Së paku 30 persona janë lënduar pasi një numër i dëshpëruar i tifozëve të futbollit kanë shkatërruar së paku 20 vetura në Bangladesh, pasi ndërprerja e energjisë elektrike ua pamundësoi të përcillnin ndeshjet e Botërorit.
Tifozët në kryeqendrën Dhaka, nuk kanë pasur mundësinë të shihnin ndeshjen ndërmjet Argjentinës dhe Nigerisë.
“Shumë dëm është shkaktuar në qendrën e energjisë Sayedabad, kur persona të rinj me shkopinj dhe me gur kanë sulmuar vende të ndryshme, sa herë që ka pasur ndërprerje të rrymës në qytet. Ne nuk kemi përdorur forcën pasi kjo do të mund të acaronte situatën edhe më tej”, ka thënë një zyrtar i policisë.
Qindra policë janë përkujdesur që të kthehet rendi.
Bangladeshi gjendet në pozitën e 157-të në renditjen e FIFA-s, por futbolli është shumë i popullarizuar në vendin e Azisë Jugore, ku janë vendosur edhe flamujt e shteteve pjesëmarrëse të “Afrikës së Jugut 2010″.
Ndërkohë, Bangladeshi nuk ka qenë vendi i vetëm ku tifozët nuk kanë mundur të shijonin Botërorin 2010 nëpërmjet ekraneve televizive. Shumë tifozë anglezë nuk kanë qenë në gjendje të shihnin golin e Përfaqësueses së tyre në barazimin 1:1 me SHBA-në të shtunën mbrëma, për shkak të një gabimi të transmetuesit britanik ITV. Transmetuesi në momentin kur Steven Gerrard ka shënuar gol në minutën e katërt, ka qenë duke shfaqur një reklamë të veturave. Ky gjest ka inatosur miliona tifozë në Britani që kanë përcjellë ndeshjen nëpërmjet TV-së.
“Një problem transmetimi ka prekur përkohësisht kanalin ITV1 të definicionit të lartë gjatë ndeshjes Angli – SHBA. Por, kanali ITV i definicionit standard ka vazhduar pa pengesa. Ne kërkojmë falje për pengimin në transmetim”, ka thënë një zyrtar i transmetuesit ITV.
Një pronar i një lokali ka treguar skenën që ka ndodhur pasi që tifozët e kanë kuptuar se çfarë ndodhi.
“Mllefi ishte i pakontrolluar kur kuptuan se ishte shënuar gol, ndërsa po shkonte reklama. Ka pasur shumë mllef në lokal. Ne të gjithë kemi telefonuar shokët që kanë qenë duke përcjell]ë ndeshjen në transmetim pa rezolucion të lartë. Ne u kemi kërkuar atyre të në tregonin se si u shënua goli”, ka thënë Andy Quinn-Williams, pronar i lokalit “Three Tunnes” në Stockport.
Po ashtu të premten kishte shkaktuar pakënaqësi te tifozët edhe televizioni arab Al Jazera Sport. Ky televizion nuk e kishte transmetuar fare pjesën e parë të ndeshjes hapëse të Botërorit 2010 mes Afrikës së Jugut dhe Meksikës, siç u tha për shkak të një shantazhi të bërë nga brenda. /kohanet









