Për herë të tretë do të mbahet turneun ndërkombëtar kushtuar trajnerit legjendar të boksit, Lah Nimani.
Krerët e Federatës së Boksit të Kosovës bënë të ditur se ky turne është i treti më radhë dhe do të jetë më madhështor se dy të parët. Turneu mbahet të shtunën, me 29 maj, në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë. Zyrtarët e federatës thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për këtë turne dhe presin meçe cilësore.
Sekretari i përgjithshëm i FBOXK-së, Mehmet Bogujevci, ka thënë se do të marrin pjesë boksierët nga shtetet e ndryshme për ta nderuar legjendarin e boksit, Lah Nimani, i cili në ish-ligën federative qe bërë pesë herë kampion me klubin e boksit Prishtina. “Përgatitjet për organizimin e këtij turneut shkojnë në mënyrën më të mirë. Boksierët nga tetë shtete kanë bërë edhe konfirmimin që do të jenë pjesëmarrës në turneun e tretë më radhë kushtuar Lah Nimani.
Në turne marrin pjesë: boksierët nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Çekia, Mali i Zi, Maqedonia, Novi Pazari si dhe boksierë nga Kosova Lindore. Në çdo kategori presim meçe të cilësisë së lartë që do ta madhështonin këtë turne”, tha Bogujevci.
Ai shtoi: “Në turne përveç boksierëve seniorë, do të boksojnë edhe boksierët e kategorisë së juniorëve. Do të bëjmë këtë përzierje për hir të rritjes së cilësisë. Po ashtu kemi planifikuar edhe dy meçe në konkurrencën e femrave, që shpresojmë do të bëjmë edhe më atraktiv turneun”.
Drejtori i Departamentit të Sportit të Kosovës, Ibër Alaj, tha se është kënaqësi kur mbështetë turne të nivelit të tillë, duke pasur parasysh emrin e legjendarit të boksit, Lah Nimani.
“Është kënaqësi e madhe të mbështetësh organizimin e një turneu kushtuar figurës së ndritshme të boksit të Kosovës. Shpresojmë se do të kemi meçe sa më cilësore, sepse në këtë mënyrë do të nderonim në mënyrën më të mirë trajnerin legjendar Lah Nimani”, tha Alaj.
Edhe përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Xhevdet Peci, është shprehur optimist se me të përzgjedhurit e tij do të dëshmojë boks të cilësisë së lartë.
“Boksierët janë të përgatitur në çdo pikëpamje dhe besoj se do të dëshmojnë cilësi”, tha Peci.
Sipas tij, prej 1 gushti do të tubohet kombëtarja e Kosovës, kur fillojnë edhe përgatitjet për garat e Euroligës. Peci tha se deri në shtator pritet që të zhvillojnë edhe dy meçe miqësore me kombëtaren e Malit të Zi dhe të Bosnjë e Hercegovinës. /botasot









