Home » Kampionati Shqiptar » Shkumbini e Teuta triumfuan

Shkumbini e Teuta triumfuan

U luajtën dy gjysmëfinalet e Kupës së 58-të të Shqipërisë. Në Kavajë dhe në Durrës u konsumuan 90-minutat e para të gjysmëfinaleve, që nxorën “të buzëqeshura” Teutën dhe Shkumbinin.

“Djemtë e detit” kanë fituar në “Niko Dovana” 1-0 ndaj Vllaznisë së Shkodrës, ndërsa në stadiumin e Kavajës, Besa nuk ka shkuar dot më tej se një barazim 1-1 me Shkumbinin. Një rezultat ky që ka gëzuar peqinasit, të cilët e presin më të qetë ndeshjen e kthimit, edhe me avantazhin e golit në fushën kundërshtare. Po cfarë dhuruan 90 minutat e para gfjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë?

Në Durrës është zhvilluar një ndeshje e tensionuar, ku miqtë janë shfaqur konfuzë në lojë, por mjaft gjaknxehtë në temperament, cka u ka kushtuar edhe dy kartonë të kuq. Konkretisht, Mvraljevic dhe Feniks, respektivisht në minutën e 56-të dhe të 62-të, janë detyruar të lënë fushën e lojës, pasi gjyqtari Kridens Meta u ka nxjerrë kartonin e kuq. Në të njëjtën minutë me Mvraljevic, në të 56-ën, me karton të kuq ka dalë edhe mbrojtësi lezhian i Teutës, Erion Dushku. Bardhësia e rezultatit të fillimit të ndeshjes është prishur në minutën e 45-të, kur sulmuesi dhe kapiteni i “djemve të detit”, Vangjel Mile, ka shënuar në portën e Grimës.

Duke e mbyllur pjesën e parë të ndeshjes në epërsi të vendasve, të cilët kanë pasur në favor të tyre edhe një lojë më të mirë e të qartë tekniko-taktike. Pjesa e dytë ka nisur më e fortë dhe më e luftuar. Janë miqtë nga Shkodra, ata që e kërkojnë me forcë golin, shpeshherë edhe duke i kaluar caqet e lojës “fair-play“. Sidoqoftë, vendasit kanë ruajtur qetësinë dhe qartësinë në lojë, duke mos u bërë pjesë e gjaknxehtësisë, me përjashtim të Dushkut, i cili u përfshi në një konflikt me mbrojtësin malazez të Vllaznisë, Mvraljevic.

Rast të mirë për gol pati sërish Teuta, me anë të sulmuesit Cota, i cili humbi një mundësi të artë për ta dyfishuar rezultatin, ndërkohë që kuqeblutë ishin në hije. Fitorja 1-0 ka lënë të gëzuar durrsakët, që janë disi të avantazhuar në ndeshjen e kthimit, në Shkodër, megjithatë ky rezultat nuk jep garanci për t’u kualifikuar në finale. Kuptohet, kuqeblutë do të japin gjithcka në ndeshjen e kthimit, duke synuar me cdo kusht kualifikimin për më tej, për ta fituar Kupën e Shqipërisë, një trofe i lakmuar nga të katër skuadrat gjysmëfinalste, për të shkuar përmes saj edhe në Kupat e Europës.

Në Kavajë, ndryshe nga sa pritej, Besa vendase është shfaqur e plogësht dhe pa nerv në lojën e saj. Fusha e keqe ka favorizuar si duket miqtë, të cilët, duke i shtuar grintës e lojës burrërore edhe vendosjen e mirë në fushën e lojës, kanë “prodhuar“ 90 minuta mjaft pozitive në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë. Kanë kaluar të parët në epërsi, në minutën e 5-të, me anë të sulmuesit Bakiu, duke i befasuar vendasit, të cilët mezi e kanë rimarrë veten, për të barazuar me anë të Daniel Xhafës, në minutën e 26-të.

Më pas loja është zhvilluar më shumë në gjysmëfushën e peqinasve, të cilët kanë preferuar të mbrohen mirë dhe të kundërsulmojnë rrezikshëm. Por barazimi 1-1 përmbyll edhe 45 minutat e para të lojës. Pjesa e dytë nis me më shumë ritëm nga kavajasit, por sërish vendasit nuk kanë qartësinë e duhur, për të shkuar te goli. Krijojnë volum loje, por thyhen shpejt në aksionet e tyre, që në mesfushë, ku Shkumbini ka ndërtuar një “gardh“ më lojtarë shkatërrues, ku spikat Shenaj.

Mungojnë rastet e pastra për gol të Besës, ndërkohë që miqtë nga Peqini, vecanërisht në 10 minutat e fundit të ndeshjes, shpërdorojnë dy raste të arta për gol. Njëherë Shenaj, që lëshon një predhë nga 25 metra, neutralizohet me vështrirësi nga poretieri Orges Shehi, që eviton rrezikun në dy kohë, herën tjetër Gjyla, që qeth tranversën e portës kavajase, janë epilogu i një ndeshjeje thuajse të barabartë, jo vetëm në rezultat, që favorizon Shkumbinin për të kaluar më tej. Për faktin se ndeshjen e kthimit do ta luajë në fushën e vet, para tifozëve të zjarrtë peqinas, ku vështirë ka fituar ndonjë kundërshtar.

Megjithatë, rruga për t’u kualifikuar, për të katër skuadrat, është e hapur, sepse futbolli njeh të papritura të mëdha. Kështu, në Kavajë, Durrës, Shkodër dhe Peqin, tifozëritë respektive kanë të drejtë të besojnë e shpresojnë se skuadrat e tyre të zemrës do të jenë në finale. Natyrisht, prej këtyre të katërtave, vetëm dy do ta kenë shansin ta diskutojnë trofeun e Kupës së 58-të të Shqipërisë.

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati
Etiketat: ,

Komentoni