Njëri prej futbollistëve më të mirë të Lirisë së Prizrenit, Uliks Emra, tha se qëllimi i skuadrës së tij është të dëshmojnë futboll cilësorë në Raiffeisen Superligën e Kosovës.
Liria është në vendin e katërt me 40 pikë të tubuara dhe vetëm shtatë pikë larg vendit të parë në tabelë, Trepçës. Prizrenasit në stinorin pranveror po dëshmojnë lojëra mjaft të mira dhe si rezultat i kësaj ende shpresojnë të luftojnë për titullin e kampionit. Emra tha se Liria nuk e ka edhe prioritet që të ndjekin titullin, por synim është që të luajnë futboll të hapur dhe cilësorë për të kënaqur adhuruesit.
Uliks Emra ndeshjen me Hysin e sheh si një mundësi që mund të futen në valle seriozisht për titull. Sipas tij, në rast të fitores, Liria do të rishqyrtojë pozicionin e saj sa i përket luftës për titull.
“Me Hysin të mërkurën e kemi një ndeshje mjaft të vështirë. Me plotë kuptimin e fjalës them se ky ballafaqim është edhe derbi i javës dhe tërë opinioni i ka sytë të drejtuar nga kjo ndeshje. Megjithatë, si skuadër nuk jemi të preokupuar se çfarë rezultati do të ketë kjo ndeshje, por parësore te ne është të dëshmojmë futboll cilësorë. Në Merdare do të shfaqim lojë të hapur dhe të arsyetojmë derbin e kësaj jave. Synimi jonë është të fitojmë tri pikë, të cilat do të shtyjnë Lirinë të rishqyrtojë synimet e saja në luftë për titullin e kampionit. Nuk jemi larg për titull, megjithëse nuk e kemi edhe prioritet. Shtatë pikë nga vendi i parë nuk janë edhe shumë dhe të paarritshme, megjithatë synimi jonë është të luajmë futboll cilësorë sepse futbolli luhet për t’i kënaqur adhuruesit”, theksoi Emra.
Liria nuk do të jetë komplet për sfidën me Hysin në Merdare. Këtë ndeshje do të mungojë njëri prej futbollistëve më përvojë dhe njëherësh kapiten i skuadrës, Fitim Krusha.
“Sigurisht se do të jetë hendikep mungesa e Krushës, i cili ka tre kartonë të verdhë dhe duhet të pushojë. Me gjithë mungesën e tij, Liria do të shkojë vetëm për rezultat të favorshëm dhe për asgjë tjetër. Futbollistët të tjerë janë të gjithë të gatshëm dhe besojmë se do të dëshmojmë vlerat tonë te një skuadre me traditë ashtu si i ka hije”, ka thënë Emra.
Ndeshja në mes Hysit dhe Lirisë zhvillohet sot në orën 16.00 dhe luhet në stadiumin e futbollit në Merdare të Podujevës.









