Federata e Mundjes së Kosovës (FMK), ka njoftuar se do të marr pjesë në kongresin e ardhshëm të Federatës Ndërkombëtare të Mundjes (FILA), i cili do të mbahet me 4 shtator në Moskë.
Kryetar i FMK-së, në një konferencë për shtyp ka bërë të ditur se ka pranuar ftesën e FILA-së, për të marrë pjesë në Kongresin e Moskës, i cili do të jetë zgjedhor. Muja tha se pret që federata të cilën ai e drejton të inkuadrohet me të gjitha të drejtat në institucionin më të lartë të mundjes.
“Ne më parë e kemi bërë kërkesën që federata jonë të pranohet me të drejta të plota në FILA dhe presim që në Moskë të marrim pëlqimin e tyre”, u shpreh ai. Muja falënderoi edhe Departamentin Sportit të Kosovës, siç tha ai për ndihmën e pakontestueshme që po ia jep FMK-së. Ndërkaq drejtori i DSK-së, Ibër Alaj, u shpreh se në raste të tilla, kur federatat janë të suksesshme gjithmonë do ta kenë ndihmën e tyre.
“Ne jemi në shërbim të tyre dhe vazhdimisht i kemi ndihmuar të suksesshmit dhe do të vazhdojmë të përkrahim edhe më tej FMK”. Edhe pse FMN, nuk është e pranuar me të gjitha të plotat, i deleguari i saj, që në këtë rast do të jetë kryetari, Muja, do ta ketë të drejtën e votës gjatë zgjedhjeve të kryetarit dhe bordit të ri. I pari i mundjes së Kosovës tha se ata vetëm janë të përcaktuar që të votojnë për kryetarin aktual të FILA-së, Raphael Martineti.
“Kryetari aktual na ka ndihmuar shumë neve duke na përkrahur që të anëtarësohemi në FILA, dhe të kemi të drejtë të marrim pjesë në garat ndërkombëtare, andaj pa asnjë mëdyshje ai do ta ketë votën tonë”, citoi Muja. Ndërkaq ky i fundit edhe pse nuk është i sigurt se a do të marrin pjesë në Moskë për shkak të vizave pasi Rusia ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës, thotë se për anëtarët e rinj të bordit do të vendosin më vonë se kë do ta votojnë.
“Ne së pari presim që të udhëtojmë në Moskë pasi shumë lehtë mund të ndodhë që ata të mos na pajisin me viza hyrëse në Rusi, shpresojmë që këtë ta zgjidhim edhe me ndihmën e institucioneve shtetërore.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se shpreson shumë që në këtë kongres, FMK, të pranohet më drejta të plota pasi do të jetë më lehtë për anëtarësimin e KOK, në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.









