Klubi me traditë të hendbollit, Kastrioti i Ferizajt, ka bërë ndryshime e para për edicionin e ri. E para, Fatmir Syla është tërhequr nga posti i kryetrajnerit për arsyet personale.
E dyta, janë liruar dy hendbollistë nga Maqedonia si dhe përforcohen me dy hendbollistë më përvojë vendas. E treta, është zgjedhur edhe çështja e sponsorit gjeneral. Kastrioti edicionit 2010-11 i hynë me ambicie shumë të mëdha si në luftw që ta mbrojë titullin e kampionit po ashtu edhe të kërkojë kupën e Kosovës. Cilat ishin arsyet më konkrete që Syla është tërhequr nga posti i kryetrajnerit? “Tërheqja ime është thjeshtë personale, për faktin se kam obligime të tjera”, tha shkurt Syla.
Nga ana tjetër, kryesia e klubit pas bisedave më shumë trajnerë ka arritur në fund të merret vesh me Skendër Sahitin, që të jetë kryetrajner i ri deri në fund të kampionatit. Lajmin e bëri të ditur kryetari i klubit Izet Rushiti. “Me Skënder Sahitin kemi folur gjerë e gjatë dhe kemi rënë në ujdi që ai të udhëheq skuadrën deri në fund të kampionatit. Kemi kërkuar që të punojë më shumë më të rinj, t’i jap hapësirë më shumës hendbollistëve vendas”, tha Rushiti.
Skëndër Sahiti është portieri i gjeneratës së artë të ish-Borcit në vitet 80-ta. Sahiti një kohë ka ushtruar zejen e trajnerit në klubet italiane dhe ka një përvojë të mirë. Ardhja e Sahitit në krye të klubit konsiderohet si shumë e rëndësishme jo vetëm nga drejtuesit e klubit. “Emërimi për kryetrajner i Sahitit është një hap i rëndësishëm që besojmë se do të realizojmë edhe objektivat që kemi para vetes qoftë në arenën ndërkombëtare po ashtu edhe në garat e Republikës së Kosovës”, tha Rushiti.
Pse Dobroshi largohet nga Prishtina?
Hendbollisti më përvojë të gjatë në radhët e Prishtinës, Alban Dobroshi, do të jetë tash e tutje pjesë e Kastriotit nga Ferizaj. Kryetari i klubit Rushiti tha se ferizajasit janë përforcuar me dy hendbollistë prishtinas, Hektor Dobroshin, portier dhe Alban Dobroshin hendbollist. Ditë më parë kryetrajneri i Prishtinës, Taib Kabashi, ka thënë se në Prishtinë nuk do të ketë vend për hendbollistë mbi 22 vjet, me siguri edhe kjo ka qenë arsye që Alban Dobroshi është larguar nga Prishtina. “Absolutisht nuk qëndron ajo se Prishtina do të bëjë skuadrën e re me hendbollistë ndër 22 vjet. Dëshira ime ka qenë të kalojë në radhët e Kastriotit dhe më këtë skuadër të luftojmë për titullin e kampionit dhe trofeun e kupës. Kur isha në Besë u bëmë kampion sikurse edhe me Prishtinën. Ku jam shkuar edhe kam fituar trofe, andaj një gjë synoj edhe me Kastriotin, e cila është një skuadër me traditë. Në Ferizaj më kanë pritur shumë mirë dhe kam firmosur kontratën njëvjeçare”, tha Dobroshi.
Largohen dy hendbollistë maqedonas!
Kastrioti kësaj herë është treguar i pamëshirshëm për dy hendbollistë maqedonas. Goce Jovqevski dhe Petar Kogoj janë liruar nga klubi si tepricë dhe të panevojshme. “Kogoj dhe Jovqevski nuk janë pjesë e Kastriotit. Është vendim i kryesisë së klubit që mos të kemi më shumë se dy hendbollistë të huaj në klub. Synimi jonë është të kemi sa më shumë hendbollistë vendas dhe të rinj”, ka thënë Rushiti.
Zgjidhet sponsori gjeneral, hiqen shumica e telasheve
Kastrioti deri më tash ka pasur telashe se kush do të jetë edhe sponsor gjeneral. Puna e palodhshme e kryetarit të klubit, Rushiti, bëri të veten. Sponsor gjeneral i klubit do të jetë kompania “Mirosi” si dhe disa kompani të tjera. “Mendoj se pak a shumë janë hequr telashet, por jo në tërësi. Sponsori është zgjedhur, por kam mjaft punë të tjera për t’u bërë në klub. Synojmë që klubi të ndërtojmë në mënyrën më të mirë dhe të kthejmë edhe namin e dikurshëm. Në radhë të parë të përforcohemi në të gjitha aspektet sidomos për ndeshjen e parë ndërkombëtare, e cila na pret me 4 shtator të këtij viti”, tha Rushiti. Kastrioti që gjithmonë ka pasur telashe të mëdha duket se sivjet do të jetë më i relaksuar pasi ka nisur problemet t’i zgjedh me kohë. /botasot









