Home » Boks » Shkuan për titull, u kthyen të turpëruar

Shkuan për titull, u kthyen të turpëruar

Kombëtarja e Kosovës në boks ka pësuar dy humbje me rezultat të thellë 11:3 e 12:2 nga klubi i boksit Vasasi përkatësisht Debreceni.

Zyrtarët e Federatës së Boksit të Kosovës para nisjes për në Hungari patën deklaruar se në Budapest nuk do të shkojnë vetëm sa për të marrë pjesë, por do të dëshmojnë traditën e boksin që ka Kosova dhe do të luftojnë për titull. Mirëpo, boksierët tanë dështuan në të gjitha pikëpamjet dhe pësuan dy humbje katastrofë në Budapest dhe kur i shtohet edhe ajo në Prishtinë nga Galante e Sllovakisë, bilanci është tri meçe dhe po aq humbje. Më një fjalë, shkuan për titull, por u kthyen të turpëruar.

Ndërkohë, çudia më e madhe është se pas këtyre humbjeve, ndryshojnë edhe deklaratat e FBOXK-së, duke thënë se Kosova ka boksuar me boksier të rinj, pa përvojë dhe nuk është pritur më shumë. Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, Mehmet Bogujevci, tha se nuk është pritur më tepër. Mirëpo, Bogujevci, është i vetmi zyrtar nga federata që edhe para nisjes nuk ka premtuar rezultate të bujshme në Hungari për dallim nga ekspedita e kombëtares dhe zyrtarë të tjerë të kësaj federate.

“Është normale që kanë humbur. Është ndërrim i gjeneratës dhe nuk është pritur më tepër nga djemtë tanë. Kemi një gjeneratë të re të boksierëve, me një moshë 18-19 vjeçare dhe brenda 3-4 vjetësh premtojnë shumë”, tha Bogujevci. Ai tha se në çastet e fundit i kanë rënë pishman që të përforcohen me boksierë cilësorë.

“Nuk kemi dashur që të përforcohemi sepse më mirë ka qenë të shkojmë më këtë brez të rinj dhe premtues. Duhet të mendojmë për më shumë dhe jo për një kohë të shkurtër. Më rëndësi ka qenë pjesëmarrje, rezultatet fare nuk çojnë peshë sepse është koha të punojmë me të rinj dhe jo të vrapojmë pas rezultateve”, ka thënë Bogujevci.

Mehmet Bogujevci nuk e pranon se ka boksi krizë, por është kategorik se janë duke punuar me të rinjtë më shumë dhe të ardhmen të kanë brumin e gatshëm. Duhet theksuar se boksi ka një krizë të përgjithshme pavarësisht se nuk e pranojnë zyrtarët e FBOXK-së, kur dihet se menjëherë pas luftës kanë pasur ligën e organizuar me tetë klube dhe madje edhe shikueshmëri më të madhe se shumë sporte të tjera me dorë.

Mbahej mend në vitet 2000-2001 kur boksi ka pasur në palestër mbi 3 mijë shikues, ndërsa sot mezi tubon 100-200 shikues. Madje është në krizë edhe të numrit të boksierëve cilësorë, pasi disa nga ta kanë shkuar në shtetet e jashtme për të kërkuar punë dhe siguruar ekzistencën familjare. /botasot

Shpërndaje:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Digg
  • del.icio.us
  • TwitThis
  • Live
  • Postoje tek Ngjarjet
  • StumbleUpon
  • Technorati
Etiketat: , ,

Komentoni