Home » Basketbolli i Kosovës » Sigal Prishtina pa kryetar, pret 4 shtatorin!

Sigal Prishtina pa kryetar, pret 4 shtatorin!

Habib Ademi ishte surpriza e Kuvendit të fundit në klubin e Basketbollit Sigal Prishtina, pasi ai mori votat e duhura për të qenë gjatë katër viteve të ardhshme në krye të klubit.

Por, kryetari i klubit më të trofejshëm në basketbollin e Kosovës, vetëm pak javë pasi e kishte marrë detyrën është dorëzuar pa dashur të vazhdoi më tej. Ai edhe pse ende nuk e ka dorëzuar me shkrim kërkesën për dorëheqje, për gazetën Bota Sot është shprehur se tani vetëm e ka marrë këtë vendim dhe është çështje ditësh kur do ta dorëzon atë në bordin e klubit për t’ia përcjell më pas edhe kuvendarëve.

“Unë nuk do të jem kryetar i kuvendit të Sigal Prishtinës, këtë vendim e kamë marrë për shkak të arsyeve personale”, është shprehur Ademi. Njëri ndër ish-basketbollistët më të mirë të vendit tonë i cili pos Sigal Prishtinës kishte luajtur edhe me skuadrat e ndryshme të ligave evropiane, ka bërë të ditur se obligimet e shumta që i ka në punën e tij nuk i mbetët hapësirë të merret edhe me detyrën e kryetarit të klubit. “Unë punoj në kompaninë ‘Dukagjini’ dhe nuk më mjafton koha për të qenë edhe kryetar i klubit, kjo është arsyeja e vetme pse nuk do ta mbaj atë pozitë”, tha ai.

Ademi më pas u shpreh se as që i kishte shkuar në mendje se në kuvendin e fundit do të zgjidhej kryetar i klubit, për atë edhe ka qenë i habitur duke e pranuar detyrën pa u menduar mirë. “Me iu thanë të drejtën unë as që kam pasur kohë të mendohem për detyrën e kryetarit të klubit. Më vonë e analizova dhe mora vendim që të largohem nga ajo pozitë të cilën nuk mund ta kryej si duhet”, tha Ademi.

Krasniqi në pritje…

Përderisa, Habib Ademi tani më vetëm e ka të qartë se çfarë do të bëjë në të ardhmen, ish bashkëlojtari dhe trajneri i tij, Arben Krasniqi nuk e ka as idenë më të vogël se çfarë do të ndodhë me skuadrën dhe me fatin e tij. “Tani jemi në pushimet e zakonshme, të cilët i kemi bërë çdo herë. Por nuk e di se çfarë do të ndodhë me klubin, mua askush nuk më ka kontaktua dhe jam në pritje të zgjedhjes së organeve drejtuese ku më pas do të shohim se a do të vazhdojmë punën së bashku”, tha Krasniqi. Ai me skuadrën e Sigal Prishtinës ka arritur të fitoi të gjitha trofetë e mundshme, ndërkaq në pesë vitet e fundit ka qenë dorë e fuqishme në skuadrën bardh e kaltër. Krasniqi në përfundim të edicionit të kaluar pas mospajtimeve me ish-drejtorin, Ismet Karaxha kishte paraqitur dorëheqje për t’u kthyer sërish në klub dhe të mbroj titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.

Basketbollistët të vetmuar

Edhe pse vetëm pak muaj më parë u shpallën kampion të Kosovës, basketbollistët e Sigal Prishtinës, tani më nuk e kanë të qartë se çfarë do të ndodhë me skuadrën e tyre. Ata të cilëve ia kishte lakmi çdo basketbollist tjetër i klubeve rivale jo vetëm për trofetë e fituara, por edhe për pagesat e rregullta dhe vetë faktin që ishin pjesë e një skuadre mirë të organizuar, tani nuk e dinë se cila do të jetë rruga e tyre në vazhdim.

“Jemi duke pritur se çfarë do të ndodhë me skuadrën, presim që kuvendi i klubit të mbahet me 4 shtator dhe aty të zgjidhen organet e reja të klubit”, -tha kapiteni Edmond Azemi. Ky i fundit u shpreh të jetë në dijeni për dorëheqjen e kryetarit Ademit dhe thotë se pret që në kuvendin e ardhshëm të zgjidhen organet e reja dhe të sigurojnë sponsorin e ri apo të vazhdohet me atë të vjetrin, kompaninë e sigurimeve ‘Sigal’. “Sigurisht në kuvendin e ardhshëm do të zgjidhet kryetari i ri, pasi Ademi dha dorëheqje shpejt, dhe së bashku me të do të zgjidhen edhe organet tjera drejtuese siç është detyra e drejtorit. Mandej do ta shikojnë mundësinë e vazhdimit të marrëveshjes me Sigalin apo të kërkohet ndonjë sponsor i ri”, tha ai. Azemis bëri të ditur se ai dhe disa basketbollistë të klubit janë duke vazhduar stërvitjet në mënyrë individuale ndërkohë e pohon të mos ketë pasur asnjë kontakt me trajnerin, Krasniqi. “Nga trajneri Arben Krasniqi nuk kemi pasur asnjë kontakt, ndërkaq gjatë stërvitjeve takohemi edhe me basketbollist tjerë të klubit, të cilët nuk dëshirojnë të humbin formën sportive”, tha katërshja prishtinase.

Sigal Prishtina në gjatë muajit qershor kishte mbajtur kuvendin e rregullt të klubit, me këtë rast pos kryetarit të ri, kishte zgjedhur edhe anëtarët e bordit. Kuvendarët ishin përcaktuar për dy anëtarët e bordit të kaluar, Veton Kajtazi dhe Osman Breca, ndërsa për herë të parë zgjodhi edhe Albert Dulën, Artan Rugovën dhe Ymer Stanovcin. Sipas statutit të klubit, kryetari ka të drejtën të emëroj edhe dy anëtar tjerë në bord. Ne kontaktuam me njërin nga anëtarët e klubit, Veton Kajtazi, i cili tha se pret që në kuvendin që mbahet në fillim të shtatorit të kompletohen strukturat udhëheqëse të klubit dhe të vazhdohet me sukseset e viteve të fundit të Sigal Prishtinës. /botasot

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati

Komentoni