Home » Kampionati Kosovar » Trajneri dhe lojtarët e Drenicës kërcënojnë me bojkot

Trajneri dhe lojtarët e Drenicës kërcënojnë me bojkot

Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, ka thënë se Kuvendi Komunal i Skenderajt ka dy ditë afat që të bëjë rregullimin e gjendjes në skuadrën që drejton ai, përndryshe ai ka kërcënuar me largim kolektiv. Lushtaku thotë se bashkë me të do të largohen edhe lojtarët në mungesë të organizimit dhe mjeteve financiare. Lojtarët ka disa muaj që nuk kanë marrë pagat, ndërkohë Lushtaku ngul këmbë se klubi ka kryesi vetëm në letër.

“Kriza financiare ende nuk është zgjidhur dhe po e dëmton klubin. Nuk ka organizim të mirë, nuk ka as kryesi. Kryesia ekziston vetëm në letër, pasi anëtarët e saj asnjëherë nuk janë prezantuar para ekipit. Prej se kemi filluar e deri më tash nuk kemi mbështetje nga kjo kryesi e re. Lojtarët nuk kanë marrë pagat e as mjetet për rrugëtim prej stinorit të kaluar. Një muaj e gjysmë pa përfunduar kampionati i kaluar kemi marrë pagën e fundit”, ka thënë të hënën Lushtaku.

Drenica në pesë xhirot e para ka arritur të grumbullojë katër pikë dhe gjendet në pozitën e fundit. Ka fituar ndaj Besës (1:0), kurse ka barazuar me Trepçën (1:1) dhe ka pësuar disfata nga KEK-u (1:0), Hysi (3:1) e Vëllaznimi (2:0).

“Ankesat vijnë çdo ditë nga futbollistët. Ata dy ditë para ndeshjes me Vëllaznimin kanë refuzuar të stërviten. Ne do të kemi një takim brenda këtyre dy ditëve me lojtarë dhe të shohim se a do të vazhdojmë apo ta lëmë me kaq. Kështu nuk vazhdohet më dhe i kanë afat dy ditë që të rregullojnë punët, në të kundërtën ne do të tërhiqemi nga Drenica”. Qëndrimin e trajnerit e mbështet edhe kapiteni i skuadrës, Sami Geci. Ai pohon se në klub po mbretëron gjendje kaosi.

“Ne do të kemi një takim të martën, në rast se nuk gjendet ndonjë zgjidhje do të bojkotojmë klubin. Ne po luajmë pa kontrata dhe pa para”, ka thënë Geci.

Ndërkohë, kryetari i Kryesisë së Drenicës, Rafet Rama, nuk ka dashur të komentojë shqetësimet e trajnerit Lushtaku dhe të tjerëve. “Kur të bisedoj me trajnerin dhe me lojtarët do të jap më shumë informacione”, ka thënë Rama të hënën për gazetën.

Të mërkurën tifozët protestojnë para KK të Skenderajt

Klubi i tifozëve të Drenicës “Shqiponjat e zeza” për të mërkurën ka paralajmëruar protestë para Kuvendit Komunal të Skenderajt (12:00), ka bërë të ditur të hënën kryetari i këtij grupi, Hilmi Veliu.
“Duke i parë të gjitha padrejtësitë që po i bëhen klubit tonë të zemrës kemi vendosur që të mërkurën të dalim në protestë para Komunës. Ata janë duke e çuar klubin drejt shkatërrimit, pasi ata nuk kanë ndjenja për sport. Ata po u shmangen përgjegjësive që u takojnë duke e lënë klubin në mëshirën e askujt. Ftoj simpatizuesit e Drenicës të dalin në numër sa më të madh dhe t’i themi ‘Mjaft’ këtij injorimi që po i bëhet nga kryesia e tashme e cila nuk është e aftë dhe e interesuar t’i kryej obligimet e veta”, ka thënë Veliu të hënën. “I lutemi kryetarit të Komunës, z. Sami Lushtaku, që menjëherë të marrë masa për rregullimin e gjendjes në klubin Drenica”.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni