Real Madridi, Milani dhe Ajaxi, që së bashku kanë fituar 20 kupa evropiane, do të takohen në fazën grupore të Ligës së Kampionëve për edicionin 2010-11.
Ky është edicioni i dytë rresht në Ligën e Kampionëve ku kampioni i nëntëfishtë, Reali dhe kampioni i shtatëfishtë, Milani bien në të njëjtin grup. Auxerre e Francës është skuadra e katërt në grupin D, që vlerësohet edhe si grupi i “vdekjes”. Shorti për fazën grupore të Ligës së Kampionëve është hedhur të enjten mbrëma në Monaco.
Trajneri portugez Jose Mourinho që u largua nga Interi këtë verë për të marrë ekipin e Real Madridit sërish do të rikthehet në stadiumin “San Siro”.
“Kur e ke një grup të tillë, automatikisht motivohesh dhe dëshiron të fitosh secilën ndeshje”, ka deklaruar trajneri i Ajaxit, Martin Jol. “E kemi parasysh se do të jetë shumë vështirë, por ne jemi të përgatitur mirë dhe adhurojnë sfidat me ekipet e mëdha evropiane”.
Edhe trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri është pajtuar se grupi D është më i forti.
“Grupi ynë pa asnjë dyshim është ndër më të fortit. Përballja me Real Madridin do të jetë një sfidë e madhe për ne, ndërsa Ajaxi dhe Auxerre nuk janë kundërshtarë aspak të lehtë”, tha Massimiliano Allegri pas hedhjes së shortit.
Kampioni në fuqi, Interi mbrojtjen e titullit në Ligën e Kampionëve do ta nisë në grupin A. Interi në edicionin e shkuar nën urdhrat e Mourinhos pas plot 45 vjetëve pritje fitoi trofeun e Ligës së Kampionëve, ndërsa krahas tij koleksionoi edhe titullin e kampionit në Serie A dhe Kupën e Italisë. Për kundërshtarë të Interit në grupin A do të jenë Werder Bremeni, Tottenhami dhe Twente.
Skuadra e Tottenhamit do të debutojë në Ligën e Kampionëve, ndërsa trajneri Harry Redknapp edhe njëherë do të ketë rastin të përballet me homologun e tij, Rafael Benitez që ndërroi skuadrën e Liverpoolit me atë të Interit këtë verë.
Finalisti i vitit të shkuar Bayern Muncheni është bartës i grupit E, ku do të ketë punë me Romën, Baselin edhe Clujin.
Ndeshjet e para të fazës grupore do të zhvillohen më 14/15 shtator, ndërsa finalja do të luhet në stadiumin “Wembley” të Londrës.
Grupi A
Inter
Werder Bremen
Tottenham
Twente
Grupi B
Lyon
Benfica
Schalke
Hapoel Tel-Aviv
Grupi C
Man. Utd
Valencia
Glasgow R.
Bursaspor
Grupi D
Barcelona
Panathinaikos
Copenhagen
Rubin Kazan
Grupi E
Bayern M.
Roma
Basel
Cluj
Grupi F
Chelsea
Marseille
Spartak M.
Zilina
Grupi G
Milan
Real Madrid
Ajax
Auxerre
Grupi H
Arsenal
Shakhtar
Braga
Partizan









