Mesfushori i Barcelonës, Xavi, ka thënë se ardhja e David Villës është një përforcim adekuat për skuadrën e Barcelonës.
Ai e thërret edhe Fabregasin e Arsenalit, me një dëshirë që të gjithë emrat e njohur të botës së futbollit të jenë në Barcelonë, e cila udhëhiqet nga sulmuesi më i mirë në botë, Lionel Messi.
Havi nuk ka qenë aspak xheloz, por ka shprehur mirëseardhje sulmuesit nga Valencia, Villa.
“Villa është këtu për ta bërë diferencën, është kënaqësi ta kesh Villën në cilindo ekip. Ai është sulmues i madh dhe është në gjendje të luajë në qendër, ashtu si në krah.Ai është shumë dinamik dhe gjithnjë është duke e kërkuar golin kundërshtar. Mund të thoni që loja e tij është e ngjashme me atë të Samuel Eto’o. Ai ka luajtur me shumë prej nesh në kombëtare dhe ka luajtur në kampionatin spanjoll për shumë vite, kështu që nuk do të ketë probleme të adoptimit”, tha Havi.
Mesfushori katalunas mezi pret t’i bashkëngjitet edhe Fabregasi skuadrës së tij që do të jenë një përforcim i fuqishëm për kampionin e ri spanjoll.
“Villa dhe Cesc Fabregas, nëse ai vjen gjithashtu, janë të mirëseardhur për të na ndihmuar të vazhdojmë ta luajmë futbollin që na karakterizon neve dhe të arrijmë suksese të mëtutjeshme”, tha Xavi.
Barcelona është ndër klubet e para spanjolle që ka sjellë përforcimin e duhur, por pritet edhe rivali i saj i përjetshëm, Reali Madridi në ditët e ardhshme të bëjë përforcime.









