Drejtori i ekipit të Ferrarit në Formula 1 Stefano Domenikali ka kërkuar që të ndryshohen rregullat rreth automobilit të sigurisë në mënyrë që sporti të jetë më kredibil.
Domenikali në një deklarim për media ka thënë se “dënimet që aplikohen për shkelje të rregullave duhet të jenë më strikte dhe më të drejta” duke aluduar në ndodhitë në garën e djeshme në Valencia. Në këtë garë Luis Hemilton i MekLarenit e tejkaloi automobilin e sigurisë në shteg duke shkelur rregullat por duke përfituar shumë në kohë, kurse dy ngasësit e Ferrarit qëndruan prapa automobilit të sigurisë siç thuhet në rregulla, mirëpo, humbën një rreth të shpejtë dhe ratin për pit-stop të shpejtë.
Hemtiloni për këtë shkelje u dënua me një kalim nëpër pit stop, kurse pas garës edhe nëntë ngasës të tjerë u dënuan me nga 5 sekonda shtesë në kohën e tyre të garës, mirëpo, Fernando Alonso dhe zyrtarët e ekipit të Ferrarit kanë reaguar ashpër ndaj dënimeve duke i vlerësuar ato si jot ë drejta dhe duke e quajtur garën “të manipuluar”.
Pas këtyre deklaratave të Ferrarit, Luis Hemilton, i cili në garë përfundoi i dyti prapa ngasësit të Red Bulit Sebastian Fetel ka deklaruar se ai nuk ka shkelur rregullat me qëllim dheu ka bërë thirrje ngasësve të tjera që ti respektojnë rregullat. “Unë e kreva dënimin tim. Nuk ka asgjë të padrejtë këtu” ka deklaruar ndër të tjera Hemilton. Rreth garës për Shpërblimin e Madh të Evropës që është gara më kundërthënëse e këtij sezoni, është deklaruar edhe ekipi i Red Bulit.
“Nuk bëhet fjalë për manipulim të garës. Rregullat kësaj radhe nuk ishin në favor të Ferrarit. Hemiltoni i shkeli rregullat, mirëpo, për këtë u dënua kështu që nuk mund të flitet për manipulim” ka deklaruar shefi I këtij ekipi Kristian Horner.
Gara e Valencias ishte e nënta në kalendarin e sivjetmë të Formulës 1. Gara e ardhshme është ajo për SHM të Britansië së Madhe që zhvillohet në Silverston më 11 korrik.









