai po ashtu u shpall lojtari më i mirë i ri i këtij botërori dhe që nga ky sezon si do të trajtohet me shumë të drejtë si një prej yjeve të futbollit gjerman dhe botëror. Mbetet të shihet se si do të ballafaqohet ai me presionin që sjell statusi i ri.

Dos Santos rishfaqet

Gjoavni dos Santos është një prej pak lojtarëve që është bërë super-yll i futbollit pa luajtur asnjë ndeshje për ekipin e parë të klubit të tij. Videot e Dos Santosit në ndeshje te ekipeve të të rinjve të Barcelonës shikoheshin nga qindra mija njerëz në internet dhe ai pritej të ishte futbollisti më i mirë në botë para se ti mbushte 20 vjet.

Ardhja e tij në skenë si sendor nuk ishte aq e shpejtë, kështu që ai iku nga Barcelona në Totenhem por edhe klubi anglez e huazoi atë së pari në Fulham e më pas në Galatasaraj. Mirëpo, në këtë botëror Dos Santos shkëlqeu në fanellën e reprezentacionit të Meksikës duke shfaqur një pjesë të potencialit të tij të madh si mesfushor. Sezoni i ardhshëm mund të jetë vendimtar në karrierën e tij dhe mund të tregojë a do jetë Dos Santos futbollist i klasit botëror, apo një talent i madh që shkon huq.

Ylli i ri afrikan

Andre Ajev ka qenë një prej futbollistëve më të talentuar afrikan për vite me radhë por ka pasur probleme të dalë nga hija e babait të tij dhe të tregojë se është më shumë se sa djali i Abedi Pelesë së njohur. Mirëpo, në këtë botëror atij i erdhi rasti të tregojë talentin e tij në plotësi dhe ai e bëri këtë duke qenë një prej futbollistëve më të mirë të reprezentacionit të Ganës dhe kandidat i fuqishëm për lojtarin më të mirë të ri të botërorit.

Ajev me Ganën ka qenë kampion bote si junior dhe në këtë botëror mund të ketë nisur një ciklës të sukseseve të këtij reprezentacioni për të ardhmen. Po ashtu ai edhe në Evropë njihet si futbollist perspektiv tani ka gjasa të mira të sigurojë vend në ndonjërin prej ekipeve të mëdha.

El nino maravilla

Aleksis Sançez që nga shkuarja e tij në Udineze ka qenë i identifikuar si talent i madh i futbollit, por ishte loja e tij me reprezentacionin e Kilit ajo që atij ia dha nofkën “Dajloshi i mrekullueshëm”.

Sançez tregoi përgatitje të shkëlqyeshme teknike në këtë garë dhe paralajmëroi se mund të jetë ylli i radhës i futbollit latin në Evropë dhe kiliani i parë që nga koha e Marselo Salasit e Ivan Zamoranos që mund të luajë në sulmin ose mesfushën e ekipeve të mëdha evropiane. Me 21 vjet dhe një botëror të shkëlqyeshëm pas tij si dhe një vend të sigurt në një ekip solid në Serie A, Sançez para vetes ka një të ardhme të ndritshme. /botasot

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni