Shqipëria do të luajë të premten në orën 20 ndeshjen e parë në eliminatoret e Europianit 2012, kundër Rumanisë. Në qytetin e largët të Piatra Neamt, kombëtares kuqezi i duhet të tregojë se rezultatet e mira në miqësoret e fundit nuk kanë qenë një rastësi.
Ekipi shqiptar ka mbërritur pak pas mesditës në aeroportin e Bakaut në Rumani, ndërsa më pas me autobus është drejtuar për në qytetin ku do të luhet ndeshja, ka raportuar News24.
Në orën 18 me orën shqiptare është zhvilluar edhe stërvitja e fundit në stadium, ku Kuzhe ka zgjidhur edhe dilemat e fundit mbi formacionin.
Kështu, Shqipëria do të zbresë në fushë me një sulmues të deklaruar, Bogdanin, i cili do të ketë shumë detyra mbrojtëse përballë një ekipi që do të kërkojë me çdo kusht fitoren. Ndërsa Muzaka ka fituar betejën me Duron për një vend në formacion, ndonëse Kuzhe ende nuk e ka ndarë 100 % mendjen për këtë rol.
Herën e fundit që luajti në Rumani, Shqipëria u mund 6-1, në një nga disfatat më të rënda të viteve të fundit. Por, pas 3 vjetësh nga ajo sfidë, kuqezinjtë besojnë se tani do të jetë ndryshe. Në kampin rumun, entuziazmi duket në qiell në prag të kësaj sfide. Nga 13.400 bileta që ka stadiumi, 10 mijë janë shitur deri të mërkurën në mbrëmje, ndërsa pritet që të mos ketë asnjë stol bosh. Trajneri Razvan Luçesku ka deklaruar se skuadra e tij duhet të fitojë me çdo kusht, pasi nisja e mbarë ka shumë rëndësi.
“Më në fund është koha e ndeshjeve zyrtare, atmosfera në ekip është e shkëlqyer, – deklaroi Luçesku. – Synimi i të gjithëve është kualifikimi dhe do të bëjmë gjithçka për të arritur fitoren në ndeshjen e parë. Është shumë e rëndësishme të fitosh në debutim”. Për ndeshjen ndaj Shqipërisë Rumanisë i mungojnë Mutu dhe Kivu, ndërsa edhe organizatori Tanase pritet të mos luajë.









