Home » Futboll » Shqipëria edhe një fitore

Shqipëria edhe një fitore

Kombëtarja e Shqipërisë shënoi fitore me rezultat 1:0 në përballje me kombëtaren e Andorrës, në ndeshjen miqësore e zhvilluar në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë.

Shqipëri-Andorra, nisi me një minutë heshtje në kujtim të ish-futbollistit nga Kosova, Besian Idrizaj (që luajti së fundi edhe për Swansen), të ndarë nga jeta pak ditë më parë pas një infarkti kardiak në shtëpinë e tij në Austri. Protagonist i fitore së Shqipërisë sërish ka qenë Hamdi Salihi, i cili në minutën e 42-të të pjesës së parë tundi portën e skuadrës rivale.

Rasti i parë u krijua në minutën e 16-të, kur kapiteni Ervin Skela lëshoi një top për Hamdi Salihin, sulmuesi shkodran goditi me të majtën nga një distancë prej 17 metrash, por topi përfundoi në duart e portierit andorrian Gomezh. Endri Vrapi shënoi një gol në minutën e 21-të, por anësori maqedonas e konsideroi të parregullt rrjetën me kokë të mbrojtësit të Besës.

Në minutën e 30-të, Hyka ndërmori një sllallom midis tre mbrojtësve kundërshtarë, ku u pengua në zonë, por gjyqtari nuk denjoi të akordonte 11-metërsh. Pesë minuta përpara përfundimit të pjesës së parë, Ansi Agolli ekzekutoi bukur një goditje të lirë nga e majta, por Gomezh grushtoi duke shmangur rrezikun në portën e tij.

Kristi Vangjeli harkoi nga e majta e sulmit tonë një top në zonë dhe Hamdi Salihi, i gjendur në kohën e duhur dhe në vendin e duhur shënoi një gol tipik të tij në minutën e 44-t. Ishte sërish Salihi, ai që pati rastin për të dyfishuar me kokë, por shkodrani nuk ia doli në minutën e 48-të ta çonte topin në rrjetën e Andorrës.

Salihi u vendos sërish para portës, por goditja e tj më kokë në minutën e 51-të ishte e gabuar. Goditja e parë e Andorrës në portën e Shqipërisë u kronometrua në minutën e 60-të, por pa asnjë rrezik për të “papunin” Isli Hidi. Në të 63’, kapiteni Skela harkoi një top në zonë, topi mbërriti te Salihi, i cili në kërcim e sipër i ofroi zëvendësuesit Elis Bakaj, ky u fundit në një pozicion të favorshëm nuk arriti të shënojë nga një distancë e afërt, duke i mohuar vetes golin e parë me fanellën e madhe të Shqipërisë.

Trajneri Kuzhe i dha mundësinë edhe sulmuesit të Zorja Luganskit, Parid Xhihani, në ndeshjen e tij të parë historike me përfaqësuesen A. Pak minuta dhe për mbrojtësin e Tiranës, Ditmar Bici. Me suksesin ndaj Andorrës, Kombëtarja jonë regjistroi fitoren e tretë rresht në miqësoren e vitit 2010, ndërkohë që Shqipëria nuk humbet prej tetë miqësore ndërkombëtare, nga 25 maji i vitit 2008 (Poloni-Shqipëri, 1:0)./albania – sport

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati
Etiketat:

Komentoni