Home » Sporte tjera » Trofetë në Prishtinë

Trofetë në Prishtinë

Nën organizimin Federatës së Pingpongut të Kosovës, në Prishtinë, janë mbajtur garat e Kupës së Kosovës në konkurrencën ekipore për të dyja konkurrencat (Femra-meshkuj).

Si në konkurrencën e femrave po ashtu edhe te meshkujt fitues kanë dalë pingpongistët e KPP “Prishtina”, të cilët shfaqën paraqitje të kënaqshme. Në konkurrencën e meshkujve Prishtina më në fund arriti të ndalë serinë e sukseseve të skuadrës tjetër kryeqytetase, Elting Kosova. Në atë të femrave, vazhdoi dominimi i Prishtinës. Edhe këtë vit në konkurrencën e meshkujve pati më shumë skuadra të cilat u paraqitën për pjesëmarrje 17 sosh, ndërkaq në atë të femrave morën pjesë vetëm 7 ekipe.

Për skuadrën fituese të meshkujve u paraqitën të rinjtë: Ylli Prestreshi, Rinor Çitaku dhe Betim Sejdiu. Ata në finale ishin më të mirë se Rrahman Ademi, Jeton Oriqi dhe Jeton Azizi të Eltingut, ndaj të cilëve fituan me rezultat 3:1. Ndërkaq në skuadrën fituese te femrat, ishin Besire Domaniku, Arjeta Terstena dhe Amare Janjeva të cilat shënuan fitore bindëse në finale ndaj Dritës së Gjilanit. Këto ballafaqime i drejtuan dy gjyqtarët ndërkombëtar Shefqet Jashari, Abedin Bahtiri si dhe Idriz Prestreshi e Shaip Bajqinca. Në fund kapitenëve, Besire Domanikut dhe Betim Sejdiut, Kupën e Republikës së Kosovës ia dorëzoi, sekretari i përgjithshëm i FPPK-së, Nehat Çitaku.

Ajo që është më brengosëse për pingpongistët e Kosovës janë numri i vogël i shikuesve. Edhe këtë garë si herëve të tjera në njërën nga sallat e vogla të Pallatit të Rinisë e Sporeve e ndoqën thuajse vetëm pjesëmarrëset e saj. Megjithëkëtë numri dy i FPPK-së, Nehat Çitaku, ndër të tjera thotë se nuk është brengosës ky fakt pasi edhe që sipas tij edhe garat e tilla në vendet tjera botërore nuk e ndjekin shumë shikues. Ndoshta viteve të ardhshme do të shtohet sadopak interesimi për ndjekjen e këtij sporti që është ndër të rrallit i pranuar në arenën ndërkombëtare.

Nehat Çitaku, sekretar i përgjithshëm i FPPK-së dhe trajner i KP Prishtina (femrat):

Këto gara patën një konkurrencë të fortë dhe rrjedhën në mënyrën më të mirë. Në si federatë jemi të kënaqur si me numrin e ekipeve pjesëmarrëse po ashtu edhe me paraqitjen e tyre. Pas një kohe të gjatë Prishtina ngadhënjeu ndaj skuadrës tjetër kryeqytetase, KP Elting Kosova, duke dëshmuar se edhe në pingpong konkurrenca është në ngritje.

Mund të them në se në të dyja konkurrenca gara ka qenë e fortë. Në bazë të këtyre paraqitjeve mund të presim rezultate të mira edhe në turneun e Stambollit që do të mbahet për juniorë e kadetë nga 15 deri me 26 korrik të këtij viti.

Bujar Jashari, trajner i KPP Prishtina (meshkujt)

Garën e vlerësoj shumë të suksesshme, kishte mjaftë ekipe të cilat u paraqitën me pingpongistë të dalluar. Megjithatë dy skuadrat e Prishtinës, ne dhe Elting Kosova, treguam që jemi më cilësoret në vend dhe jo rastësisht mbajmë pozitat e para në grupet tona përkatëse. Më e mira nga këto është se ne po bazohemi në pingpongist të rinj të cilët edhe do të na përfaqësojnë në arenën ndërkombëtare për një kohë të gjatë.

Besire Domaniku, kapitene e KPP Prishtina (femrat)

Ishte një kënaqësi që mora pjesë edhe këtë vit, siç dihet unë më herët jam përshëndetur nga garat individuale dhe do të vazhdoj të marrë pjesë vetëm në ato ekipore. Edhe kësaj radhe Prishtina dëshmoi superioritetin e vet dhe besoj se kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Edhe te brezi i ri jam shumë e kënaqur të cilat po punojnë dhe dëshmojnë se do të sjellin suksese edhe nga arena ndërkombëtare.

Betim Sejdiu, kapiten i KPP Prishtina (meshkujt)

Pranimi i Kupës së Republikës së Kosovës, ishte kënaqësi që nuk përjetohet shpesh. Pas lojërave besoj të pëlqyera për adhuruesit e këtij sporti ia dolëm që edhe në finale të mposhtim konkurrentin tonë të fortë. Pos ngadhënjimit në garat e kupës besoj se kemi dëshmuar se jemi përgatitur që të arrimë rezultate edhe në garat ndërkombëtare që do t’i kemi si tani në Stamboll po ashtu edhe në garat e shtatorit.

Shaip Shala, gjyqtarë

Këto gara na shërbyen shumë për përgatitjen si tonën po ashtu e edhe të kampionatit evropianin në Turqi, pasi pos pingpongistëve do të paraqitemi edhe ne gjyqtarët, që pos meje do të jetë edhe kolegu Abedin Bahtiri.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati
Etiketat:

Komentoni