Los Anxheles Lejkers arritën ta mbrojnë titullin e kampionit të ligës NBA, pasi në ndeshjen e shtatë dhe të fundit të serisë finale mposhtën ekipin Boston Seltiks me rezultat 83:79.
Ndeshja e shtatë dhe 48 minuta basketboll shumë intensiv dhe interesant duke bërë që kjo seri finale menjëherë të konsiderohet si e veçantë në historinë e ligës NBA. Lejkersët në pjesën e parë gjuajtën me vetëm 26 për qind efikasitet nga fusha, që është shifër e mjerueshme për një ndeshje të këtillë, por kishin numër më të madhe të gjuajtjeve sesa Seltiksët për shkak të numrit të madh të kërcimeve në sulm në saje të mbizotërimit në të dy trapezet.
Lejkersët arritën 23 kërcime në sulm përgjatë kësaj ndeshjeje, 15 më shumë sesa kundërshtarët e tyre, të cilët pa Kendrik Perkinsin e lënduar kishin probleme serioze në trapez dhe shpesh nuk kishim përgjigje në fazën defanzive për lojën e Pau Gasolit dhe Endru Bajnumit. Bostoni e përfundoi pjesën e parë me epërsi 40:34, kurse në çerekun e tretë krijuan epërsi prej 13 pikëve, mirëpo, në minutat e fundit Pau Gasol, Kobi Brajant dhe Ron Artest shkëlqyen në të dyja fazat e lojës duke e barazuar rezultatin 7 minuta para fundit, më pas duke e dërguar ekipin e tyre në epërsi dhe duke e mbajtur epërsinë deri në fund.
Zemra e kampionit
“Asnjëherë nuk bën të nënçmohet zemra e kampionit”. Kështu një herë kishte deklaruar Rudi Tomjenoviç dhe kjo thënie përsëritet shpesh në ndeshjet ku guximi dhe zemra e madhe kanë më shumë rëndësi sesa shkathtësitë dhe saktësia e gjuajtjeve. Seltiksët në këtë ndeshje kanë luajtur mbrojtje fenomenale ndaj Kobi Brajantit duke e lejuar atë të shënojë 6 herë nga loja nga 24 tentime, mirëpo, në çerekun e katërt Brajant shënoi 8 gjuajtje të lira nga 9 tentime dhe luajti mbrojtje në maksimum të mundësive të tij.
Brajant në këtë ndeshje u ndihmua shumë nga bashkëlojtarët e tij (Pau Gasol me 19 pikë e 18 kërcime e Ron Artest me 20 pikë), kurse statistikat thonë se ai përgjatë serisë finale ka shënuar mbi 26 pikë për ndeshje dhe është dëshmuar si lider i ekipit të tij. Ky është titulli i pestë i Kobi Brajantit në karrierë, kurse hera e dytë që ai shpallet lojtari më i mirë (MVP) i serisë finale. Këto shifra Brajantin e bëjnë legjendë në basketboll, kurse loja e tij në serinë finale është dëshmi se ai është një prej basketbollistëve më të mirë në botë, nëse jo më i miri. Brajant, i cili për herë të parë luajti seri finale që shkoi në shtatë ndeshje pas përfundimit të ndeshjes nuk hezitoi të shprehë gëzimin e tij dhe të respektin për rivalitetin e Los Anxhelesit me Bosotnin në basketboll. “Nga të gjithë titujt, ky është bindshëm më i ëmbli, sepse ishte i fituar kundër tyre. Kur e dëshiron shumë një gjë, ndodhë që nga dëshira e tepërt të gabosh, por sonte ishin bashkëlojtarët e mi ata që më ngritën” deklaroi Brajant. Me pesë tituj të fituar brenda një dekade dhe me një devotshmëri të madhe ndaj një ekipi të suksesshëm, Barajnt është model se si udhëhiqet ekipi nga një super-yll.
Dinasti e madhe sportive
Titulli i sivjetmë është i 16-ti në historinë e ekipit Lejkers (NBA-ja nuk pranon titullin e vitit 1948 të fituar nga ky ekip në ligën NBL), gjë që këtë ekip e rangon në pozitë ne dytë të të gjitha kohëve pas Seltiksëve që kanë 17 tituj. Mirëpo, Lejkersët në ligën NBA përgjatë dekadës së fundit kanë qenë sinonim për sukses jo vetëm në basketboll dhe kanë treguar se si mund të ndërtohet një dinasti sportive. Fil Xhekson duke qenë trajneri më i mirë në botë me këtë ekip fitoi tre tituj në periudhën 2000-2002 me Kobi Brajantin e Shekil O’Nilin si yje të ekipit dhe me një numër të madh të lojtarëve të tjerë solid. O’Nil shkoi më pas nga ekipi, përkohësisht edhe Xhekson u tërhoq nga basketbolli, për tu kthyer më pas dhe për të ndërtuar një ekip të shkëlqyeshëm rreth Kobi Brajantit dhe për ti fituar edhe dy tituj me radhë. Ende nuk dihet nëse Xhekson, i cili mban rekordin me 11 tituj në NBA do të vazhdojë ti prijë këtij ekipi apo do të tërhiqet pas këtij sezoni, por potenciali i Lejkersëve është vërtetë i madh.
Kobi Brajant në ekip ka lojtarë si Pau Gasol, Ron Artest, Enru Bajnum, Derek Fisher, Xhordan Farmar e Sasha Vujaqiq, që tashmë janë kampionë të shumëfishtë në NBA-së dhe të lidhur me kontrata afatgjate me Lejkersët. Që kur Xheri vest kishte marrë për sipër menaxhimin e këtij ekipi dhe kishte sjellur Kobi Brajantin në ekip më 1996, Lejkersët kanë fituar pesë tituj, kanë qenë edhe dy herë të tjera në finale, asnjëherë nuk e kanë huqur plejofin dhe në vazhdimësi janë ndër ekipet me fitimet më të mëdha në ligë, kurse të gjitha këto statistika mund të begatohen edhe më tej nëse kjo gjeneratë e lojtarëve vazhdon të luajë si në këtë sezon, gjë që është gjithsesi e mundur kur shikohet potenciali i lojtarëve.
Gjenerata e Seltiksëve përfundoi misionin e vet?!
Në sezonin 2006/2007, Seltiksët ishin ekipi më i dobët në NBA. Në sezonin e ardhshëm ky ekip trasnferoi në radhët e veta Kevin Garnetin dhe Rej Alenin, e vazhdoi kontratën me Pol Pirsin dhe u shndërrua në ekipin më të mirë në botë, duke e fituar titullin e kampionit të ligës. Mirëpo, katër nga pesë lojtarët startues të këtij ekipi në ndeshjen e shtatë finale (Pirs, Alen, Garnet dhe Valas) janë mbi 30 vjeç dhe gjasat e tyre që të arrijnë sërish në finale të ligës janë të vogla, meqë përveç konkurrencës duhet të luftojnë me moshën, lëndimet dhe egot e bashkëlojtarëve më të rinj.
Ky ekip i përbërë nga veteranë të sprovuar në gjithçka e kishte rastin që të hyjë në histori dhe ta kthejë Bostonin në majë të basketbollit amerikan e botëror, mirëpo, nuk e shfrytëzoi atë dhe mbase duhet të pajtohet se kjo ishte dekada e Lejkersëve, se dy dekadat e fundit i takojnë Fil Xheksonit si trajner dhe se për titull në NBA kërkohen shumë më shumë gjëra sesa vetëm talenti i lojtarëve brenda një ekipi. /botasot









